Java Kanadeze - Lajme shkurt 27 Mars 2022
-British Columbia, mirëpritet programi federal i kujdesit dentar
-Alberta, mungesë krahu pune në qendrat turistike
-New Brunswick, numri i banorëve në provincë tejkalon shifrën 800,000
-Newfoundland sërish përfshihet nga moti i keq
-Montréal, vazhdojnë manifestimet në mbështetje të Ukrainës
-Toronto, lufta në Ukrainë dhe kërcënimet ndaj disa bizneseve

Terrebonne - Québec
Vancouver - Njoftimi për krijimin e një regjimi federal për kujdesin dentar në favor të personave me të ardhura të ulëta është mirëpritur nga specialistët e fushës përkatëse në provincën e British Columbia. Programi do realizohet si rezultat i marrëveshjes së Neodemokratëve me Liberalët, që u mundëson këtyre të fundit të qeverisin deri në vitin 2025, edhe pse ne minorancë. Gjatë viteve të fundit, ka pasur shumë prova se ekziston një lidhje midis shëndetit oral dhe shëndetit të përgjithshëm, i ka deklaruar Radio-Canada Bruce Ward, stomatolog në Vancouver. Sipas Ward, i cili punon në Downtown Eastside, 35% e banorëve të provincës nuk kanë sigurim dentar dhe nëse kanë një nevojë urgjente, iu duhet të shkojnë në spital. Ndërkohë stomatologët prej vitesh kanë kërkuar mbulim më të mire, që ata që nuk kanë sigurime të trajtohen në mënyrë parandaluese. Edhe Shoqata Kanadeze e Stomatologjisë e ka vlerësuar gjithashtu njoftimin nga qeveria federale duke përsëritur kërkesën që kjo e fundit duhet të investojë në programet provincialë që ekzistojnë tashmë, të pafinancuar sa duhet. Ndërkohë, Downtown Eastside vazhdon të shërbehet nga dentistë dhe higjienistë të cilët vullnetarisht japin kohën e tyre për të ndihmuar banorët e lagjes më të varfër të Vancouver, në rastet kur ata kanë probleme me dhëmbët.
Banf - Heqja e kufizimeve shëndetësore në Alberta duket se nuk e ka lehtësuar krizën e krahut të punës që ka prekur qytetet turistike të provincës. Në Qendrën e Punësimit të Banff dhe Canmore, ofertat e punës të bëra publike nuk po marrin përgjigjet që priten, sipas drejtorit Michel Dufresne. Para pandemisë, qendra mund të trajtonte rreth 100 aplikime në ditët e saj më të ngarkuara, ndërsa aktualisht shifra ditore nuk e kalon numrin 10. Në qytete si Banff dhe Canmore, hotelet, restorantet, kompanitë turistike, qendrat e skive dhe bizneset e tjerë, shpesh bazohen te punëtorë që vijnë nga jashtë Kanadasë. Deri në vitin 2020, këta përbënin pothuajse gjysmën e punëtorëve në këtë zonë. Mendohet se situata ndër të tjera, mund të jetë shkaktuar nga ngadalësimi i përpunimit të aplikimeve të paraqitura nga kjo kategori. Sipas Presidentit të Shoqatës së Hoteleve të Banff e Lake Louise dhe menaxher i hotelit Rimrock, Trevor Long, mund të duhen shpesh 12 deri në 18 muaj nga paraqitja e kërkesës së një punëdhënësi për një punonjës të huaj deri në mbërritjen e tij në Kanada.

Banf - Alberta
New Brunswick - Të dhënat e fundit nga Statistics Canada, dëshmojnë se New Brunswick po përjeton bumin më të madh demografik në 45 vitet e fundit. Agjencia federale njoftoi të premten (25.03) se popullsia e provincës tashmë e kaloi shifrën 800,000 për herë të parë, pasi ka pranuar më shumë se 40,000 të ardhur vetëm në pesë vitet e fundit. Kjo është shkalla më të lartë e rritjes së popullsisë që nga viti 1976. Vetëm në 12 muajt e fundit aty janë shtuar mbi 15,000 vetë. “Strategjia jonë e rritjes së popullsisë po i tejkalon pritshmëritë. Ne po përjetojmë nivele më të larta imigrimi, si dhe migrim pozitiv ndërprovincial”, deklaroi nga ana e tij Kryeministri Blaine Higgs, i cili shpreson shumë edhe në një rritje të të ardhurave tatimore. Kjo rritje e popullsisë në New Brunswick është pjesë e një tendence të vërejtur edhe te provincat fqinje të Atlantikut. Muajin e kaluar, Statistics Canada raportoi se gjatë pesë viteve të fundit, tre provincat e Atlantikut e kanë arritur reduktimin e një rënie të popullsisë prej dekadash, pjesërisht falë edhe një fluksi të qëndrueshëm drejt tyre të kanadezëve nga provincat e tjera, veçanërisht nga Ontario dhe Alberta.
Newfoundland - Environment Canada emetoi një paralajmërim urgjent dje në mëngjes (26.03) për pothuajse të gjithë territorin e Newfoundland dhe Labrador, për reshje bore dhe shi të akullt. 10 deri në 20 cm borë priteshin në rajonet veriore, perëndimore, qendrore dhe verilindore të provincës. Për rajonet jugore dhe lindore parashikohej vetëm shi i akullt. Ndërsa në Gadishullin Burin nga sot deri nesër priten 20 deri në 40 mm shi. Një paralajmërim për pudër dëbore është ende në fuqi në zonat Red Bay në L'Anse-au-Clair, si dhe Parson's Pond-Hawke's Bay. Shumica e rrugëve në Newfoundland janë pjesërisht ose plotësisht të mbuluara me borë prej dje. Po kështu rreth 2,000 banesa në Port-aux-Basques u prekën nga ndërprerja e energjisë elektrike për shkak të shiut të akullt, situatë kjo tashmë e kapërcyer.

Montréal - Qindra protestues marshuan në Montréal gjatë ditës së djeshme (26.03) për të dëshmuar edhe një herë solidaritetin me Ukrainën, që po përballet me sulmet e ushtrisë ruse prej më shumë se një muaji. Protestuesit kërkuan edhe një herë krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke i bërë jehonë kërkesave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Shumë prej tyre marshuan në rrugën Sainte-Catherine me karroca bosh për të kujtuar fëmijët e vrarë në këtë konflikt. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, 136 fëmijë kanë vdekur nga bombardimet ruse deri më tani. Më pas grupi i manifestuesve u ndal në Sheshin Kanada, në qendër të qytetit, ku dhe u mbajtën fjalimet e rastit.
Toronto - Emaile me përmbajtje urrejtjeje, fyerje, akte vandalizmi: që nga fillimi i luftës në Ukrainë, bizneset në Toronto që shesin produkte ruse dhe ukrainase kanë qenë objektiv i kërcënimeve, raporton Radio-Canada. Kjo situatë madje e shtyu pronaren e një lokali me simbole sovjetikë të ndryshonte emrin e tij dhe ta ridekoronte atë, çka i ka kushtuar rreth 100,00 dollarë. Fundjavën e parë pas nisjes së sulmit rus, shitjet ranë plotësisht, ka deklaruar pronarja e Brash & Sassy Vodka Bar, Jasmine Daya. Vetëm një muaj më parë, ky lokal në qendër të Torontos quhej Pravda Vodka Bar. Muret e tij ishin të mbuluar me piktura që pasqyronin kohën e BRSS. Një portret i madh i Leninit ishte i vendosur në mes të sallës së ngrënies si dhe një sërë flamujsh me drapër dhe çekan, simbolet e komunizmit, shiheshin të varur gjithandej. Gjithashtu dhe një statujë e madhe e Stalinit ndodhej aty para së cilës klientët fotografoheshin rregullisht. Në vetëm pak ditë, pothuajse të gjitha gjurmët e dekorimit sovjetik u zhdukën.

Ish-Pravda Vodka Bar - Toronto
©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada












