Aktualitet

Kanada - Miratohet megaprojekti naftënxjerrës Bay du Nord në Newfoundland

Pas një periudhe hezitimi dhe shtyrjes dy here të vendimmarrjes, qeveria Trudeau ka miratuar përfundimisht sot (06.04) Bay du Nord, një megaprojekt për nxjerrjen e naftës nga 60 puse nënujorë që ndodhen në një largësi rreth 500 kilometra nga brigjet e provincës Newfoundland dhe Labrador.

Vendimin e bëri publik menjëherë pas mbylljes së tregjeve të Bursës, Ministri federal i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike Steven Guilbeault. Sipas deklaratës së Guilbeault, dikur aktivist ambientalist para hyrjes në politikë, projekti i sapomiratuar nuk ka të ngjarë të shkaktojë efekte të rëndësishëm negative në mjedis, nga ato që janë të listuar në nënseksionin 5(1) të Aktit Kanadez të Vlerësimit Mjedisor dhe do të jetë një projekt që do t’i nënshtrohet respektimit të kushteve më të rreptë mjedisorë të vendosur ndonjëherë. Ministri gjithashtu pohoi se të gjithë projektet e ardhshme të naftës dhe gazit do të jenë karboneutralë prej sot e deri në vitin 2050.

Rezerva nënujore e naftës Bay du Nord do të shfrytëzohet nga kompania norvegjeze e naftës Equinor dhe Cenovus Energy, një partner lokal. Rezerva ndodhet në thellësitë e pellgut Flemish Pass, rreth 500 kilometra në lindje të Saint-Jean. Plani i Equinor është të përdorë një platformë lundruese prodhimi me kapacitet deri në 200,000 barila në ditë e cila quhet Floating Production Storage and Offloading. Projekti është planifikuar të fillojë në vitin 2028. Kësisoj, Bay du Nord do të bëhet zona e pestë e nxjerrjes së naftës në det të hapur, në provincën Newfoundland dhe Labrador dhe në një periudhë 30 vjeçare shfrytëzimi aty parashikohet të nxirren nga 300 milionë deri në 1 miliard barila.

Bay du Nord parashikohet t’i shtojë rreth 3.5 miliardë dollarë të ardhura qeverisë së Newfoundland dhe Labrador, provinca me borxhin më të lartë në rang Kanadaje. Projekti gjithashtu pritet të krijojë mijëra vende pune të mirëpaguar, në një territor ku shkalla e papunësisë ishte mbi 12% në muajin shkurt 2022 dhe ku industria e naftës përfaqëson rreth 30% të Produktit të Brendshëm Bruto.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Equinor