Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 13 Mars 2022

 

(Cape Spear - Newfoundland, pika më lindore në Kanada)

Roja Bregdetare Kanadeze pezullon marrëdhëniet me Rusinë

Në prag të pranverës ndryshon ora në shumicën e territorit kanadez

British Columbia, Bashkia Victoria mbështet komunitetin autokton Songhees

Saskatchewan, ulet papunësia dhe rritet punësimi

Nova Scotia, reduktohet lista e pritjes për mjek familje

Ulet çmimi i karburantit në provincat e Atlantikut

Ontario, pas dy vite pandemie përgatitet rikthimi i festimit të Saint-Patrick’s Day

 

Roja Bregdetare Kanadeze pezullon marrëdhëniet me Rusinë

Në vijim të sanksioneve kanadezë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, Roja Bregdetare Kanadeze ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në Forumin e Rojeve Bregdetare të Arktikut, ku deri tani ajo ka bashkëpunuar me Rusinë dhe gjashtë vende të tjera nordike, Danimarkën, Suedinë, Islandën, Finlandën, Norvegjinë, dhe Shtetet të Bashkuara. Konfirmimi pranë Radio-Canada është dërguar me email të premten (11.03) nga një zëdhënës i insitucionit. “Pavarësisht tërheqjes, Roja Bregdetare Kanadeze dëshiron të ruajë bashkëpunimin e saj me gjashtë shtetet e tjerë të Arktikut në të ardhmen”, thuhej në njoftim, ku gjithashtu shpjegohej se po zhvillohen diskutime me partnerët për të parë se si mund të vazhdojë ky bashkëpunim i lidhur drejpërdrejt me çështjet e kërkimit-shpëtimit detar dhe ruajtjen e mjedisit. Forumi i Rojeve Bregdetare të Arktikut është një organizatë e pavarur që nxit dhe mbështet aktivitetin detar me kushte sigurie dhe të përgjegjshëm ndaj mjedisit në Arktik.

 

Në prag të pranverës ndryshon ora në shumicën e territorit kanadez

Në shumicën e provincave kanadeze, si dhe në Nunavut dhe Northwest Territories, ora avancoi mbrëmë (12.03) 60 minuta përpara në mesnatën mes të shtunës dhe të dielës. Ndërkohë Yukon dhe Saskatchewan e mbajnë orarin e avancuar gjatë gjithë vitit. Kryeministrat e Ontarios, British Columbia dhe Québec kanë deklaruar tashmë se janë të hapur ndaj idesë për të hequr dorë nga dy ndryshimet vjetore të orës. British Columbia e pat miratuar ndryshimin ligjor për këtë qëllim tre vjet më pare, por kryeministri Horgan pohoi të premten (11.03) se provinca e tij nuk do heqë dorë nga dy ndryshimet vjetore të orës pa e bërë këtë gjithashtu edhe tre shtetet amerikanë që kanë të njëjtën zonë orari, Washington, Oregon dhe California.

 

British Columbia, Bashkia Victoria mbështet komunitetin autokton Songhees

Lisa Helps, kryetare e Bashkisë Victoria (kryeqyteti provincial i British Columbia) i ka deklaruar Radio-Canada se institucioni që ajo përfaqëson mbështet transferimin e disa territoreve nga qeveria provinciale në pronësi të komunitetit autokton Songhees. Songhees është pjesë e një grupi prej pesë komunitetesh autoktonë që janë bashkuar për të negociuar një traktat të ri me British Columbia dhe Kanadanë. E krijuar në vitin 1994, shoqata e tyre është në fazën e parafundit të negociatave përpara ratifikimit të traktatit. Ndër elementët që mbulojnë negociatat, është edhe çështja e territoreve. Për Songhees, territori përfshin rezervatin Esquimalt, si dhe disa territore të tjerë, në disa bashki pranë Victoria, që do të transferohen pas ratifikimit. Pas përfundimit të transferimit, këto toka nuk i nënshtrohen më kontrollit të bashkisë. Në Victoria, marrëveshja prek pronat e vendosura në 613 dhe 615 Pandora Avenue, të cilat tashmë i janë transferuar komunitetit, si dhe pronat që ndodhen në 1112 Wharf Street dhe 430 Menzies. Sipas shefit të komunitetit Songhees, Ron Sam, mbështetja nga bashkia është e rëndësishme dhe transferimi i territoreve do të ofrojë mundësi zhvillimit ekonomik për komunitetin që përfaqëson. Procesi pritet të përfundojë brenda tre viteve.

 

Saskatchewan, ulet papunësia dhe rritet punësimi

Sipas të dhënave statistikore të muajit shkurt 2022, provinca Saskatchewan e ka rritur me 30,100 vende të reja pune bilancin e saj, shifër kjo 5.6% më e lartë, krahasuar me muajin shkurt 2021. Kësisoj, ka rënë gjithashtu përqindja e papunësisë. Më shumë se gjysma e vendeve të punës të krijuar janë me kohë të plotë. Sipas shifrave të Statistics Canada të publikuara të premten (11.03), Saskatchewan regjistroi një muaj të katërt radhazi të rritjes së punësimit në shkurt 2022. Për më tepër, shkalla e papunësisë 4.7%, është niveli më i ulët në Saskatchewan që nga prilli 2015. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, shkalla e papunësisë për moshat 15 dhe 24 vjeç mbetet më e larta. Bazuar në këto të dhëna, Ministri provincial i Imigracionit dhe Formimit Profesional, Jeremy Harrison, ka shprehur optimizmin se Saskatchewan është në rrugën e duhur.

 

Nova Scotia, reduktohet lista e pritjes për mjek familje

Sipas Radio-Canada, lista e pritjes për të patur një mjek familje në Nova Scotia është ulur për herë të parë në dy vjet, pavarësisht nga numri rekord i njerëzve që kanë shtuar emrin. Duke telefonuar një nga një ata që kishin dhënë numrin e tyre të telefonit, autoritetet shëndetësore arritën të hiqnin 6 mijë persona nga kjo listë. 90% e tyre kanë arritur të gjejnë një mjek familjar. Verifikimi i saktësisë së të dhënave të listës së pritjes filloi në dhjetor 2021. Pavarësisht kësaj, mijëra të tjerë raportohet se do t'i shtohen kësaj liste pritjeje çdo muaj. Shumica e tyre banojnë në zonën qendrore shëndetësore, ku ndodhet qyteti Halifax. Lista e pritjes për një mjek ose infermiere ka qenë problem në Nova Scotia prej disa vitesh. Në vitin 2017, kjo listë kishte gati 40,000 emra, ndërsa në vitin 2018, më shumë se 50,000. Numri është rritur vazhdimisht që nga viti 2020, veçanërisht për shkak të imigracionit në rritje në provincë dhe daljes në pension të disa mjekëve.

 

Ulet çmimi i karburantit në provincat e Atlantikut

Pas një rritjeje të konsiderueshme që zgjati disa ditë, drejtuesit e automjeteve në provincat e Atlantikut përfituan nga rënia e çmimit të benzinës mëngjesin e së premtes (11.03.) Çmimet më poshtë janë më të lartët e lejuar nga organet rregullatorë në secilën prej provincave të Atlantikut për një litër benzinë ​​të zakonshme: Në New Brunswick, çmimi ra gati 16¢ duke shkuar 170.9¢. Në Nova Scotia, ku çmimi ka rënë me rreth 4¢, ai varion në vende të ndryshme nga 184.5¢ në 186.4¢. Në Prince Edward Island, çmimi maksimal u rishikua dhe u vendos 185.4¢, rreth 3¢ më pak. Në Newfoundland dhe Labrador, ku çmimi e kaloi kufirin 2 dollarë këtë javë, tani varion nga 192,5¢ në Gadishullin Avalon në 204,9¢ në Ramea, një rënie e përgjithshme prej rreth 8¢. Megjithatë, çmimi i karburantit mbetet më i lartë se përpara pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve ekonomikë ndaj Rusisë, e cila është një prodhues i madh i naftës. Për shembull, në New Brunswick, çmimi maksimal i autorizuar për një litër benzinë ​​të rregullt ishte 158,9¢ më 24 shkurt.

 

Ontario, pas dy vite pandemie përgatitet rikthimi i festimit të Saint-Patrick’s Day

Pas një ndërprerjeje dyvjeçare për shkak të pandemisë, disa qytete të Ontarios po përgatiten për rikthimin e festimeve të mëdha me rastin e Saint Patrick’s Day. Në Toronto, policia ka njoftuar tashmë mbylljen e rrugëve për paradën tradicionale, e cila këtë vit do të zhvillohet të dielën, më 20 mars. Parakalimi do të nisë nga kryqëzimi i rrugëve Bloor West dhe St-George dhe do të vazhdojë më pas drejt Nathan Phillips Square, duke kaluar nëpër rrugët Yonge dhe Queen. Ky eveniment është i pari që kur Bashkia njoftoi lejen për rifillimin e festivaleve dhe tubimeve të mëdha. Ndërkohë, në Waterloo, nuk dihet ende nëse rrethinat e Universitetit Wilfrid Laurier do të mbushen plot e përplot nga festuesit këtë 17 mars, ashtu siç ishte zakon para pandemisë. Çfarëdo që të ndodhë, shefi i policisë, Bryan Larkin, i cituar nga Radio-Canada, ka deklaruar që trupat e tij janë gati për të siguruar mbarëvajtjen e festimeve, në bashkëpunim me autoritetet e univerisitetit dhe Zjarrfikësit. Në qendër të qytetit Guelph, rrugët Macdonell dhe Wyndham do të mbyllen më 17 mars nga ora 20:00 deri në 04:00 të mëngjesit për këtë rast. Në Ottava, departamenti i policisë së qytetit ka paralajmëruar tashmë qytetarët se nuk do të tolerohet asnjë tejkalim i rregullave gjatë festimeve.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada