Aktualitet

Kanada - Kryeministri i British Columbia John Horgan njofton dorëheqjen

Dje (28.06) menjëherë pas një mbledhjeje të kabinetit qeveritar të zhvilluar në Vancouver, kryeministri i provincës British Columbia, John Horgan, ka njoftuar se në vjeshtë do të dorëhiqet nga posti që mban. Ai do të qëndrojë në detyrë gjatë kësaj periudhe derisa New Democratic Party (NDP) të zgjedhë një drejtues të ri. Gjithashtu Horgan ka pohuar se do ta përfundojë mandatin e tij si deputet, por nuk do të kandidojë më në zgjedhjet e ardhshme provinciale të vitit 2024, duke siguruar në të njëjtën kohë se nuk do të angazhohet aspak për të ndikuar në zgjedhjen e liderit të ardhshëm të partisë.

62 vjeçari John Horgan e mori detyrën e kryeministrit të provincës së Pacifikut në vitin 2017, ndërsa në zgjedhjet e parakohshme të tetorit 2020, në mes të pandemisë, ai dhe partia e tij arritën të sigurojnë shumicën e vendeve në Parlament. Vendimi i tij duket se është ndikuar sidomos nga problemet shëndetësorë më të cilat ai është përballur sërish kohët e fundit, pas konstatimit të një kanceri në fyt, sëmundje për të cilën u trajtua dhe tashmë është në fazën e rikuperimit të plotë.

John Horgan është deputet i zonës elektorale Langford-Juan de Fuca në Vancouver që nga viti 2005. Ai pasoi në drejtimin e NDP Adrian Dix, në vitin 2014, pasi partia humbi në zgjedhjet provinciale të 2013.

Horgan, një ndër kryeministrat provincialë më popullorë të Kanadasë dhe me një stil komunikimi shumë të veçantë e karakter ku bie në sy modestia, e drejtoi British Columbia-n në periudhën shumë të vështirë të pandemisë, por edhe të përmbytjeve. Në 11 dhe 12 korrik, në rolin e kryesuesit, ai do të drejtojë mbledhjen e Këshillit të Federatës, që përbehët nga kryeministrat e 13 provincave dhe territoreve, mbledhje që është parashikuar të zhvillohet në Victoria dhe që do të ketë për temë kryesore transfertat në fushën e shëndetësisë.

John Horgan ka lindur (07.08.1959) dhe është rritur në Victoria, kryeqyteti i British Columbia. Ai është diplomuar Bachelor of Arts (1983) në Trent University të Peterborough Ontario e më pas Master në Histori pranë University of Sidney, Australi. Përpara zgjedhjes deputet ai pat punuar fillimisht si asistent legjislativ në Ottawa e më pas pat ushtruar detyra të ndryshme në administratën e provincës British Columbia, ndër të tjera edhe shef i Kabinetit të kryeministrit Dan Miller dhe zv. minister i asociuar i Financave për projektet në fushën e energjisë.

Menjëherë pas njoftimit të John Horgan për dorëheqjen si kryeministër dhe lider i NDP, në media janë cituar emrat e Melanie Mark, Selina Robinson, Ravi Kahlon, David Eby, Mike Farnworth dhe Adrian Dix, si kandidatë potencialë për zëvendësimin e tij.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: CBC/Mike McArthur