Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 22 maj 2022

 

 

British Columbia, akordohen 100 milionë dollarë për kanadezët me origjinë japoneze të internuar gjatë Luftës së Dytë Botërore

Alberta, kyeministri Jason Kenney nuk do rikandidojë për kryetar të Partisë së Bashkuar Konservatore

Manitoba, David Chartrand rizgjidhet në krye të Federatës së Metisëve të provincës

New Brunswick, motoçiklistët manifestojnë për kauzën e shëndetit të meshkujve

Prince Edward Island, rritet tarifa e tragetit që kryen transportin nga ishulli në kontinent

Stuhi të fuqishme në Québec dhe Ontario, 10 vetë humbën jetën, në qindramijëra banesa u ndërpre energjia elektrike

 

British Columbia - Qeveria e British Columbia ka akorduar një fond prej 100 milionë dollarësh për të ndihmuar të mbijetuarit japonezo-kanadezë që u dërguan në kampet e internimit të British Columbia gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo iniciativë që u bë publike të shtunën (21.05) nga Kryeministri i provincës John Horgan, do të financojë në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Kanadezëve me origjinë Japoneze programe shëndetësore dhe përmirësimi të kushteve të jetesës për të mbijetuarit. Gjithashtu do të restaurohen objekte të trashëgimisë kulturore japoneze si dhe do të ndërtohet një monument përkujtimor. Po kështu, do të përditësohet kurrikula shkollore e lëndës së historisë për ta bërë të njohur këtë kapitull të errët të së kaluarës. Vendimi përkon me 80-vjetorin e njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kanadasë të 26 shkurtit 1942, sipas të cilit, të gjithë “armiqtë e huaj japonezë” do të evakuoheshin më shumë se 160 kilometra nga bregu perëndimor kanadez. Më 21 maj 1942, mbi 90% e kanadezëve me origjinë japoneze me banim në British Columbia, u zhvendosën në kampet e internimit larg bregut, në Greenwood, Kaslo, New Denver, Slocan City dhe Sandon. “Ne ishim të burgosur në vendin tonë”, ka pohuar për Radio-Canada Aki Horii, një nga të mbijetuarit. Internimi masiv u krye në zbatim të urdhrit ekzekutiv të Ligjit të Masave të Luftës, miratuar pas sulmit të Japonisë mbi bazën amerikane në Pearl Harbor më 1941. Pronat e të internuarve gjithashtu u konfiskuan dhe qeveria kanadeze nxori në shitje çdo gjë që u përkiste atyre, si anije peshkimi, dyqane, ferma dhe shtëpi, shpesh me çmim të ulët. Pas përfundimit të luftës, kanadezët me origjinë japonezë u lejuan të largoheshin nga kampet, por nuk u lejuan të ktheheshin në Bregun Perëndimor deri në vitin 1949.

 

 

Alberta - Kryeministri i Alberta-s, Jason Kenney, njoftoi të shtunën (21.05) gjatë një interviste radiofonike se nuk do të rikandidojë serish për t’u rizgjedhur kryetar i Partisë së Bashkuar Konservatore. Kjo deklaratë pason vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen si lider i partisë dhe kryeministër, edhe pse e fitoi provën e votëbesimit vetëm me pak më shumë se 51% të mbështetjes së anëtarëve të partisë së tij që votuan përmes postës. Kenney pohoi se kjo mbështetje ishte e pamjaftueshme për të vazhduar në rolin e liderit. Ai pranoi se priste më shumë mbështetje, bazuar në takimet dhe diskutimet që realizoi në të gjithë provincën përpara votimit. Megjithatë, ai pohoi se u ndje i lehtësuar kur u njoh me rezultatet dhe beson se pas largimit nga politika do të ketë shansin të realizojë disa synime që i kish lënë mënjanë prej disa vitesh.

Jason Kenney

Manitoba - Sipas një deklarate për shtyp të Federatës së Metisëve të provincës Manitoba, presidenti aktual David Chartrand, është riemëruar me konsensus në krye të saj për një mandat të tretë radhazi. David Chartrand e kryeson Federatën që nga viti 1997. Për herë të parë me konsensus u zgjodhën edhe 21 anëtarët e kryesisë, ka pohuar drejtori i Zgjedhjeve të Federatës, David Grey. Vetëm të regjistruarit në Regjistrin e Qytetarëve Metisë kishin të drejtë të votonin kësaj radhe, qysh pas ndryshimeve të miratuara në kushtetutën e Federatës në mars 2022. Më shumë se 2000 qytetarë që jetojnë jashtë Manitoba-s mundën të marrin pjesë gjithashtu në këto zgjedhje përmes fletëvotimit të dërguar me postë. Nominimet u dorëzuan më 3 maj dhe votuesit kishin shtatë ditë për të kundërshtuar çdo kandidaturë.

David Chartrand

New Brunswick - Një paradë shumë e veçantë u zhvillua të dielën (22.05) në Shediac të provincës New Brunswick. Të apasionuarit pas motoçikletave u mblodhën në parkun “Pascal-Poirier” dhe më pas parakaluan nëpër rrugët e qytetit në kuadër të iniciativës “The Distinguished Gentleman's Ride”. Kjo paradë me motor në grup ka për qëllim mbledhjen e donacioneve për kauza që lidhen me shëndetin e meshkujve. Iniciativa ka nisur për here të parë në Australi në vitin 2012, ndërsa ky është viti i dytë që eventi zhvillohet në rrugët e Shediac. Deri më sot mbi 40 milionë dollarë janë mbledhur në mbarë botën përmes iniciativës “Distinguished Gentleman's Ride”. Fondet derdhen në favor të Fondacionit Movember, që i shpërndan ato për bamirësi. Parada të ngjashme u zhvilluan në të njëjtën ditë në Moncton e Bathurst, si dhe në Halifax të Nova Scotia.

 

Prince Edward Island - Gjatë sezonit të sivjetshëm veror, drejtuesit e automjeteve që do të marrin tragetin e Kompanisë Northumberland Ferries midis Prince Edward Island dhe Nova Scotia, do të paguajnë një tarifë shtesë prej 10 dollarësh për të mbuluar çmimet në rritje të karburantit. Duke marrë parasysh rritjen e tarifës prej 2% të vendosur vitin e kaluar, kostoja totale e kalimit për çdo automjet do të jetë 94 dollarë duke filluar nga 1 qershori. Shpenzimet për karburantin përfaqësojnë koston kryesore të operimit të tragetit dhe padyshim që konsumatorëve do t’u duhet të përballojnë një pjesë të kësaj kostoje, ka pohuar zv. presidenti i kompanisë Don Cormier. Sipas tij, do të jetë gjithmonë e mundur të eliminohen këto kosto shtesë nëse çmimi i karburantit bie ndjeshëm. Aktualisht, tarifat janë 84 dollarë për veturat dhe 44 dollarë për motoçikletat.

 

Ontario, Québec - Shumë banorë të provincave Québec dhe Ontario janë ende pa energji elektrike në banesat e tyre pas stuhive të fuqishme të kësaj fundjave që shkaktuan edhe vdekjen e dhjetë personave. Të dielën (22.05), rreth orës 19:30, 283,715 klientë të Hydro-Québec ndodheshin ende të zhytur në errësirë, kryesisht në zonat Outaouais, Lanaudières dhe Laurentides. Të shtunën (21.05), në kulmin e stuhisë, 550 mijë konsumatorë u privuan nga energjia elektrike. Në Ontario stuhia ndërpreu energjinë për 227,991 klientë të Hydro One dhe për 170,000 të tjerë të Hydro Ottawa.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada