Aktualitet

Vizita e Papa Françeskut - Mbi 35 milionë dollarë kosto për taksapaguesit kanadezë

“I lutem Zotit për falje dhe dua t'ju them me gjithë zemër: Jam shumë i pikëlluar. Dhe unë bashkohem me kolegët e mi peshkopë kanadezë për t'ju kërkuar falje”. Me këto fjalë iu drejtua kreu i Vatikanit, Papa Françesku, përfaqësuesve të popujve autoktonë të Kanadasë, në një nga takimet që u zhvilluan në Romë, më 1 prill 2022. Nesër, 24 korrik, siç është paralajmëruar prej javësh, edhe pse me probleme shëndetësore që e detyrojnë të lëvizë më shumë në karrige me rrota, Sovrani i Selisë së Shenjtë mbërrin në Kanada për një vizitë 6 ditore. Midis 24 dhe 29 korrikut, Papa do të ndalet në Edmonton (Alberta), Québec dhe Iqaluit (Nunavut) për të përsëritur ndjesën e tij publike, për përfshirjen e Kishës Katolike në sistemin famëkeq të shkollave rezidenciale autoktone. 

Kush do t'i mbulojë shpenzimet e vizitës?

Fatura e vizitës papale, e vlerësuar në disa milionë dollarë, do të paguhet kryesisht nga Kisha Katolike Kanadeze, por edhe nga taksapaguesit kanadezë. Sipas burimeve të ndryshme mediatike, Konferenca Kanadeze e Peshkopëve Katolikë, nuk është megjithatë ende në gjendje të përcaktojë koston e saktë. Konferenca parashikohet të mbulojë disa kosto që lidhen me elementët kryesorë të programit, si ato të objekteve (skenat, ndriçimin, zërin), infrastrukturës e komunikimit (internet me shpejtësi të lartë, kostot e transmetimit, qendrat e medias), transportit lokal në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimit të Papës dhe delegacionit të tij si dhe ato për sigurinë gjatë gjithë vizitës.

Pra shuma e saktë e faturës nuk dihet ende, por ajo që konfirmohet është se kontributi i qeverisë federale tashmë arrin në disa dhjetëra milionë dollarë. Ottawa u ka transferuar 30.2 milionë dollarë komuniteteve autoktone në Kanada. Sipas Ministrit të Marrëdhënieve mes Kurorës dhe Autoktonëve, Marc Miller, ky fond u dha që komunitetet të kenë burime financiare të mjaftueshme për të mbështetur të mbijetuarit që duan të marrin pjesë në takimet dhe aktivitetet e programuar. Përveç kësaj shume, Indigenous Services Canada dhe Crown-Indigenous Relations kanë akorduar 3 milionë dollarë për të financuar koordinimin nga partnerët autoktonë në tre rajonet pritëse të Edmonton, Québec dhe Iqaluit. Gjithashtu, një fond federal prej 2 milionë dollarësh do të financojë përkthimin e njëkohshëm në gjuhë të ndryshme autoktone të fjalimeve të Papës dhe aktiviteteve të tjera.

Transporti i Papës me avion, i siguruar nga kompania Alitalia, do të financohet në një pjesë të madhe nga 78 gazetarët e akredituar që do ta shoqërojnë atë në bord. Sipas një dokumenti logjistik nga Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë, secila nga mediat, përfaqësuesit e të cilave do të shoqërojnë Papën në peligrinazhin kanadez, do të paguajë afërsisht 9,000 dollarë (rreth 702,000 në total). Kostoja e avionit përfshin përdorimin për një javë, karburantin, si dhe pagesën dhe shpenzimet e ekuipazhit që do vijë nga Italia dhe që do jetë në dispozicion gjatë gjithë kohës.

Programi i vizitës

Programi i vizitën së Papa Françeskut në Kanada është bërë publik nga Vatikani si dhe nga Kabineti i Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë, Mary Simon, kjo e fundit gjithashtu me prejardhje autoktone. Simon do të takohet për herë të parë me Papën dhe në faqen e saj zyrtare, vizita papale konsiderohet si “një kontribut i mëtejshëm për pajtimin mes popujve autoktonë dhe Kishës Katolike”. Ndërsa kabineti i Kryeministrit Justin Trudeau, rreth orës 18:00 sot ka dhënë informacionin e parë për mediat rreth kësaj vizite. Sipas njoftimit të Kabinetit Trudeau, kryeministri do jetë nesër në Edmonton për të pritur në aeroport Papa Françeskun me të cilin është takuar disa herë. Nga programi që Vatikani publikoi sot, mësohet gjithashtu që Papa me Kryeministrin Trudeau do të takohen zyrtarisht në 27 Korrik në Québec.

Nisja e avionit me Papa Françeskun në bord nga aeroporti i Romës Fiumicino, është planifikuar për nesër, 24 korrik në orën 9 të mëngjesit, me destinacion Edmonton, Alberta. Avioni parashikohet të mbërrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Edmonton rreth orës 11:20 (me orën kanadeze) dhe kreu i Vatikanit do të pritet aty nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe Kryeministri Justin Trudeau.

Commonwealth Stadium Edmonton

Udhëtimi papal do të vazhdojë të hënën 25 korrik, me një ndalesë në Maskwacis, një komunitet në Alberta-n qëndrore rreth 70 km në jug të Edmonton. Papa Françesku do të takohet në orën 10:00 me autoktonë Métis dhe Inuit, përfaqësues të të cilëve vizituan Vatikanin nga 28 mars deri më 1 qershor 2022. Pas vizitës së tij në varrezat Ermineskin Cree Nation aty pranë dhe në ambientet e ish-shkollës rezidenciale autoktone Ermineskin, në prezencë të Guvernatores së Përgjithshme Papa do të mbajë fjalimin e parë të vizitës. Pasdite, në orën 16:45, ai do të takohet me komunitete të tjerë autoktonë dhe anëtarë të komunitetit të famullisë në Kishën e Zemrës së Shenjtë në Edmonton.

Të martën, më 26 korrik, në festën e shenjtorëve Joakim dhe Anës - ndaj të cilëve popujt autoktonë kanë një përkushtim të thellë - Papa Françesku do të kremtojë një meshë në orën 10:15 në stadiumin Commonwealth në Edmonton. Në orën 17:00 do të zhvillohet një nga ngjarjet më domethënëse të të gjithë udhëtimit: pjesëmarrja e peshkopit të Romës në “Lac Sainte-Anne”, pelegrinazhi vjetor për nder të Shën Anës në brigjet e liqenit piktoresk me të njëjtin emër në Alberta, ku çdo vit marrin pjesë mesatarisht 40,000 vetë.

Peligrinazh në liqenin Saint-Anne

Në ditën e katërt të udhëtimit, më 27 korrik, Papa Françesku do të udhëtojë për në Québec City, ku do të mbërrijë në orën 15:05. Në rezidencën e Guvernatorit të Përgjithshëm, "Citadelle of Quebec", ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet në orën 15:40, e ndjekur nga një takim kortezie me Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon e më pas nga një takim me Kryeministrin Justin Trudeau dhe autoritetet civile, të shoqëruar nga trupi diplomatik dhe përfaqësues të popujve autoktonë. Papa dhe Guvernatorja Simon do të mbajnë nga një fjalim para të pranishmëve, ndërsa kjo e fundit do të zhvillojë dhe një takim të veçantë me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar Shteti i Selisë së Shenjtë.

Të enjten më 28 korrik në orën 10:00 në Québec, Papa Françesku do të kremtojë meshën në faltoren kombëtare të Sainte-Anne-de-Beaupré, një vend kulti origjina e të cilit daton në shekullin e 17-të dhe që tërheq deri në një milion besimtarë në vit. Takimi i dytë i ditës së pestë do të zhvillohet në orën 17:00 në katedralen Notre-Dame de Québec, me përfaqësues të klerit katolik.

Katedralja Sainte-Anne-de-Beaupré

Mëngjesi i së premtes 29 korrik do të hapet me një takim privat në orën 9 me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit në Kryedioqezën e Québec. Në të njëjtin vend, Papa do të takohet rreth një orë e gjysmë më vonë me një delegacion të autoktonëve që banojnë në qytetin frankofon. Në orën 12:45, Papa do të niset me avion për në Iqaluit, kryeqyteti i territorit kanadez të Nunavut, i ndodhur në jug të Rrethit Arktik.

Në Iqualuit, i shoqëruar nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, kreu i Vatikanit do të vizitojë një shkollë fillore të zonës ku do të takohet privatisht me një grup ish-nxënësish të shkollave rezidenciale të krijuara nga qeveria kanadeze në fund të shekullit të 19-të për të asimiluar kulturalisht fëmijët autoktonë.

Iqualuit - Nunavut

Sipas programit të vizitës së publikuar nga Selia e Shenjtë sot, “nën kujdesin e kishave të krishtera lokale, përfshirë Kishën Katolike, në këto institucione përgjithësisht të pafinancuara, fëmijët shpesh kanë pësuar abuzime dhe keqtrajtime fizike dhe psikologjike. Disa nga këto viktima erdhen në Romë në takimin në fund të marsit 2022 dhe i treguan historitë e tyre Papës, i cili, gjatë audiencës me autoktonët dhe peshkopët kanadezë më 1 qershor, kërkoi publikisht falje”.

Në përfundim të këtij takimi, i planifikuar nga ora 17:00 deri në 18:15, Papa Françesku do të transferohet në aeroportin e Iqaluit, ku do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës dhe e përcjelljes në prezencë të Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë Mary Simon. Në orën 18:45 avioni do të niset për në Romë, ku Papa parashikohet të mbërrijë të nesërmen, më 30 korrik, në orën 7:50 të mëngjesit me orën italiane.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe Vatican News

Fotot: CNS/Paul Haring; Vatican/Agence France Presse; Radio-Canada