Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 8 maj 2022

 

Northwest Coast Hall, Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore - New York

 

Objekte autoktonë nga British Columbia do ekspozohen në New York

Alberta, tregu imobiliar i Calgary tërheq blerës nga jashtë provincës

Saskatchewan, zonat e veriut të rrezikuara nga përmbytjet

New Brunswick dhe Nova Scotia do organizojnë Botërorin e hokej për të rinj

Québec, kandidati për kreun e Partisë Konservatore Pierre Poilievre takon mbështetësit në Lévis

Ontario, vazhdon fushata elektorale për zgjedhjet provinciale

 

Vancouver - Një sallë tërësisht e ridizajnuar kushtuar objekteve dhe artefakteve kulturorë autoktonë nga bregu veriperëndimor i Paqësorit do të rihapet për publikun të premten, më 13 maj, në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore në New York. Projekti i restaurimit të sallës filloi në vitin 2018 me objektiv një paraqitje sa më të plotë të kulturave të popujve autoktonë të këtij rajoni që përfshin British Columbia, Alaska dhe Washington State. Artisti dhe historiani Nuu-chah-nulth, Ron Hamilton i komunitetit Hupacasath të ishullit Vancouver, është një nga bashkëkuratorët e sallës, e cila njihet me emrin Salla e Bregut Veriperëndimor. I njohur si Haa'yuups, Ron Hamilton ndihmoi në projektimin, pasurimin dhe interpretimin e sallës që ai shpreson se mund të pasqyrojë këtë realitet që ka një mënyrë tjetër të menduari për botën rreth nesh. Salla përbëhet nga një seri kthinash që paraqesin kulturën materiale të 10 komuniteteve autoktonë të Bregut Veriperëndimor të Paqësorit. Bashkëkuratorë të tjerë vijnë nga komunitetet Salish, Gitxsan dhe Haida. Sipas muzeut, në galeri do ekspozohen më shumë se 1000 objekte, duke përfshirë një kanoe të madhe gati 20 metra të gjatë si dhe skulptura deri në 5 metra të larta.

 

Ron Hamilton

Calgary - Agjentët e pasurive të paluejtshme në Calgary konstatojnë së fundi një rritje të blerjes së pronave nga blerës jashtë Alberta, përfshi Ontario dhe British Columbia. Këta blerës synojnë të investojnë në pasuri të paluejtshme ose të vendosen me banim aty. “Shumë klientë me të cilët punoj vijnë tek ne përmes faqes sonë të internetit dhe 40 deri në 50 përqind e tyre janë nga jashtë provincës”, i ka deklaruar Radio-Canada Adam Sharek, agjent imobiliar i kompanisë CIR Realty. Kjo tendencë duket se është shfaqur në muajt e fundit të 2021 dhe sipas Bordit të Pasurive të Paluejtshme të Calgary, numri i pronave të shitura në Calgary është 40 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Po kështu, koha mesatare që duhet për të shitur një shtëpi ka rënë që nga viti 2021 dhe numri i pronave për shitje në qytet është 71 përqind më i lartë se në vitin 2020. Sipas qeverisë së Alberta, 3451 individë nga provincat e tjera u vendosën në Alberta në tremujorin e fundit të 2021 dhe 9489 të tillë erdhën nga jashtë Kanadasë. Sipas Shoqatës Kanadeze të Pasurive të Paluejtshme, çmimi mesatar i një shtëpie në Calgary në mars 2022 ishte 503,000 dollarë, ndërsa në Toronto dhe Vancouver 1.3 milion dollarë.

 

Saskatchewan - Environment Canada ka paralajmëruar që shirat e shumtë në veri të Saskatchewan mund të shkaktojnë përmbytje në zonat e ulëta gjatë gjithë ditës së sotme (08.05), sidomos në rajonet Cree Lake, Stony Rapids, Pelican Narrows, Southend dhe Wollaston Lake. Sasia e reshjeve mund të shkojë nga 10 deri në 20 milimetra për një total prej 25 deri në 35 milimetra për gjithë fundjavën. Agjencia federale e motit, ka theksuar se toka ende është e ngrirë çka shkakton vështirësi në thithjen e këtyre reshjeve. Për këtë arsye banorët janë këshilluar që t'i kushtojnë vëmendje rritjeve të mundshme të nivelit të ujrave pranë lumenjve, përrenjve dhe kanaleve. Probleme u raportuan qysh sot në mëngjes në autostradën 905 në veri të Southend, e cila lidh veriun e provincës me pjesën tjetër të Saskatchewan, ndërsa kryqëzimi i autostradës 102 në drejtim të lumit Wathaman u mbyll për shkak të përmbytjeve.

 

 

Moncton, Halifax - Pas përjashtimit të Rusisë si vend organizator për shkak të sulmit në Ukrainë, njoftohet se dy qytetet më të mëdha të provincave kanadeze të Atlantikut, Moncton (NB) dhe Halifax (NS) janë caktuar si mikpritës të Kampionatit Botëror të Hokejit për të rinjtë në dhjetorin e ardhshëm. “Është një përzgjedhje e favorshme për të gjitha palët”, deklaroi të premten (06.05) kryebashkiakja e Moncton, Dawn Arnold, 24 orë pasi Hockey Canada miratoi ofertën e përbashkët të dy qyteteve për organizimin e turneut prestigjioz. Kampionati do të zhvillohet nga data 26 dhjetor deri më 5 janar 2023. Sipas Dawn Arnold, kjo është një periudhë e shkëlqyer e vitit për të promovuar qytetin e saj dhe për të bindur njerëzit që të marrin në konsideratë si opsion pushimet në Moncton verën e ardhshme. Kryetari i bashkisë së Halifax, Mike Savage, vizitoi gjithashtu Moncton të premten për t'u takuar me homologen e tij. Dëshira e tij është që restorantet, baret dhe hotelet e kryeqytetit të Nova Scotia të përfitojnë sa më shumë ekonomikisht nga organizimi i aktivitetit.

 

Dawn Arnold dhe Mike Savage - Centre Avenir, Moncton

Lévis - Kandidati për kreun e Partisë Konservatore, Pierre Poilièvre, e ka vazhduar fushatën e tij në provincën frankofone gjatë fundjavës në rajonin Chaudière-Appalaches. Pas një vizite në Beauce të premten (06.08), ai u takua me mbështetësit e tij të shtunën (07.08) në Lévis. Deputeti i Carleton-Ontario dhe ish-ministër i qeverisë Harper, mbajti një fjalim në Convention Center të bashkisë para rreth 300 pjesëmarrësve që e kanë pritur atë me brohoritje entuziaste. Tema e lirisë ka qenë tema dominante e fjalimit duke u vënë theksi te kufizimet e vendosura nga qeveria Trudeau gjatë pandemisë, sikurse dhe ekonomia dhe inflacioni i lartë që ai tashmë e ka emërtuar Justinflation. Në fushatën e tij për kreun e partisë, Pierre Poilievre ka marrë edhe mbështetjen e deputetit të Charlesbourg-Haute-Saint-Charles, Pierre Paul-Hus. Ky i fundit, i pranishëm në takimin e mbrëmshëm në Lévis, e shfaqi publikisht mbështetjen e tij ndaj Poilievre qysh nga fundi i prillit.

 

Pierre Polievre

Ontario - Në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet provinciale në Ontario, liderët e katër partive kryesore kanë vazhduar takimet në kërkim të mbështetjes në favor të alternativave përkatëse. Të shtunën (07.08), Steven Del Duca, kreu i Liberalëve, shkoi në Ottawa për të folur për arsimin dhe COVID-19, ndërsa kryeministri Doug Ford udhëtoi drejt Ontario-s Veriore për të premtuar investime në infrastrukturë. Nga ana e saj, Andrea Horwath, liderja e Neodemokratëve, e vazhdoi fushatën në Bowmanville ku shpalli strategjinë e partisë së saj për përmirësimin e performancës energjitike të ndërtesave, ndërsa shefi i Partisë së Gjelbër, Mike Schreiner, e kaloi ditën në Guelph.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore New York;