Aktualitet

Debati për kreun Konservator, Charest sulmon kamionistët njëlloj si Trudeau

I konsideruar si jo zyrtar, debati i sotëm (05.05) në anglisht mes aspirantëve për kreun e Partisë Konservatore të Kanadasë, u mbajt në Qendrën Shaw në Ottawa, si prolog i Konferencës së 14-të të Canada Strong & Free Network i njohur dikur si Manning Center, në kujtim të Preston Manning, themeluesit të Partisë Reformiste të Kanadasë.

Moderimin e bëri Candice Malcolm, kryeredaktore e platformës mediatike të djathtë True North dhe animatori i radios Jamil Jivani, i cili në ditët në vijim do të bëhet president i Canada Strong & Free Network.

Të pranishëm në debat kanë qenë 5 nga 6 kandidatët: Pierre Polievre, Jean Charest, Leslyn Lewis, Scott Atchinson dhe Roman Barber. Kryetari i Bashkisë Brampton, Patrick Brown, ka preferuar të vazhdojë takimet në terren në kërkim të mbështetësve.

Veçohen nga debati i sotëm replikat mes Pierre Poilievre dhe Jean Charest. I pari, deputet prej vitit 2004 dhe dy here minister në qeverinë e Stephen Harper, konsiderohet deri tani si favorit në garë dhe mbështetet nga 52 deputetë konservatorë, katër herë më shumë se Charest. Ky i fundit, e ka shigjetuar Poilivre për mbështetjen ndaj kamionistëve duke logjikuar njëlloj si kryeministri Trudeau. Për Charest protesta ka qenë një demonstrim i paligjshëm. Kjo deklaratë madje provokoi reagime dhe fishkëllima te një pjesë e të pranishmëve.

Pierre Polievre i ka kujtuar Jean Charest që Partia Liberale e Québec pranoi donacione të paligjshme prej gjysmë milioni dollarësh kur Charest ishte lider i saj dhe kryeministër. “Cilido kamionist i zakonshëm ka shumë më tepër integritet se i gjithë kabineti juaj i ministrave liberalë”, ka deklaruar Poilievre.

Gjashtë kandidatët do marrin pjesë në debatet zyrtare të Partisë Konservatore Kanadeze që do zhvillohen më 11 maj në Edmonton (në anglisht) dhe më 25 maj në Laval (në frëngjisht).

©Flasshqip.ca

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld