Aktualitet

Kanada: Fillon hetimi mbi ligjshmërinë e shpalljes së masave të jashtëzakonshme

Nga mediat kanadeze është shpëndarë sot lajmi mbi hetimin zyrtar që do të fillojë këto ditë lidhur me aplikimin nga ana e qeverisë federale të dispozitave të Aktit mbi Masat e Jashtëzakonshme. Kujtojmë se ishte kryeministri Justin Trudeau, ai që kërkoi për herë të parë qysh nga miratimi i ligjit në fjalë, aplikimin e masave të jashtëzakonshme më 14 shkurt 2022, masa të cilat u zbatuan qysh të nesërmen. Synimi ishte t’i jepeshin qeverisë federale kompetenca të jashtëzakonshme të përkohshme për t’i dhënë fund bllokimit të qendrës së kryeqytetit Ottawa për një periudhë gati tre javore, nga protestuesit e “Freedom Convoy” dhe qytetarë që kundërshtonin zgjatjen e kufizimeve shëndetësorë të dekretuar për shkak të pandemisë.

Siç dihet, masat e jashtëzakonshme u anuluan papritmas më 23 shkurt, 48 orë pas marrjes së miratimit në Dhomën e Komunave me votën e Liberalëve dhe Neodemokratëve (Konservatorët dhe Blloku votuan kundër, disa kryeministra provincash i kundërshtuan gjithashtu). Ndërkohë që po të njëjtën ditë, Senati kanadez vazhdonte diskutimet mbi ligjshmërinë e tyre pa arritur ende te procedura e votimit, ndërsa të nesërmen deklarohej zyrtarisht sulmi ushtarak i Rusisë drejt Ukrainës.

Sipas Aktit për Masat e Jashtëzakonshme, miratuar qysh në vitin 1988, një hetim për aplikimin e dispozitave të tij duhet të hapet brenda 60 ditëve nga anulimi. Sipas The Privy Council Office, zyra e cila koordinon aktivitetin e ministrive federale, hetimi pritet të fillojë më 25 prill. Raporti hetimor duhet të paraqitet para secilës nga dy dhomat e Parlamentit brenda 360 ditëve nga revokimi i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pra jo më vonë se 18 shkurti 2023.

Hetimet në përgjithësi përfshijnë marrjen e dëshmive, rishikimin e të dhënave dhe për të ndihmuar parlamentarët do të angazhohen dhe ekspertë. Prej muajit mars, ka nisur punën dhe komisioni i përbashkët i përbërë nga shtatë deputetë dhe katër senatorë, që përfaqësojnë secilin nga grupet parlamentarë, komision që do të mblidhet sërish javën e ardhshme.

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Tha Canadian Press/Adrian Wyld