Aktualitet

Kanada, mijëra ankesa për transportin ajror dhe vonesa një vit për të marrë përgjigje

Sipas CBC/Radio-Canada, shumë qytetarë kanadezë, planet e pushimeve të të cilëve janë ndryshuar nga anulimet e fluturimeve, po ankohen gjithnjë e më shumë për vonesën në trajtimin e ankesave të tyre nga Agjencia Kanadeze e Transportit (Canadian Transportation Agency). Ky organ rregullator federal, përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet linjave ajrore dhe klientëve, aktualisht po përballet me një numër të konsiderueshëm ankesash që janë grumbulluar që nga hyrja në fuqi, në vitin 2019, e rregullave që detyrojnë transportuesit ajrorë të kompensojnë pasagjerët kur një fluturim vonohet ose anulohet për një arsye që varet nga kompania e fluturimit.

Vonesa në kohë e trajtimit të ankesave është rritur konsiderueshëm këtë vit dhe gjithnjë e më shumë klientë pohojnë se linjat ajrore po i anashkalojnë rregullat federale të kompensimit. Nga ana e saj Canadian Transportation Agency (CTA) ka deklaruar se 18,200 ankesa janë paraqitur vetëm në muajt e fundit. Agjencia raportoi gjithashtu rreth 7,500 ankesa të reja të paraqitura midis prillit dhe korrikut, që si shifër janë më shumë se gjysma e numrit të ankesave të pranuara vitin e kaluar. Sipas të dhënave të marra nga CBC/Radio-Canada, numri i ankesave të paraqitura në korrik kundër kompanive ajrore kanadeze në CTA është 8 herë më i lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë para pandemisë, në korrik 2018.

Agjencia Kanadeze e Transportit ka një sistem të ndjekjes së progresit të ankesës që i lejon pasagjerët të monitorojnë kërkesën e tyre. Megjithatë, për shkak të numrit të madh aktual, në faqen e saj Web thuhet vetëm që zyra po merret me trajtimin e ankesave sa më shpejt që të jetë e mundur. Shkak i vonesave duket se është edhe mungesa e stafit dhe për këtë qëllim po bëhen përpjekje për të punësuar më shumë personel. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse qeveria Trudeau i akordoi agjencisë 11 milionë dollarë shtesë në buxhetin e prillit.

I pyetur nga CBC/Radio-Canada, Ministri federal i Transportit Omar Alghabra nuk ka pohuar megjithatë nëse qeveria është e gatshme të bëjë më shumë që Canadian Transportation Agency të shqyrtojë ankesat e prapambetura. Në një deklaratë të dërguar me email në adresë të agjencisë shtetërore të lajmeve, Alghabra u mjaftua të thote vetëm që “linjat ajrore duhet të respektojnë rregulloret dhe udhëtarët gjithashtu kanë të drejtën të rimbursimit që duhet të respektohet”.

©Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Paul Chiasson