Kancelari gjerman Olaf Scholz do vizitojë zyrtarisht Kanadanë
Kabineti i Kryeministri Justin Trudeau ka njoftuar sot (13.08) se kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të vizitojë zyrtarisht Kanadanë në datat 21-23 gusht. Kryeministri Trudeau dhe kancelari i Gjermanisë do të takohen fillimisht në Montréal. Sipas komunikatës zyrtare, diskutimet do përqëndrohen tek “prioritetet e përbashkëta, përfshirë mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Evropë dhe në mbarë botën, sigurinë e burimeve energjitike, përshpejtimin e tranzicionin global drejt energjisë së pastër, rritjen e këmbimeve tregtare si dhe stimulimin e bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe inovacionit”.
Gjatë vizitës së kreut të qeverisë gjermane në Montréal, Trudeau dhe Scholz do të marrin pjesë gjithashtu në një darkë me përfaqësues të biznesit gjerman dhe kanadez për të nxitur me tej mundësitë e investimeve dhe partneritetit, veçanërisht në sektorin minerar dhe atë të automobilave. Kancelari Scholz do të vizitojë edhe Institutin Mila (me rreth 900 kërkues shkencorë), një nga tre institutet kombëtare të inteligjencës artificiale të financuara sipas Strategjisë Pankanadeze të Inteligjencës Artificiale.
Më pas kryministri Trudeau dhe homologu i tij Scholz do shkojnë në Toronto, ku do të marrin pjesë në Samitin Virtual të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, që do të mbahet më 23 gusht, një ditë para Ditës së Pavarësisë së Ukrainës. Në Toronto, Trudeau dhe Scholz do jenë gjithashtu të pranishëm në Forumin e Biznesit Kanada-Gjermani për të promovuar rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve. Në mbyllje të vizitës dy liderët do udhëtojnë drejt Stephenville (Newfoundland) për të vizituar një Panair shkencor mbi hidrogjenin e pastër, fushë në të cilën të dy vendet bashkëpunojnë prej vitesh dhe kur pritet të nënshkruhet dhe një marrëveshje e re. Studiuesit kanadezë dhe gjermanë janë liderë të promovimit të teknologjive të hidrogjenit të pastër. Kompani kanadeze po përdorin teknologjitë e tyre në tregun gjerman dhe nga ana e tyre kompani gjermane po investojnë në zgjerimin e aftësive prodhuese të Kanadasë.
Takimi i fundit mes kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, daton në qershor të këtij viti, gjatë punimeve të Samitit të G7 që u zhvillua në Elmau të Gjermanisë.
Kanadaja dhe Gjermania konsiderohen gjithashtu si dy vende me lidhje të forta kulturore dhe jo vetëm. Gati 10% e kanadezëve thuhet se janë të paktën pjesërisht me origjinë gjermane dhe çdo vit afërsisht 400,000 kanadezë udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe një numër ekuivalent gjermanësh vizitojnë Kanadanë. Gjermania është një nga burimet më të mëdha të investimeve në inovacion, kërkime dhe teknologji të lartë në Kanada me më shumë se 820 filiale firmash që punësojnë afro 70,000 kanadezë. Gjermania është burimi i 7-të i investimeve të huaja direkte në Kanada. Po kështu, Gjermania është tregu më i madh i eksportit të mallrave të Kanadasë në Bashkimin Evropian dhe partneri i saj i gjashtë më i madh global, me tregtinë e dyanshme të mallrave që arriti në 25.9 miliardë dollarë në vitin 2021. Eksportet kanadeze në Gjermani arritën në 6.9 miliardë dollarë në vitin 2021, ndërsa importet kanadeze nga Gjermania arritën në 19.0 miliardë dollarë.
Partnere afatgjata në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Kanadaja dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe janë të dyja anëtare të G7 dhe G20, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Kanadaja dhe Gjermania kanë pjesën e tyre të kontributit në operacionet dhe aktivitetet e NATO-s në krahun Lindor të organizatës, veçanërisht në udhëheqjen e grupeve luftarake të pranisë së avancuar të NATO-s, respektivisht në Letoni dhe Lituani.
©Flasshqip me informacion nga Prime Minister of Canada Office
Foto: Liesa Johannssen-Koppitz/Bloomberg












