Aktualitet

Vizitë surprizë e kryeministrit Trudeau në Kiev, rihapet Ambasada e Kanadasë

Pas një përgatitje në fshehtësi të plotë, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka zhvilluar sot një vizitë suprizë ne Ukrainë dhe është takuar në Kiev me presidentin ukrainas Volodymir Zelenzky. Kreu i qeverisë kanadeze e ka akuzuar sërish presidentin rus Vladimir Putin për krime lufte dhe ka njoftuar akordimin e një ndihme ekonomike shtesë për Ukrainën e cila prej 74 ditësh po përballet me sulmin ushtarak të ushtrisë ruse.

Gjatë konferencë së përbashkët për shtyp është njoftuar dërgimi i një sasie tjetër pajisjesh ushtarake, armësh të lehta dhe municionesh si dhe heqja e tarifave doganore per importet ukrainase në Kanada.  Ndihma shtesë ushtarake arrin shifrën 50 milionë dollarë. Me një shumë totale prej 1,5 miliard dollarë, Kanadaja renditet e dyta pas SHBA për sa i takon ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës. Ndërkohë, 25 milionë dollarë të tjerë do të jepen si kontribut për Programin Botëror të Ushqimit për të garantuar sigurinë ushqimore në Ukrainë.

Gjatë vizitës së sotme, Trudeau shoqërohej nga zëvendësja e tij Chrystia Freeland dhe ministrja e Jashtme Mélanie Joly. Ai ka vizituar gjithashtu qytetet Boutcha dhe Irpin si dhe ka njoftuar rihapjen e Ambasadës Kanadeze në Kiev ku sot është rikthyer dhe ambasadorja Larisa Galadza.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada; Getty Images/Sergei Supinsky