Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 6 Mars 2022

 

British Columbia, në Vancouver litri i benzinës arriti shifrën 2 dollarë

Alberta, plan ndihme për përballimin e rritjes së çmimit të karburanteve

Manitoba, rikuperohen progresivisht vonesat e ndërhyrjeve kirurgjikale

Quebéc, nuk do pakësohet numri i deputetëve të provincës në Dhomën e Komunave

New-Brunswick, çmimi i mazutit për ngrohje arrin rekord historik

Newfoundland, ambientalistët kërkojnë anulimin e projektit naftënxjerrës Bay du Nord

Industria e aviacionit, kompania WestJet do blejë Sunwing

 

British Columbia, në Vancouver litri i benzinës arriti shifrën 2 dollarë

Të premten (04.03.) çmimi i benzinës kaloi kufirin e 2 dollarëve për litër në British Columbia. Ndërkohë, sipas Natural Resources Canada, në të gjithë vendin, çmimi mesatar ishte 1,76 dollarë, krahasuar me 1,62 dollarë dy ditë më parë. Shifra 2 dollarë u kalua në Vancouver, 1,75 dollarë në Toronto, 1,84 dollarë në Montréal dhe 1,67 dollarë në Halifax. Dan McTeague, president i grupit “Kanadezët për Energjinë e Përballueshme”, vlerësoi se çmimi mesatar i benzinës në të gjithë vendin pritet të rritet me 26¢ brenda javës. Efekti mund të frenojë rritjen ekonomike dhe të nxisë inflacionin të shkojë akome edhe më lart se 5.1% i deklaruar në janar, niveli më i lartë që nga viti 1991. Pushtimi rus i Ukrainës i ka rritur çmimet e naftës në nivele të papara në tetë vjet. Kompanitë e naftës po i shmangen naftës së papërpunuar ruse dhe sanksionet ndaj Rusisë po i përjashtojnë disa banka ruse nga sistemi global i pagesave, duke ndikuar fuqimisht mbi eksportet e saj. Rusia prodhon 10% të furnizimit të naftës botërore. Është prodhuesi i tretë më i madh në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

 

Alberta, plan ndihme për përballimin e rritjes së çmimit të karburanteve

Jason Kenney

Kryeministri i Albertës, Jason Kenney, deklaroi të premten (04.03.) se qeveria e tij po përgatit një plan ndihme financiare për të mbështetur konsumatorët në situatën e rritjes së çmimeve të karburantit. Plani pritet të paraqitet javën e ardhshme. Kenney pranoi gjatë një konference për shtyp se rritja e çmimit të karburanteve përbën një ndihmë për financat publike të provincës, por në të njejtën kohë ai theksoi se kjo situatë vështirëson financat e qytetarëve. Sipas kryeministrit albertan, qeveria e tij po shqyrton shumë opsione, përfshirë dhe taksat më të ulëta ndaj karburanteve.

 

Manitoba, rikuperohen progresivisht vonesat e ndërhyrjeve kirurgjikale

Sipas një përditësimi nga Task Forca e Mbështetjes Kirurgjike dhe Diagnostike, operacionet kirurgjikale në spitalet e Manitobës po rikthehen pak nga pak në situatë normale, pas ndikimit që pësuan nga pandemia. Kësisoj, provinca po mbyll gradualisht hendekun që i ishte imponuar dhe po shkon drejt niveleve të para COVID-19. Qendra e Shkencave Shëndetësore Winnipeg, spitali më i madh i Manitoba-s, kreu 13 operacione gjatë javës së 7 shkurtit, krahasuar me 7 deri në 10 gjatë javës së 3 janarit. Spitali Concordia kreu operacione me kapacitet të plotë dhe të gjitha njësitë e kardiokirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm St. Boniface kanë qenë në shërbim që nga 3 janari. Gjatë javës së 7 Marsit, dy dhoma kirurgjie dhe një dhomë endoskopie do të rikthehen në funksionim normal në spitalet e Winnipeg.

 

Quebéc, nuk do pakësohet numri i deputetëve të provincës në Dhomën e Komunave

Sipas Radio-Canada, qeveria federale po përgatitet të ndërhyjë në mënyrë që Quebec të mos humbasë një zonë elektorale gjatë rishikimit të hartës zgjedhore kanadeze. Një numër ministrish po punojnë aktualisht për propozime që synojnë mbrojtjen e peshës politike të Québec-ut, që parashikohej të humbiste një vend në Dhomën e Komunave, në një rikonfigurim të ardhshëm të hartës zgjedhore, që do të bazohej vetëm mbi numrin e popullsisë. Ndërkohë, Dhoma e Komunave miratoi këtë javë që sapo u mbyll një mocion, të paraqitur nga Blloku Québécois, duke hedhur poshtë propozimin e rindarjes të paraqitur nga Drejtori Përgjithshëm i Elections Canada, që i kërkonte qeverisë të ndryshojë formulën për ndarjen e vendeve. Vitin e kaluar, ky institucion përgatiti një projekt për të rikonfiguruar hartën zgjedhore kanadeze bazuar në një model matematikor të aplikuar për demografinë. Sipas këtij propozimi, numri i përgjithshëm i vendeve në Dhomën e Komunave do të rritej me katër, në gjithsej 342 deputetë. Alberta do të fitonte tre vende, Ontario dhe British Columbia do të merrnin, nga një vend më shumë, por Quebéc do të humbte një dhe përfaqësimi i provincës frankofone do të binte nga 78 në 77 deputetë. Ky do të ishte rasti i parë që nga viti 1966, që një provincë do të humbiste një vend në Dhomën e Komunave, pas rillogaritjes së zonave elektorale.

 

New-Brunswick, çmimi i mazutit për ngrohje arrin rekord historik

Ashtu si çmimi i benzinës, çmimi i karburantit për ngrohje po rritet ndjeshëm. Bordi i Energjisë dhe Shërbimeve të New-Brunswick vendosi çmimin maksimal të mazutit në 1,74 dollarë për litër. Kjo është një rritje prej 23 cent për litër që nga 24 shkurti. Kësisoj, mbushja e një rezervuari rezidencial prej 910 litrash sot kushton 180 dollarë më shumë. Vlerat në bursë për karburantin e ngrohjes kanë qenë aq të luhatshme kohët e fundit, sa e detyruan institucioni në fjalë të rriste kufirin gjatë tre ditëve radhazi. Çmimi aktual është një rekord historik për New Brunswick. Edhe pse shumë banorë të provincës kanë adoptuar metoda ngrohjeje më ekonomike, ka akoma pronarë shtëpish, sidomos pensionistë, që përdorin mazutin për ngrohje.

 

Newfoundland, ambientalistët kërkojnë anulimin e projektit naftënxjerrës Bay du Nord

Organizata kombëtare, ndërkombëtare dhe qarqe akademikësh ambientalistë, i kanë bërë thirrje qeverisë së Kanadasë të refuzojë projektin e naftënxjerrjes në det të hapur Bay du Nord në provincën Newfoundland dhe Labrador. “Raporti i fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike tregoi qartë se ne nuk mund t'i tejkalojmë objektivat tanë klimatikë”, ka deklaruar Conor Curtis, studiues i ndryshimeve klimatike në Newfoundland dhe Labrador dhe anëtar i Fondacionit Sierra Club Canada, i cituar nga Radio-Canada. Sipas tij, nuk mungojnë provat se projekte të tillë rrisin emetimin e gazrave serrë. Sierra Club është një nga 118 organizatat mjedisore dhe qytetare që nënshkruan një letër dërguar të mërkurën (02.03.) qeverisë federale duke i kërkuar asaj të refuzojë Bay du Nord. Një letër tjetër e nënshkruar nga 81 organizma ndërkombëtarë shprehet se miratimi i projektit do të dëmtonte besueshmërinë e Kanadasë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe do të pengonte përpjekjet ndërkombëtare për ta bërë këtë. Nga ana e saj, industria e naftës vlerëson se rreth një miliard fuçi naftë mund të nxirren nga Bay du Nord, projekt që do të krijojë mijëra vende pune dhe do të gjenerojë 3.5 miliardë dollarë të ardhura për Newfoundland dhe Labrador, provincë që është shumë e varur ekonomikisht nga të ardhurat që merr nga kjo industri.

 

Industria e aviacionit, kompania WestJet do blejë Sunwing

Ndërhohë që konkurenca në sektorin turistik po intensifikohet, kompania ajrore me qendër në Calgary, WestJet, ka njoftuar të mërkurën (02.03) një marrëveshje për blerjen e Sunwing, kompanisë të specializuar për udhëtime pushimesh. Në njoftimin përkatës për shtyp, WestJet dhe Sunwing deklaruan se kanë arritur një marrëveshje përfundimtare sipas të cilës Grupi i Kompanive WestJet do të blejë Sunwing Vacations dhe Sunwing Airlines. Kushtet financiare të transaksionit, sipas të cilëve aksionerët ekzistues të Sunwing bëhen aksionerë të WestJet Group, nuk janë bërë publikë. WestJet ka pohuar gjithashtu që transaksioni do të mundësojë përdorimin gjatë gjithë vitit të avionëve që deri tani përdoren vetëm me sezone, duke krijuar kësisoj më shumë vende pune në Kanada. Sipas marrëveshjes, një njësi e re e udhëtimeve turistike do të krijohet si pjesë e grupit WestJet, i cili do të përfshijë Sunwing Vacations dhe WestJet Vacations. Ajo do të drejtohet nga CEO i Sunwing, Stephen Hunter. Njësia e turizmit do vendoset në Toronto dhe do të ketë një zyre qendrore për Québec në Laval. Marrëveshja, e cila do të duhet t'i nënshtrohet miratimeve rregullatore, pritet të mbyllet deri në fund të vitit. Një ofertë e ngjashme nga Air Canada për transportuesin Transat A.T. dështoi në prill 2021, pasi Komisioni Evropian parajmëroi që nuk do ta miratonte atë për shkak të problemeve që krijoheshin me rregullat e konkurencës.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada