Kanada - Si po evoluojnë qëndrimet e qeverisë Trudeau ndaj krizës së Ukrainës
- Nga: Flasshqip.ca
Tarifa 35% për eksportet ruse dhe bjelloruse. Ashpërsim sanksionesh për elitën financiare ruse. Pa llogaritur mbi 100 milionë dollarë ndihmë humanitare, ndihma ushtarake arrin në 57 milionë dollarë brenda pak javësh dhe përfshin material luftarak vdekjeprurës. Procedura të përshpejtuara dhe autorizime urgjente udhëtimi drejt Kanadasë pa kufizim numri për refugjatët ukrainas. Mjafton vetëm regjistrimi i të dhënave biometrike dhe pajisjet janë të gatshme në 33 vende europiane. Ndryshe nga kërkesa e opozitës, Trudeau nguron të dëbojë Ambasadorin rus Oleg Stepanov. Pezullohet funksionimi i Këshillit të Arktikut që drejtohet nga Rusia.

Reagimet e e qeverisë kanadeze po evoluojnë hap pas hapi me zhvillimet e krizës ukrainasë që nisi me sulmin ushtarak të Rusisë ndaj saj. Sot (03.03.) Ottawa i ashpërsoi më tej qëndrimet kundrejt Moskës duke njoftuar tarifa 35% për eksportet nga Rusia dhe Bjellorusia, si dhe dërgimin e mijëra raketave dhe granatave në ndihmë të ushtrisë ukrainase. Ndërkohë, është miratuar dhe një procedurë e përshpejtuar për pritjen e refugjatëve ukrainas në Kanada. Aktualisht në Kanada jeton një komunitet i konsiderueshëm më origjinë ukrainase, rreth 1,4 milionë vetë, çka e rendit atë në vendin e 11-të mes komuniteteve më të mëdha etnike në vend dhe të tretin në botë për nga numri, pas ukrainasve që jetojnë aktualisht në Ukrainë dhe Rusi. Kanadezët me origjinë nga Ukraina janë të organizuar dhe përfaqësohen nga Kongresi Ukraino-Kanadez.
Njoftimet e reja sot në emër të qeverisë kanadeze i ka bërë zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Financave Chrystia Freeland, e shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Anita Anand dhe ministri i Imigracionit, Sean Fraser. Kujtojmë se Freeland, është vetë me origjinë ukrainase, madje zotëron dhe rusishten. Në mbledhjet e ministrave të Financave të G7 ajo kujtohet për replikat në rusisht me homologun rus. Ditët e fundit ajo është afirmuar si figura qendrore në administrimin e dosjes së Ukrainës. Komentatorë të ndryshëm madje e kanë cilësuar këtë fakt si një paralajmërim që Freeland mund të jetë kandidatja më e mundshme për të marrë lidershipin e Partisë Liberale Kanadeze, në rast të një largimi të parakohshëm të kryeministrit Trudeau.
Kësisoj, me vendimet e sotme, Rusia i bashkohet Koresë së Veriut, i vetmi vend deri tani subjekt i tarifave 35% për eksportet e saj në Kanada. Po kështu, qeveria kanadeze është qeveria e parë që revokon statusin e kombit të favorizuar të Rusisë dhe Bjellorusisë si partnerë tregëtarë të Kanadasë. Prej sot, një duzinë CEO të gjigantëve të naftës ruse Rosneft dhe Gazprom, janë gjithashtu në shënjestër të një grupi të ri sanksionesh kanadeze. Në total, më shumë se 1000 persona, subjekte dhe kompani të lidhura me Rusinë kanë qenë subjekt i sanksioneve kanadeze qysh nga aneksimi i Krimesë në 2014.
“Anëtarët e elitës financiare të Rusisë mund të kujtojnë se lidhjet e tyre të ngushta me sallat e këshillave administrativë perëndimore dhe klubet e jahteve do t'i mbrojnë akoma, por ata gabohen”, është shprehur me ton të ashpër Christia Freeland, në përfundim të deklarimeve të saj për sanksionet ekonomike shtesë ndaj Rusisë.

Një tjetër zhvillim i sotëm lidhet me pjesën e ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës. Ministrja e Mbrojtjes Anita Anand ka njoftuar dërgimin e 4500 raketave M-72 (armë e lehtë antitank) si dhe 7500 granata. Ministrja konfirmoi gjithashtu dhënien e një milion dollarëve shtesë për blerjen e pajisjeve të imazheve satelitore me rezolucion të lartë për t'u mundësuar forcave ukrainase të vëzhgojnë më mirë lëvizjen e trupave ruse. Ndihma e deklaruar sot i shtohet asaj të miratuar katër ditë më parë nga qeveria kanadeze, përkatësisht 1,600 jelekë antiplumb dhe 390,000 pako ushqimesh individuale, me një vlerë prej rreth 10 milionë dollarë; 100 sisteme armësh antitank Carl Gustaf dhe 2000 raketa nga stoqet ekzistuese të Forcave të Armatosura Kanadeze (vlera e përafërt e këtij donacioni është 12 milion dollarë) si dhe 25 milionë dollarë ndihmë me material mbrojtës jovdekjeprurës.
Ndërkohë, sipas komunikatës ditore të Ministrisë së Mbojtjes Kanadeze, të gjitha Pajisjet ushtarake shtesë të miratuara këtë javë do të transportohen nga Kanadaja në një vend aleat fqinj sa më shpejt të jetë e mundur, nga ku do të koordinohet dorëzimi përfundimtar në Ukrainë. Tashmë, dy avionë taktikë C-130J Hercules u nisën nga Kanadaja për në Evropën Lindore të hënën dhe të mërkurën për të ofruar ndihmë në Ukrainë dhe për të mbështetur NATO-n. Sipas përllogaritjeve të Radio-Canada, 57 milionë dollarë pajisje ushtarake është totali që Kanadaja i ka ofruar si ndihmë Ukrainës në javët e fundit.
Përtej sanksioneve ekonomike dhe ndihmës ushtarake, qeveria kanadeze ka hedhur gjithashtu disa hapa të tjerë për të lehtësuar pritjen në Kanada të refugjatëve ukrainas, që kanë gjetur strehim në vendet fqinje të Ukrainës, të cilët sipas OKB-së, e kanë kaluar shifrën 1 milion. Sot ministrit i Imigracionit Sean Fraser, ka deklaruar se Kanadaja është e gatshme të presë sa më shumë refugjatë ukrainas që të jetë e nevojshme. “Ukrainasit që dëshirojnë të gjejnë strehim në Kanada për kohëzgjatjen e luftës do të përfitojnë një autorizim udhëtimi urgjent Ukrainë-Kanada dhe nuk do të ketë asnjë kufizim në numrin e kërkesave për këtë dokument. Kjo është mënyra më e shpejtë për të nisur sjelljen e refugjatëve ukrainas në Kanada. Ata që do pajisen me këtë autorizim urgjent do kenë mundësi të qëndrojnë në tokën kanadeze deri në dy vjet”, ka pohuar ministri Fraser.

Ministri i Imigracionit Sean Fraser
Për t'u kualifikuar, refugjatëve do t’u duhet të plotësojnë vetëm një formular dhe të ofrojnë të dhënat biometrike për verifikimin e identitetit. Madje, sot është bërë e ditur që dërgimi i pajisjeve për marrje të dhënash biometrike drejt vendeve në kufi me Ukrainën ka nisur qysh në mes të muajit janar. Aktualisht, Kanadaja zotëron pajisjet dhe personelin përkatës për të kryer veprime të tilla në Bukuresht, Vjenë, Varshavë, si dhe 30 vende të tjera në Evropë. Enkas për krizën e Ukrainës qeveria ka deklaruar gjithashtu që janë marrë masa për të zgjatur orët e punës dhe shtimin e stafit aty ku do të paraqitet nevoja.
Të gjithë ukrainasit e pranuar në Kanada sipas këtij procesi do të kenë të drejtë për një leje pune ose studimi dhe do të jenë në gjendje të punojnë për çdo punëdhënës kanadez për kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre. Afati i lejeve të punës apo studimit për shtetasit ukrainas që janë aktualisht në Kanada dhe nuk mund të kthehen në shtëpi do të zgjatet gjithashtu. Për ukrainasit që duan të vendosen në Kanada, një procedurë e përshpejtuar e bashkimit familjar do të aprovohet shumë shpejt nga Ottawa përmes një programi të ri sponsorizimi familjar.
Nga ana e tij, kryeministri Justin Trudeau i cili nuk ishte prezent as në seancën njoftimeve qeveritare të mëngjesit dhe as në seancën e pyetjeve pasdite në Dhomën e Komunave, është përballur me një pyetje delikate nga përfaqesues të mediave teksa kish dalë në një konferencë për shtyp rreth një investimi 4 miliardë dollarë për teknologjinë numerike në ndihmë të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Një gazetar e ka pyetur atë drejpërdrejt përse nuk dëbohet nga Kanadaja Ambasadori i Rusisë, Oleg V. Stepanov, ashtu siç ka kërkuar dhe opozita zyrtare në parlamentin federal.

Sipas Trudeau, një veprim i tillë, që si kundërpërgjgje do ketë sigurisht dëbimin e përfaqësuesve kanadezë nga Moska, mund të rezultojë i pafavorshëm për interesat e vendit. Trudeau ka mbrojtur tezën që duhet një qëndrim i balancuar, sepse prezenca e diplomatëve kanadezë në Moskë është e rëndësishme për të kuptuar se çfarë po ndodh me popullsinë ruse atje, për të mbështetur njerëzit në terren si dhe për të ndihmuar kanadezët që mund të gjenden të bllokuar në Rusi aktualisht. Trudeau njoftoi gjithashtu se qeveria kanadeze i është bashkuar kërkesës së një numri vendesh (pa specifikuar cilët) për pezullimin e Rusisë nga Interpoli, organizata ndërkombëtare e policisë kriminale, e cila ka 195 vende anëtarë.

Ambasada e Federatës Ruse në Ottawa
Sot është bërë e ditur gjithashtu se qeveritë e Kanadasë, Danimarkës, Shteteve të Bashkuara, Finlandës, Islandës, Norvegjisë dhe Suedisë kanë pezulluar përkohësisht pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e Këshillit Arktik, që aktualisht drejtohet nga Rusia. Këshilli Arktik, i cili bashkon vendet, kufijtë e të cilëve prekin Rrethin Polar, është një forum i rëndësishëm bashkëpunimi dhe dialogu për menaxhimin e marrëdhënieve gjeografike dhe strategjike në këtë pjesë gjithnjë e më të lakmuar të globit për shkak të rezervave të çmuara natyrore. Sipas një deklarate nga Global Affairs Canada, pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar pengesa serioze për bashkëpunimin ndërkombëtar, përfshirë Arktikun.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/Sean Kilpatrick, The Canadian Press/Justin Tang, Reuters/Thomas Peter












