Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 1 Maj 2022

Lennox Island

 

British Columbia, rizgjidhet deputet në Vancouver kreu i Partisë Liberale Kevin Falcon

Saskatchewan, Kryepeshkopi i Canterbery u kërkon falje autoktonëve në emër të Kishës Anglikane

New Brunswick, rekord historik i rritjes së çmimit të naftës dhe mazutit për ngrohje

Price Edward Island, Ura e Konfederatës do të riemërtohet Ura Epekwitk

Québec, marrëveshje e qeverisë me Federatën e Mjekëve për të ndihmuar qytetarët pa mjek familjeje

Ontario, homazh në Toronto për policët e rënë në krye të detyrës

 

British Columbia - Udhëheqësi Partisë Liberale të British Columbia, Kevin Falcon, fitoi dje zgjedhjet e pjesshme (30.04) në zonën elektorale Vancouver-Quilchena duke u rikthyer në parlamentin provincial. Përpara se të tërhiqej nga politika në vitin 2013 për arsye familjare, Kevin Falcon, aktualisht 59 vjeç, ka mbajtur disa poste qeveritare, përfshirë dhe atë të ministrit të Financave dhe zëvendëskryeministrit. Pas numërimit të të gjitha kutive të votimit, Falcon siguroi 58.61% të votave, me diferencë të ndjeshme nga kandidatja e Neodemokratëve, Jeanette Ashe (24,48%). Falcon pat përfaqësuar zonën Surrey-Cloverdale nga 2001 deri në 2012, në qeveritë liberale të Gordon Campbell dhe Christy Clark. Zgjedhjet e pjesshme u organizuan për shkat të dorëheqjes së ish-lidert liberal Andrew Wilkinson më 17 shkurt 2022.

Kevin Falcon

 

Saskatchewan - Kryepeshkopi i Canterbury Justin Welby, udhëheqësi shpirtëror anglikan, gjatë vizitës në komunitetin autokton James Smith Cree në lindje të Prince Albert, Saskatchewan, ka kërkuar falje dje (30.04) në emër të Kishës Anglikane për “lejimin e krimeve të tmerrshëm” që u kryen në shkollat ​​rezidenciale. Kleriku u takua me përfaqësues të komunitetit James Smith dhe Federatës së Komuniteteve Sovrane Autoktonë, që përfaqëson 74 komunitetet autoktonë të provincës Saskatchewan. Nga viti 1820 deri në vitin 1969, Kisha Anglikane administroi 30 shkolla rezidenciale në Kanada. Në vitet 1993 dhe 2019, ajo kërkoi falje për rolin e saj në këto shkolla si dhe ka paguar deri tani 15.7 milionë dollarë si kompensim ndaj viktimave.

 

New Brunswick - Çmimi i naftës dhe i mazutit për ngrohje u rrit me më shumë se 16 cent gjatë natës nga e premtja në të shtunën (29.04-30.04) në provincën e New Brunswick. Ky është niveli rekord që nga koha kur provinca miratoi Aktin e Çmimeve të Produkteve të Naftës në vitin 2006. Çmimi i një litri mazuti ngrohjeje është aktualisht 2,26 dollarë dhe ai i naftës është 2,46 dollarë. Prej të mërkurës, çmimi i naftës tashmë ishte rritur nga 2,15 dollarë në 2,24 dollarë, ndërsa mazuti pat shkuar nga 1,94 dollarë në 2,03 dollarë, ndërsa kostoja e benzinës së rregullt mbeti relativisht e qëndrueshme gjatë një periudhe shtatë ditore.

 

Prince Edward Island - Në mënyrë unanime deputetët e Asamblesë Legjislative të Prince Edward Island votuan një mocion të premten (29.04) për t’i kërkuar qeverisë federale ndryshimin e emrit të Urës së Konfederatës në Ura Epekwitk. Mocioni u paraqit nga Kryeministri Dennis King, në prani të shefes së Lennox Island, Darlene Bernard dhe senatorit Brian Francis. Në mocion theksohej se në fillim të viteve 1990, një komitet u ngarkua me dorëzimin e tre propozimeve për emrin tek qeveria federale për të emërtuar urën që lidh New Brunswick dhe Prince Edward Island. Pas konsultimeve, komiteti rekomandoi që ura e re të quhej Ura Abegweit,  Ura e Konfederatës ose Ura e Ngushticës së Northumberland. Në vitin 1996, Ottawa zgjodhi emrin Ura e Konfederatës, një gabim sipas kryeministrit Dennis King. Emri Epekwitk është emri origjinal i propozuar nga komunitetet Mi'kmaq që jeton në ishull, ndërsa emri Abegweit konsiderohet një term kolonial.

 

Québec - Qeveria Legault ka arritur një marrëveshje në parim me Federatën e Mjekëve të Përgjithshëm të provincës për të përmirësuar aksesin në sistem. Sipas kësaj marrëveshjeje, pacientët në listat e pritjes për një mjek familjeje do të regjistrohen gradualisht në grupet e mjekësisë familjare. Ministri i Shëndetësisë, Christian Dubé, pohoi në një intervistë për Radio-Canada se kjo marrëveshje do mundësojë që 500,000 qytetarë të Québec, ose gjysma e të gjithë atyre pa mjekë familjeje, të merren në ngarkim deri më 31 mars 2023. Sipas ministrit, marrëveshja do përmirësojë aksesin edhe për ata që e kanë një mjek familjeje, por që aktualisht nuk mund të marrin konsultë brenda një kohe të arsyeshme. Sipas parimit të aksesit të adaptuar, një pacient gjendja klinike e të cilit konsiderohet serioze, do ketë mundësi të vizitohet nga mjeku i tij i familjes ose një mjek tjetër, brenda 36 deri 72 orëve. Mjekët do jenë të detyruar të rezervojnë një pjesë të hapësirave të takimeve për nevoja urgjente në mënyrë që të zbatohet ky ndryshim praktike.

Christian Dubé

 

Toronto - Më shumë se një mijë oficerë policie u mblodhën sot (01.05) në Queen's Park në Toronto, për një ceremoni në nderim të të rënëve në krye të detyrës. Ceremonia përkujtimore, tashmë në vitin e 23-të, u realizua në shesh pas një ndërprerje dy vjeçare për shkak të pandemisë. Të pranishëm ishin Kryeministri i Ontarios Doug Ford, lejtënant-guvernatorja Elizabeth Dowdeswell dhe familjarë të të rënëve. Organizator i eventit është Ontario Police Memorial Foundation. “Sot është një ditë zie, një ditë reflektimi, një ditë inkurajimi dhe mbështetjeje, por mbi të gjitha, sot është një ditë mirënjohjeje. Ne u jemi shumë mirënjohës 272 oficerëve emrat e të cilëve janë të gdhendur në murin e nderit këtu pas meje. Ne u jemi mirënjohës atyre që iu përgjigjën thirrjes për të shërbyer”, deklaroi para të pranishmëve presidenti i fondacionit Jason Tomlinson.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Tourisme Charlevoix; Tourisme Prince Edward Island;