Justin Trudeau, Mélanie Joly dhe Anita Anand u ndalohet hyrja në Rusi
Kremlini zyrtar ka nisur kundërpërgjigjen ndaj sanksioneve perëndimore duke u ndaluar 313 shtetasve kanadezë hyrjen në territorin e Rusisë, duke përfshirë kryeministrin Justin Trudeau, ministren e Jashtme Mélanie Joly dhe ministren e Mbrojtjes Anita Anand. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe një grup ndihmësish të tij figurojnë gjithashtu në listën e sanksioneve të Moskës. Lajmi është bërë publik nga agjencia ruse e lajmeve Lenta.ru, që i referohej agjencisë shtetërore TASS.
Sot gjatë ditës (15.03.) teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një komunikim online mbante një fjalim para Parlamentit Federal kanadez, qeveria ruse publikoi listën me 313 emra shtetasish kanadezë që nuk mund të hyjnë në Rusi, ku përveç Trudeau, Joly dhe Anand, bëjnë pjesë dhe shumë deputetë, si dhe presidentja e e Kongresit Ukraino-Kanadez, Alexandra Chyczij. Ndër të ndaluarit figurojnë emrat e liderëve të partive opozitare, Candice Bergen (Konservatorët), Yves-François Blanchet (Blloku i Québec), Jagmeet Singh (Neodemokratët), por edhe Erin O’Toole dhe Pierre Polievre. Ndërkohë nuk është përfshirë nga sanksionet Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Financave Chrystia Freeland, e cila siç dihet, nënën e ka me origjinë nga Ukraina.
Sipas agjencisë TASS, “përveç shumë politikanëve në listë përfshihen dhe elementë agresivë pro-Bandera (Stepan Bandera (1909-1959), një indipendentist ukrainas aleat i nazistëve)”, ndërsa për ministrinë e Jashtme ruse, vendimi i sotëm “është përgjigja e Kremlinit për rusofobinë dhe sanksionet e vendosura nga Ottawa ndaj politikanëve rusë”.
Përpara se të shpallej lista e Kremlinit, në mëngjesin e ditës së sotme qeveria Trudeau publikoi dhe 15 emra të tjerë zyrtarësh të lartë të qeverisë ruse, që i shtoheshin listës kanadeze të sanksioneve të ndërmarra për shkak të vendimit të Moskës për të pushtuar Ukrainën. Sipas një deklarate për shtyp të Global Affairs Canada, “këta individë, të panjohur për publikun e gjerë, lejuan dhe mbështetën vendimin e Presidentit Putin për të pushtuar një vend paqësor dhe sovran”.
Ndërkohë, përveç presidentit të SHBA Joe Biden dhe ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton, Kremlini gjithashtu u ndaloi sot hyrjen në Rusi 12 anëtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, shefi i CIA-s, Uilliam Burns dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, janë gjithashtu pjesë e listës.
Në deklaratën e sotme, Ministria e Jashtme ruse, ka saktësuar megjithatë se “vazhdon të mbajë marrëdhënie zyrtare me Uashingtonin dhe se, nëse do të jetë e nevojshme, do të kujdeset që kontaktet e nivelit të lartë të mund të realizohen edhe me personat e përfshirë në listë”.
Më poshtë linku ku mund të lexohet e plotë lista e 313 shtetasve kanadezë që prej ditës së sotme u ndalohet hyrja në Federatën Ruse:
https://www.mid.ru/ru/foreign_policy/news/1804374/
Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld