Aktualitet

Java kanadeze - Lajme shkurt 7 gusht 2022

 

Newfounldand & Labrador

Në Newfoundland shpallet gjendja e emergjencës për shkak të zjarreve në pyje

Kanadaja do dërgojë 225 oficerë në Angli për trajnimin e ushtrisë ukrainase

Air Canada refuzon të rimbursojë pasagjerët udhëtimi i të cilëve është shtyrë

Ekipi kanadez i Hokejit U-18 fiton kupën Hlinka-Gretzky

 

St, John’s - Për shkak të “zjarreve më shkatërruese në Newfoundland që nga viti 1961”, kryeministri i Newfoundland dhe Labrador, Andrew Furey, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonat më të prekura dje (06.08) në mbrëmje. Kryeministri e bëri njoftimin nga Qendra Operative e Shërbimeve Emergjente në Gander, pasi fluturoi me helikopter mbi zonat e përfshira nga zjarret intensive më herët gjatë ditës. Ndërsa sot (07.08), në një tjetër konferencë shtypi, kreu i qeverisë provinciale i ka paralajmëruar banorët të përgatiten edhe për evakuim. Ai gjithashtu kërkoi nga Autoriteti Shëndetësor i pjesës qendrore të Newfoundland të hartojë menjëherë një plan evakuimi për spitalet në zonat e prekura dhe u kërkoi personave me sëmundje kronike ose të mushkërive të evakuoheshin menjëherë për shkak të tymit. Parashikimet e motit paralajmërojnë temperatura të ngrohta, lagështi të ulët dhe erëra deri në 60 km/h, të cilat mund ta shtyjnë tymin në veri. Sipas vlerësimeve të qeverisë, zjarret mund të afrohen deri në 10 ose 15 kilometra nga Grand Falls-Windsor, ku banojnë rreth 10,000 vetë. Ndërkohë, sipas një njoftimi në Twitter të ministrit federal të Emergjencave Bill Blair, Ottawa do dërgojë efektiva të Forcave të Armatosura Kanadeze si përforcim, në ndihmë të institucioneve përgjegjëse provinciale.

 

 

Ottawa - Ministrja e Mbrojtjes e Kanadasë, Anita Anand, njoftoi të enjten e kaluar (04.08) në konferencë shtypi, dërgimin e 225 oficerëve kanadezë në Angli, të cilët do angazhohen me trajnimin e ushtarakëve ukrainas. Procesi i trajnimit, që do të fillojë më 25 gusht dhe do zgjasë për një periudhë 4 mujore, do të përqëndrohet, sipas ministres, “te zhvillimi i kompetencave individuale të domosdoshme për luftimet e vijës së parë”. Trajnimi ushtarak do të përfshijë aspekte të ndryshme, duke përfshirë teknikat e përdorimit të armëve, ndihmën e parë në fushën e betejës, taktikat e patrullimit dhe legjislacionin mbi konfliktet e armatosura. Grupi i parë i ushtarakëve kanadezë do të niset javën e ardhshme nga Edmonton-i drejt Anglisë. Gjithashtu ministrja Anand konfirmoi dërgimin së shpejti drejt Ukrainës të 39 automjeteve të lehta të blinduara, që qeveria kanadeze i premtoi në muajin qershor të këtij viti.

 

Ministrja e Mbrojtjes Anita Anand

Montréal - Organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të udhëtarëve e kanë akuzuar Air Canada për thyerjen e rregullave federale duke refuzuar të paguajë kompensim për pasagjerët, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të mungesës së stafit. Sipas Ligjit të të Drejtave të Pasagjerëve Kanadezë Ajrorë, një linjë ajrore duhet të sigurojë kompensim deri në 1000 dollarë për vonesat dhe anulimet në situata që i atribuohen transportuesit, por që nuk janë të nevojshme për arsye sigurie dhe nëse pasagjeri është njoftuar 14 ditë ose  më pak, përpara orës së nisjes. Megjithatë, linjat ajrore nuk detyrohen të paguajnë asnjë qindarkë, nëse fluturimi anulohet për arsye sigurie. Në një memo të lëshuar më 29 dhjetor të vitit të kaluar, Air Canada udhëzoi punonjësit e saj të klasifikonin fluturimet e anuluara për shkak të mungesës së stafit si një arsye sigurie. Klientëve të prekur nga anulimet megjithatë u sigurohej ushqimi dhe hoteli, por jo më shumë se kaq. Sipas memos në fjalë, kjo politikë do të ishte e përkohshme. Sidoqoftë, Air Canada pranoi në një email dërguar mediave më 25 korrik, se politika ishte ende në fuqi, për shkak të rrethanave të paparashikuara të shkaktuara nga variantet e COVID. Nga ana e saj, Agjencia Kanadeze e Transportit (CTA) ka pohuar që reduktimi i mungesës së stafit dhe konsiderimi i saj një çështje sigurie shkel rregullat federale. Agjencia ka theksuar se mungesa e personelit për shkak të veprimit ose mosveprimit të transportuesit bie në kategorinë e situatave që i atribuohen atij.

 

 

Red Deer (Alberta) - Ekipi kombëtar kanadez i Hokejit nën 18 vjeç, u shpall fitues i Kupës Hlinka-Gretzky, që i jepet skuadrës më të mirë në botë në këtë kategori moshe. E drejtuar nga trajneri kryesor i Sherbrooke Phoenix, Stéphane Julien, skuadra triumfoi totalisht në turneun e zhvilluar këtë vit në Red Deer (Alberta), duke i fituar të pesë ndeshjet pa shumë vështirësi. Në finale kanadezët mundën 4-1 ekipin suedez, duke fituar kësisoj kupën dhe medaljet e arta, për të 23-tën herë që nga viti 1991, vit kur ky turne u zhvillua për herë të parë. Kupa Hlinka-Gretzky është një turne vjetor ndërkombëtar i hokejit mbi akull për moshat nën 18 vjeç, i administruar nga Hokej Kanada, Shoqata Çeke e Hokejit mbi Akull dhe Federata Sllovake e Hokejit mbi Akull. Ai është zhvilluar në vende të ndryshme, duke përfshirë Japoninë, Meksikën dhe Kanadanë.

 

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada

*Në foton kryesore (në mes), kryeministri i provincës Newfounland dhe Labrador, Andrew Furey sot në konferencë shtypi.