Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 10 korrik 2022

Percé Rock - Gaspe Québec

 

Kanadaja do t’ia kthejë turbinat e riparuara gjigantit rus Gazprom

Trudeau kërkon falje për segregacionin ndaj ushtarëve black në Luftën e Parë Botërore

Anulohet pezullimi i RoseAnne Archibald, kreut të Asamblesë së Popujve Autoktonë

Tre të arrestuar në Montréal për pastrimin e 18 milionë dollarëve nga trafiku i drogës

Autoktonët synojnë organizimin e Lojrave Olimpike 2030 në Vancouver

Parada tradicionale Stampede Calgary nis nën drejtimin e aktorit të famshëm Kevin Costner

Estevan, monument përkujtimor për 21 pilotët kanadezë që humbën jetën më 1946

Newfoundland, kryeministri angazhohet personalisht për rekrutimin e mjekëve

Ottawa, një vepër kushtuar kujtimit të Nelson Mandelës

Toronto, familja e një personi të vrarë nga policia reklamon 101 milionë dollarë

 

Ottawa - Edhe pse Ukraina ka kundërshtuar zyrtarisht, Kanadaja ka vendosur t’ia kthejë Gazprom turbinat që po riparohen në një uzinë të Siemens në Montréal. Sipas ministrit federal të Burimeve Natyrore, Jonathan Wilkinson, përjashtimi nga sanksionet do bëhet sepse këto pajisje i shërbejnë furnizimit me gaz të Gjermanisë dhe janë të domosdoshme për mirembajtjen e gazsjellësit Nord Stream 1. Vendimi i qeverisë Trudeau lidhur me këtë çështje, duket se nuk përkon me deklaratën e mëparshme të ministrit Wilkison, sipas të cilit do gjendej një zgjidhje e pranueshme nga të dy palët, Gjermania dhe Ukraina.

 

Truro (NS) - Në emër të qeverisë kanadeze, në një ceremoni që u zhvillua dje (09.07) në Truro të Nova Scotia, kryeministri Justin Trudeau u ka kërkuar falje për segregacionin racial dhe vuajtjet, pasardhësve të ushtarëve të Batalionit II të Ndërtimit, njësi ushtarake e përbërë nga ushtarë lëkurëzinj, e dërguar në Europë (Francë) gjatë Luftës së Parë Botërore në vitin 1917. Ndër të tjera, ata udhëtuan drejt Europës me një anije të veçantë, veçmas nga të bardhët, nuk u lejuan të marrin pjesë në luftime dhe kur u kthyen nuk u pritën si heronj. Batalioni II i Ndërtimit u formua më 5 korrik 1916 në Pictou, Nova Scotia e më pas u stërvit në Truro, ku u zhvillua ceremonia e djeshme. Shumica e ushtarëve të batalionit ishin nga kjo provincë. Gjatë misionit në Francë, ata u morën me hapje rrugësh dhe me furnizim lënde drusore për forcat aleate.

 

Vancouver - Pas pezullimit nga Komiteti Ekzekutiv më 17 qershor 2022, për shkak të një hetimi lidhur me një konflikt me personelin e zyrës së saj, shefja e Asamblesë së Popujve Autoktonë të Kanadasë, e para grua e zgjedhur në këtë post, RoseAnne Archibald, ka arritur një fitore politike, duke marrë mbështetje përmes një rezolute që u miratua këtë javë në mbledhjen 4 ditore që u zhvillua në Vancouver. Rezoluta e votuar të enjten (07.07) mori 148 vota pro, 50 kundër dhe 18 abstenime. Rastësi apo jo, firma Deloitte paraqiti në asamble, pak para fillimit të diskutimeve, rezultatin e auditimit të financave të organizatës. Sipas firmës së auditimit, situata financiare pas auditimit korrespondon me standardet kanadeze në këtë fushë. Asambleja, e themeluar më 1982, është organizata më e rëndësishme politike në rang Kanadaje që përfaqëson interesat e rreth 900,000 qytetarëve me origjinë autoktone.

RoseAnne Archibald

Montréal - Tre persona janë arrestuar nga Xhandarmëria Mbretërore të martën e kaluar (05.07) në Montréal, me akuzën e pastrimit të parave të pista, të lidhura me trafikun e drogës kolumbiane. Shuma e pastruar në më pak se një vit kap shifrën 18 milionë dollarë. Yan Trépanier, Andrew Barera dhe Michael-Joey D'Opera, u arrestuan pas një hetimi të gjerë në bashkëpunim me autoritetet amerikane. Ata do përballen me akuzat e pastrimit të produkteve me prejardhje nga kriminaliteti, bashkëpunim për importimin dhe posedimin e lëndëve narkotike për qëllime trafikimi si dhe posedim të armëve dhe pajisjeve të ndaluara.

 

Calgary - Eventi i famshëm Stampede që organizohet prej 110 vjetësh, nisi zyrtarisht në Calgary të premten në mëngjes (08.07) me paradën tradicionale të hapjes me temë “Së bashku përsëri”. Pas dy vitesh pandemi, eventi u organizua sërish në formën e mëparshme dhe mbi 300,000 vetë vërshuan në rrugët e qytetit. E veçanta e këtij viti ka qenë se në rolin e udhëheqësit të paradës ishte përzgjedhur aktori dhe producenti i famshëm amerikan Kevin Costner, i cili luan edhe në serialin Western Yellowstone. Kostner u përzgjodh ndër të tjera, sepse është një adhurues i madh i Stampede dhe adhurues i peizazheve të Alberta-s.

 

Vancouver - Grupi që dëshiron të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore 2030 në British Columbia, i përbërë nga disa komunitete autoktonë, ka deklaruar që ky projekt do kushtojë midis 3.5 dhe 4 miliardë dollarë dhe planifikon një partneritet publik-privat për ta realizuar atë. Sipas drejtuesve të këtij grupi, oferta do duhet të marrë në konsideratë objektet ekzistuese të përdorur në Lojërat e 2010. Më 1 shkurt 2022, komunitetet Lil'ëat, Musqueam, Squamish dhe Tsleil-Waututh njoftuan një marrëveshje me bashkitë Vancouver, Whistler dhe Komitetin Olimpik Kanadez, për t'u përgatitur për paraqitjen e një oferte për vitin 2030. Kjo do të jetë oferta e parë për Lojërat Olimpike të organizuara nga komunitetet autoktonë.

 

Estevan (SA) - Një monument që përkujton 20 pilotët dhe një mekanik, pjestarë të Forcave Ushtarake Ajrore Kanadeze, të cilët humbën jetën në një aksident pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u zbulua dje (09.07) në vendin e rrëzimit të avionit, në Estevan të provincës Saskatchewan. Më 15 shtator 1946, në mëngjes, një avion cargo ktheu avionët ushtarakë të huazuar nga SHBA prej ushtrisë kanadeze gjatë Luftës së Dytë Botërore në Minot, në Dakota-n e Veriut. Në kthim drejt Kanadasë, avioni cargo u rrëzua në Estevan teksa ishte gati të ulej. Monumenti përkujtimor u realizua falë autores Marie Donais Calder. Ajo botoi librin Together Forever in the Clouds, kushtuar 21 ushtarakëve. Sipas Calder, ata e meritonin një monument pikërisht aty ku avioni u rrëzua për të shprehur mirënjohje ndaj sakrificës së tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse ata vdiqën në një aksident pas përfundimit të saj.

 

St. John’s - Rekrutimi i mjekëve të rinj dhe mbajtja e atyre që janë në province, është përparësi numër një e qeverisë, ka deklaruar kryeministri i Newfoundland dhe Labrador, Andrew Furey duke ofruar madje mundësinë që të kontaktohet drejtpërdrejt nga mjekët e interesuar, që punojnë aktualisht në provincë dhe dëshirojnë të qëndrojnë, ose që janë diku tjetër në Kanada, apo diku tjetër në botë dhe dëshirojnë të punojnë në Newfoundland dhe Labrador. “Telefononi direkt zyrën time dhe nëse keni nevojë më kontaktoni drejtpërdrejt”, është shprehur ai para mediave të mërkurën (06.07), menjeherë pas emërimit të ministrit të ri të Shëndëtësisë, portofol të cilin e ka marrë ish-ministri i Arsimit, Tom Osborne, duke zëvendësuar John Haggie në post prej 7 vitesh. Sipas një sondazhi të fundit, në provincën me 522,000 banorë, të paktën 125,000 nuk kanë mjek familje.

Andrew Furey

Ottawa - Presidenti i Toronto Raptors dhe bashkëthemeluesi i Giants of Africa, Masai Ujiri, ka prezantuar këtë jave në kryeqytetin federal veprën monumentale Humanity, të cilën e ka ideuar dhe ka dhënë mbështetjen për t’u realizuar. Vepra u krijua për nder të Nelson Mandelës dhe u frymëzua nga lufta e tij për barazi. Humanity është një strukturë çeliku 2.4 metra e lartë, në të cilën janë gdhendur 35 fjalë që simbolizojnë njerëzimin sipas Masai Ujiri-t. Përreth strukturës lexohen fjalët forcë, humanizëm, zemër, dhembshuri dhe mirëkuptim. Humanity është vendosur në skajin jugor të Major's Hill Park dhe aty mund të shkohet duke marrë Mackenzie Avenue. Në inaugurim ishte i pranishëm dhe kryministri kanadez Justin Trudeau.

Masai Ujiri

Toronto - Familja e një 28-vjeçari të vrarë nga një oficer i Policisë Rajonale Peel ka paditur për neglizhencë policinë, mjekët e urgjencës, Rajonin Peel dhe Njësinë e Hetimeve Speciale. Ajo shpreson se shuma e kërkuar - 101 milionë dollarë - do të vlejë që në të ardhmen “oficerët e policisë ta evitojnë përdorimin e tepruar të forcës dhe qasjet e nxituara me pasoja vdekjeprurëse”, thuhet në padinë e paraqitur. Familja e Jamal Francique pretendon se oficerët me rroba civile ishin neglizhentë duke mos u identifikuar siç duhet dhe përdorën forcë të tepruar në vend që të bënin një arrestim të kujdesshëm. Jamal Francique vdiq në spital dy ditë pasi u qëllua gjatë një tentative arrestimi më 7 janar 2020, në Mississauga. Njësia e Hetimeve Speciale ka deklaruar se policia e Peel po hetonte Jamal Francique, duke dyshuar për trafik droge dhe posedim të një arme zjarri.

 

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press/AP/Getty Images