Kanadaja ratifikon protokollet e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës
Kanadaja ishte sot (05.07) vendi i parë që ratifikoi protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO. “Të dy vendet po bëjnë një hap të ri drejt statusit të anëtarit me të drejta të plota”, pohoi në një deklaratë zyra e kryeministrit Justin Trudeau. Menjëherë pas këtij lajmi u bë e ditur që edhe 29 vendet e tjerë anëtarë ndoqën shembullin e Kanadasë.
Kësisoj Finlanda dhe Suedia kaluan në një stad tjetër drejt bashkimit me bllokun perëndimor brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut. Protokollet e miratuara nga qeveritë tashmë duhet të ratifikohen edhe nga parlamentet përkatës, pasi unanimiteti është kusht, një procedurë kjo, që sipas Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës Jens Stoltenberg, duhet të zgjasë disa muaj. Në një konferencë për shtyp, ai kujtoi se vendit të fundit kandidat para Finlandës dhe Suedisë, Maqedonisë së Veriut, iu deshën gjithsej 12 muaj për të marrë të gjithë miratimet e nevojshme për t'iu bashkuar aleancës.
Ndërkohë, Turqia duket se vazhdon të luajë ngriva shkriva. Në samitin e fundit të NATO-s në Madrid, presidenti turk Rexhep Erdogan arriti një marrëveshje me Suedinë dhe Finlandën, marrëveshje e cila përmban disa kushte. Turqia kërkon ndër të tjera ekstradimin e aktivistëve kurdë, të cilët synon t'i gjykojë në territorin e saj me akuzën e terrorizmit, por menjëherë pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje, Erdogan përsëri paralajmëroi se Ankaraja mund të bllokojë procesin e anëtarësimit nëse dy vendet kandidatë nuk do t'i përmbushin kërkesat e tij.
Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Tijana Martin












