Aktualitet

Ndahet nga jeta ish-ministri i Jashtëm kanadez Bill Graham

Është ndarë nga jeta të dielën që shkoi (08.08) në moshën 83 vjeçare Bill Graham, politikani i njohur Liberal, i cili shërbeu si ministër i Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë në qeveritë e Jean Chrétien dhe Paul Martin.

I lindur në Montreal në vitin 1939, William C. Graham ka qenë deputet i Dhomës së Komunave nga viti 1993 deri në vitin 2007, si përfaqësues i zonave elektorale Rosedale, Toronto-Centre-Rosedale dhe Toronto-Centre. Me profesion ai ishte jurist, i diplomuar në Universitetin e Torontos dhe i doktoruar në Paris. Përpara hyrjes në politikë, ai ushtroi ndër të tjera avokatinë me firmën e njohur Faskens si dhe për disa vite ishte profesor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Torontos, i lëndëve E drejta e Bashkimit Europian, E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe E Drejta Ndërkombëtare Tregtare.

Graham ishte në funksionin e Ministrit të Punëve të Jashtme në vitin 2003, kur qeveria e kryeministrit Liberal Jean Chrétien refuzoi pjesmarrjen e Kanadasë në koalicionin e formuar nga Shtetet e Bashkuara për të pushtuar Irakun. Më pas ai u bë Ministër i Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2004. “Bill kontribuoi për qeverinë tonë dhe vendin tonë në një periudhë të vështirë të historisë, kur Kandaja dërgoi kontigjentin e saj ushtarak në Kandahar në jug të Afganistanit”, ka theksuar ish-kryeministri Paul Martin në deklaratën e homazhit për ish-kolegun e tij.

Bill Graham drejtoi gjithashtu përkohësisht Partinë Liberale të Kanadasë pas dorëheqjes së Paul Martin, deri në zgjedhjen në postin e kryetarit të Stéphane Dion. Në këtë cilësi, ai shërbeu si Lider i Opozitës Zyrtare në Dhomën e Komunave për pothuajse një vit, nga shkurti deri në dhjetor 2006, përballë Konservatorit Stephen Harper, i cili atëherë ishte në mandatin e tij të parë si kryeministër. Graham u largua përfundimisht nga politika në verën e vitit 2007 dhe më pas punoi për disa vite si Kancelar i Trinity College në Universitetin e Torontos.

Sipas ish-kryeministrit Stephen Harper, i cili është prononcuar në Twitter me këtë rast, “edhe pse një kundërshtar i vendosur, Bill Graham u tregua gjithmonë një xhentëlmen, i cili mbi gjithçka vuri të parin interesin e Kanadasë”.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press