Aktualitet

Kanada, 200 milionë dollarë rimbursim veteranëve për përdorim mjekësor kanabisi

Sipas një raportimi të The Canadian Press, aktualisht qeveria federale kanadeze po rimburson një numër rekord veteranësh për përdorimin mjekësor të kanabisit. Nga të dhënat zyrtare të kohëve të fundit, ajo  ka paguar më shumë se 150 milionë dollarë në vitin e fundit fiskal. Kjo shumë është më shumë se dyfishi i shumës së paguar vetëm tre vjet më parë. Dhe ky është vetëm fillimi, bazuar në llogaritjet e Veterans Affairs Canada. Sipas vlerësimeve të këtij institucioni, që i referohen numrit të aplikimeve për rimbursim të dorëzuara, parashikohet që për këtë vit të shpenzohen afro 200 milionë dollarë për këtë çështje.

Ndërsa ekspertët dhe grupet e avokimit pranojnë se nuk janë të sigurt për arsyet e kësaj rritjeje të konsiderueshme të kërkesës, ata pajtohen se ekziston nevoja për të thelluar njohuritë për përfitimet reale dhe rreziqet e mundshme të konsumit të marihuanës nga veteranët, kryesisht për shkak se janë taksapaguesit ata që e përballojnë faturën. “Ne kemi maksimalisht nevojë për më shumë studime, për të verifikuar nëse këto politika dhe përdorimi aktual i kanabisit ka të ngjarë të bëjë më shumë mirë apo më shumë dëm”, ka deklaruar zëvendësdrejtori i “Qendrës kërkimore mbi kanabisin mjekësor-Michael G. DeGroote” të Universitetit McMaster, Jason Busse.

Veterans Affairs Canada e filloi rimbursimin e një numri të vogël veteranësh për përdorimin mjekësor të kanabisit në vitin 2008. Ky proces pasoi një sërë vendimesh gjyqësore, që datojnë më shumë se 20 vjet më parë, të cilat hapën derën për tolerimet e para ligjore që lejojnë konsumimin e kanabisit për arsye mjekësore dhe mbrojtjen e pacientëve nga ndjekja penale.

Në atë kohë, miratimet jepeshin pë një numër jashtëzakonisht të kufizuar dhe vetëm me rekomandimin e mjekut. Më pas, në vitin 2014, Health Canada lehtësoi rregullat në lidhje me autoritetin për të dhënë leje për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, si dhe arsyet për konsumimin e tij. Këto udhëzime të reja nuk vendosnin kufizime në sasinë e kanabisit të konsumuar ose në kosto. Në të njejtin vit, Veterans Affairs Canada rimbursoi 112 veteranë për një faturë vjetore prej 409,000 dollarë. Një vit më pas, shifrat ishin rritur në 600 konsumatorë, për një faturë totale prej më shumë se 1.7 milion dollarë.

Sipas të dhënave të ofruara nga departamenti i Veteranëve për ministrin Lawrence MacAulay qershorin e kaluar, qeveria rimbursoi për konsum kanabisi më shumë se 18,000 ish-ushtarakë për një total prej 153 milionë dollarësh në periudhën 2021-2022. “Për vitin fiskal 2022-2023, shpenzimet e programit vlerësohen në 195.2 milionë dollarë”, thuhet në raportin e përgatitur për ministrin.

Kjo rritje e konsiderueshme e kostos vazhdon, pavarësisht një vendimi të qeverisë së Justin Trudeau të vitit 2016, për të kufizuar dozën e rimbursueshme deri në tre gram në ditë dhe një vlerë prej 8.50 dollarë për gram. Leja e veçantë me rekomandimin e mjekut mund të lejojë maksimumi dhjetë gramë në ditë. Vendosja e këtyre kufizimeve pat shkaktuar reagimin e veteranëve dhe grupeve avokuese të cilët argumentuan se kjo masë do të kishte pasoja të dëmshme.

Sipas raportit të lartpërmendur, një në pesë ish-ushtarakë ka të drejtë për më shumë se tre gramë në ditë. Për krahasim, Health Canada raporton se numri i kanadezëve të regjistruar si përdorues të kanabisit për arsye mjekësore, shpenzimet e të cilëve zakonisht rimbursohen nga siguruesit privatë, u rrit nga 345,000 në tetor 2018 në 257,000 dhjetorin e kaluar.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Combat Camera/DND