Java Kanadeze - Lajme shkurt 3 korrik 2022

1000 Islands - Kingston ON
British Columbia, rihapet linja hekurudhore e pasagjerëve Vancouver-Seattle
Alberta, qeveria provinciale përgatit planin kundër inflacionit
Saskatchewan, nesër mbërrijnë në Regina 230 refugjatë ukrainas
New Brunswick, Air Canada anulon një numër fluturimesh në Moncton dhe Bathurst
Nova Scotia, në Halifax zhvillohet për herë të parë një ceremoni hibride për marrjen e shtetësisë
Québec, pritet hapja në Montréal e një qendre të NATO-s për ndryshimet klimatike
Ontario, ekipi kanadez i basketbollit fiton në Hamilton ndaj Republikës Domenikane
British Columbia - Pas më shumë se dy vjetësh ndërprerje, shërbimi hekurudhor i pasagjerëve mes Vancouver dhe Seattle do të rifillojë në shtator, dy muaj përpara afatit të njoftuar më parë. Lajmi u bë publik përmes Twitter nga agjencia e transportit AMTRAK, të premten (01.07) gjatë festimeve të Canada Day. Asnjë tren pasagjerësh nuk e ka kaluar kufirin British Columbia-Uashington që nga fillimi i pandemisë në mars 2020. AMTRAK pat sjellë si argument për vonesat në rifillimin e shërbimit mungesën e personelit të kualifikuar. Përpara pandemisë, rreth 159,000 pasagjerë udhëtonin çdo vit me tren midis Seattle dhe Vancouver. Për momentin, Amtrak do të ofrojë vetëm një udhëtim në ditë dhe do të vlerësojë mundësinë e një të dyti në varësi të kërkesës.
Alberta - Kryeministri i Alberta-s, Jason Kenney, deklaroi në një intervistë radiofonike të shtunën (02.07) që Partia Konservatore e Bashkuar do të publikojë javën e ardhshme detajet në lidhje me masat shtesë për të ndihmuar qytetarët të përballojnë inflacionin e lartë, pa dhenë më shumë sqarime mbi natyrën e ndihmës që po shqyrtohet. Ndërkohë, në fillim të kësaj jave, Ministri i Financave Jason Nixon njoftoi një sufiçit prej 3.9 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2021-2022 dhe pohoi gjithashtu se një nga prioritetet e qeverisë do jetë gjetja e mënyrave për t’i ndihmuar albertanët t’u përshtaten situatës së çmimeve në rritje. Alberta ka pezulluar tashmë mbledhjen e taksës së karburantit dhe së shpejti pritet edhe një zbritje prej 150 dollarësh për tarifat e energjisë elektrike. Sipas kryeministrit Kenney, disa faktorë po kontribuojnë në rritjen e inflacionit, duke përfshirë politikën monetare federale, deficitet e mëdha dhe rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Jason Kenney
Saskatchewan - Komuniteti ukrainas në Saskatchewan po përgatitet të mirëpresë refugjatët që do të mbërrijnë në Regina nesër pasdite (04.07) me një fluturim çarter të financuar nga qeveria provinciale. 230 refugjatët do nisen nga Polonia. Taras Kachkowski, banor i Prince Albert, me origjinë nga Ukraina dhe i lindur ne Saskatoon, i ka deklaruar Radio-Canada se Kongresi Ukraino-Kanadez është gjithmonë në kërkim të ndihmës për të mirëpritur refugjatët ukrainas. Kjo ndihmë mund të marrë forma të ndryshme si donacione materiale ose monetare. Organizata në fjalë është angazhuar t'i asistojë refugjatët pas mbërritjes në Kanada, për kryerjen e procedurave administrative për marrjen e kartës së sigurimit shëndetësor, për t'u siguruar atyre punësim ose për t'i ndihmuar në punëkërkim.
Taras Kachkowski
New Brunswick - Duke filluar nga ky muaj, kompania ajrore Air Canada ka vendosur të pezullojë disa fluturime drejt Moncton dhe Bathurst në New Brunswick. Qëllimi i kësaj mase është rialokimi i burimeve në qendrat aeroportuale kryesore të vendit, të prekura nga mungesa e fuqisë punëtore. Për shembull, në Aeroportin Ndërkombëtar të Greater Moncton Roméo LeBlanc, numri i fluturimeve të Air Canada për në Montreal nga 93 në muaj do reduktohet në 62, ndërsa në Aeroportin Rajonal Bathurst, lidhjet me Montrealin nga 31 do reduktohen në 18. Reduktimi në New Brunswick, kryesisht ka lidhje me gjendjen në aeroportet e Toronto-s dhe Montréal-it, ku radhët e gjata në sportelet e linjave ajrore, në ato të kontrollit të sigurisë dhe doganave kanë krijuar situata të pakëndshme.
Nova Scotia - Në Ditën e Kanadasë (01.07) në Halifax të Nova Scotia u zhvillua e para ceremoni simultane hibride në rang vendi, nga një oqean në tjetrin, për kryerjen e betimit për marrjen e shtetësisë kanadeze. Gjatë saj u betuan 49 shtetas të rinj kanadezë, një pjesë në sheshin para godinës Queen’s Marque, ndërsa pjesa tjetër që shihej përmes një ekrani gjigand virtualisht. Sipas gjyqtares së shtetësisë Rania Sfeir, edhe ajo dikur imigrante, zgjedhja e qytetit Halifax si vend për ceremoninë nuk ishte e rastësishme. Moli 21 në Halifax, një ish- terminal detar, ka qenë porta e hyrjes në Kanada për më shumë se një milion emigrantë midis viteve 1928 dhe 1971. Kjo ceremoni betimi për marrjen e nënshtetësisë ishte gjithashtu e para që u mbajt në publik pas më shumë se dy vjet kufizimesh. Ministri federal i Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë Sean Fraser ishte gjithashtu prezent në ketë eveniment që u transmetua edhe përmes internetit.
Sean Fraser (në mes) Rania Sfeir (e para majtas)
Québec - Në Montréal parashikohet të krijohet Qendra e re e Ekselencës së NATO-s për Ndryshimet Klimatike dhe Sigurinë. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) e pranoi zyrtarisht propozimin e Kanadasë (të paraqitur qysh një vit më parë në qershor 2021) gjatë samitit që u zhvillua ditët e fundit në Spanjë, ku ndodhej i pranishëm dhe kryeministri Justin Trudeau. Sipas qeverisë kanadeze, “NATO ka një rol parësor për të luajtur në adresimin e ndryshimeve klimatike, të cilat paraqesin sfida unike për aktorët ushtarakë dhe agjencitë e ngarkuara me ruajtjen e sigurisë dhe Qendra e ekselencës do t'u mundësojë aktorëve ushtarakë dhe civilë të zhvillojnë, përmirësojnë dhe bashkojnë njohuritë e tyre lidhur me ndikimet e ndryshimeve klimatike në aspektin e sigurisë”. Krijimi i Qendrës së Ekselencës për Ndryshimet Klimatike dhe Sigurinë, është një nismë e bashkërenduar nga Global Affairs Canada dhe Department of National Defence.
Ontario - Ekipi kombëtar kanadez i basketbollit, mundi Republikën Domenikane me rezultatin 95-75, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, që u zhvillua të shtunën (02.07) në Hamilton. Kanadaja deri tani ka realizuar 5 fitore pa pësuar asnjë humbje. Pas gjashtë vitesh, Shai Gilgeous-Alexander luajti ndeshjen e tij të parë ndërkombëtare dhe të parën në vendlindjen e tij që nga koha e shkollës së mesme. Para një publiku prej 6000 vetësh, lojtari kanadez shënoi 15 nga 32 pikët e tij në pjesën e tretë të takimit. Ne e fituam ndeshjen dhe kjo është më e rëndësishmja, ka reaguar 23-vjeçari. Nga ana e tyre, Kelly Olynyk dhe Nickeil Alexander-Walker kontribuan secili me nga 17 pikë në fitore. Kanadaja do të luajë ndeshjen e fundit të fazës së tretë kualifikuese kundër U.S. Virgin Islands, ekip që ende nuk e ka provuar shijen e fitores. Gjatë kësaj faze, e treta nga gjashtë fazat kualifikuese, Kanadaja pati mundësi për herë të parë të ketë në përbërje të ekipit katër lojtarë nga NBA. Ekipi nuk arriti të kualifikohej në Lojërat Olimpike të Tokios dhe trajneri i kombëtares, Nick Nurse, kësaj herë u ka kërkuar lojtarëve që të angazhohen zyrtarisht për tre vjet deri në Lojërat e vitit 2024, në Paris. Tri fazat e fundit kualifikuese do të zhvillohen në gusht, nëntor dhe shkurt 2023. Faza kualifikuese e Kupës së Botës bashkon 80 vende, të ndara në katër rajone gjeografike. Tetë ekipe nga zona e Amerikës do të kualifikohen për Kupën e Botës 2023. Kupa e Botës është turneu kualifikues për Olimpiadën 2024.
Shai Gilgeous-Alexander
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press/Agence France-Presse