Aktualitet

Kanadaja akordon 100 milionë dollarë si ndihmë humanitare shtesë për Ukrainën

Qeveria kanadeze ka miratuar sot (01.03.) akordimin e një ndihmë humanitare shtesë prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën, në përgjigje të thirrjes urgjente të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të mbledhur 1.7 miliardë dollarë për përballimin e krizës humanitare të shkaktuar nga sulmi ushtarak i Rusisë në vendin fqinj.

Njoftimi u bë nga Ministri Kanadez i Zhvillimit Ndërkombëtar, Harjit Sajjan. “Ne do vazhdojmë të mbështesim popullin ukrainas, sot, nesër dhe përgjithmonë”, ka shkruar ai në Twitter, pasi e kish bërë të ditur lajmin, gjatë një takimi me videokonferencë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, ofensiva ushtarake ruse ka zhvendosur deri tani rreth 1 milion njerëz brenda Ukrainës dhe ka detyruar më shumë se 660,000 ukrainas të shkojnë në vendet fqinje, Poloni, Hungari, Sllovaki dhe Rumani. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë që rreth 12 milionë njerëz brenda Ukrainës dhe 4 milionë refugjatë do të kenë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje në muajt e ardhshëm.

Që nga viti 2018, Kanadaja ka ofruar 50 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë 35 milionë dollarë për asistencë zhvillimore. Kujtojmë që në fund të janarit, qeveria Trudeau pat njoftuar që ndihma shtesë humanitare prej 15 milionë dollarësh ishte derdhur në llogaritë e agjencive të OKB-së dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Të premten e kaluar, Ottawa njoftoi gjithashtu që do të ofrojë një shumë të barabartë me donacionet që do bëhen nga qytetarë kanadezë dhe institucione të ndryshme për Kryqin e Kuq Kanadez në periudhën 24 shkurt - 18 mars, deri në një maksimum prej 10 milionë dollarësh.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Foto: Getty Images/AFP/Attila Kisbenedek