Aktualitet

Java kanadeze - Lajme shkurt 17 korrik 2022

British Columbia, Tofino në listën e 50 destinacioneve të rekomanduara nga revista Time

Nova Scotia, rikthehen në Halifax 492 marinarë të dërguar në Europë pas sulmit në Ukrainë

Protestë në Ottawa për çështjen e turbinave ruse të Gazprom

Kanadezja Camryn Rogers shpallet nënkampione bote në hedhje çekiçi

 

Vancouver - Revista Time e ka konsideruar qyteti Tofino (2,500 banorë) në British Columbia, një nga 50 destinacionet më të mira në botë për t’u vizituar në vitin 2022. Territori tradicional i komunitetit autokton Tla-o-qui-aht, Tofino ka qenë një fshat i vogël peshkatarësh. Revista amerikane Time e përshkruan atë si një komunitet aktiv në ishullin e Vancouver, i rrethuar nga Clayoquot Sound, një Rezervë Ndërkombëtare e Biosferës nën patronazhin UNESCO-s. Revista vlerëson gjithashtu aktivitetet e shumta në dispozicion të vizitorëve që interesohen për faunën dhe peizazhin befasues. Turistët në Tofino mund të bëjnë sërfim, shëtitje në pyll, shëtitje në plazh dhe të vëzhgojnë madje edhe balenat. Dimri është gjithashtu një kohë e shkëlqyer për të vizituar Tofino-n, sipas Time.

 

 

Halifax - Dy anije të Marinës Mbretërore Kanadeze u kthyen në Halifax të premten në mëngjes (15.07) pasi shërbyen në një mision të NATO-s gjatë muajve të fundit për të mbështetur Ukrainën. Fregata “Halifax” u nis për në Baltik në mars, menjëherë pasi Rusia sulmoi Ukrainën, për t'u bashkuar me fregatën “Montréal”, e cila ishte dërgua qysh në janar me mision. Në bordin e dy anijeve ndodheshin 492 anëtarë të ekuipazheve, shumë prej të cilëve u mirëpritën nga të afërmit dhe familjarët e tyre.

 

 

Ottawa - Protestues pro-ukrainas u mblodhën sot (17.07) në Parliament Hill në Ottawa. Rreth njëqind pjesëmarrës në manifestim denoncuan vendimin e qeverisë Trudeau për të kthyer në Gjermani turbinat e riparuara të gazsjellësit rus Gazprom. Qeveria kanadeze vendosi t’i përjashtojë nga sanksionet ekonomike që vendosi ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës gjashtë turbinat e Siemens Energy, të cilat u riparuan në Kanada. Një manifestim i ngjashëm u zhvillua edhe në Montréal. Ndërkohë po sot, kryeministri kanadez Trudeau dhe presidenti ukrainas Zelensky kanë biseduar për herë të parë në telefon qysh nga momenti kur kjo çështje krijoi tension në marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

 

Oregon - Në pjesëmarrjen e saj të parë në një botëror, atletja kanadeze Camryn Rogers me origjinë nga Richmond i British Columbia, u shpall nënkampione e botës në disiplinën e hedhjen e çekiçit duke fituar dhe medaljen e argjendtë me rezultatin 75.52 metra. Atletja 23-vjeçare e arriti këtë sukses sot (17.07) në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Eugene të Oregon. Ajo u ngjit në podium së bashku me dy atletet amerikane, Brooke Andersen (78.96m) dhe Janee' Kassanavoid (74.86m). Rogers është e para kanadeze që fiton një medalje në hedhjen e çekiçit në Kampionatin Botëror. Në Lojërat Olimpike të Tokios ajo u rendit e pesta.

 

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada