Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 14 gusht 2022

Mulliri Michel De Gentilly - Bécancour, Québec (foto Stéphane Daoust)

 

British Columbia, një nga sindikatat e sektorit publik paralajmëron grevë

Alberta, RCMP inicion të rinjtë autoktonë në profesionin e policit federal

Nova Scotia, breshka e famshme Gus feston 100-vjetorin në Halifax

Newfoundland, përhapet më tej gripi i shpendëve

Québec, Partia Liberale shpall sloganin e fushatës elektorale

 

Victoria - Sindikata e punonjësve të qeverisë së British Columbia (BCGEU), një nga organizatat kryesore që përfaqëson 33,000 punonjës të sektorit publik, ka komunikuar ​​një njoftim 72-orësh për grevë të premten (12.08). Sipas njoftimit, nga nesër (15.08), në orën 14:46, sindikata ligjërisht do fillojë zbatimin e taktikave të presionit. Presidentja e BCGEU, Stephanie Smith, e cituar nga Radio-Canada, pa dhënë shumë detaje ka pohuar që reagimi i sindikatës mund të marrë forma të ndryshme, duke filluar për shembull me refuzimin e orëve shtesë. Marrëveshja kolektive mes sindikatës dhe Agjencisë së Shërbimeve Publike të British Columbia skadoi më 1 prill 2022. Negociatat u zhvilluan nga 8 shkurti deri më 6 prill pa u arritur një zgjidhje. Më pas anëtarët e sindikatës votuan me afro 95% pro veprimeve sindikaliste. Palët u takuan përsëri në korrik, por bisedimet u ndërprenë. BCGEU ndër të tjera, përfshin administratën e burgjeve, zjarrfikësit e pyjeve, punonjësit socialë dhe punonjësit e BC Liquor Store. Nga ana e saj, Agjencia e Shërbimeve publike të provincës ka deklaruar që në çdo rast, shërbimet esenciale do jenë të garantuara.

 Foto BCGEU (arkivi)

Alberta - Pas rreth një jave trajnimi intensiv, 28 të rinj autoktonë të moshës 16 deri në 19 vjeç nga e gjithë Alberta, u diplomuan të premten (12.08) në kampin Soaring Eagles, të organizuar nga Policia Federale Kanadeze (RCMP). Gjatë trajnimit, ata mundën të familjarizohen me disa teknika policore dhe me menaxhimin e situatave emergjente, për të njohur dhe kuptuar kësisoj se cila është puna e oficerit të Policisë Federale. Komandanti i RCMP në Alberta, Curtis Zablocki, ka deklaruar se ishte i kënaqur që përfaqësuesit e rinj nga disa komunitete autoktone patën mundësinë të aftësohen dhe të krijojnë lidhje të forta gjatë trajnimit. Kampi, i cili zgjati pesë ditë, ishte një mundësi për pjesëmarrësit jo vetëm për të kuptuar më mirë jetën e përditshme të një punonjësi të RCMP, por edhe për të eksploruar më shumë se 150 mundësi karriere brenda radhëve të saj. I organizuar për herë të fundit në vitin 2019, ky kamp është krijuar për të ofruar të njëjtin trajnim fizik dhe intelektual që marrin anëtarët e rregullt të RCMP. Ai gjithashtu i mundëson Policisë Federale të forcojë lidhjet e saj me komunitetet autoktone dhe të kuptojë më mirë realitetet e tyre kulturore.

 Foto RCMP Facebook

Halifax - Këtë fundjavë në Halifax u festua një përvjetor krejt i veçantë. Gus, breshka e Muzeut Historik të Natyrës në Nova Scotia mbushi 100 vjeç. Breshka Gus lindi në Silver Springs, Florida dhe i kaloi në Institutin Ross Allen Reptile njëzet vitet e para. Në vitin 1942, drejtori i muzeut provincial të Nova Scotia e bleu Gus për shumën modeste prej 5 dollarësh për ta sjellë në Kanada. Për festën e pazakontë, muzeu organizoi disa aktivitete dhe madje përgatiti dhe Çertifikatën e 100 vjetorit. Është një fakt spektakolar që një breshkë si Gus të jetojë kaq gjatë. Mesatarisht, breshkat Gopher, jetojnë midis 40 dhe 80 vjet. Sipas drejtorit të Muzeut të Historisë Natyrore të Nova Scotia, Gus arriti100 vjeç, sepse ka jetuar në ambient të mbyllur. Gjatë 80 viteve në Nova Scotia, Gus kanë mundur ta shohin mbi një milion vizitorë.

 Foto Jack Julian

Newfoundland - Vazhdon përhapja e gripit të shpendëve në provincën Newfoundland. Sipas biologut Bill Montevecchi, specialist i shpendëve të detit, virusi ka eliminuar mijëra zogj në Kepin St. Mary dhe të tjerë të pajetë janë raportuar së fundmi në zonat verilindore, përgjatë brigjeve të Lumsden dhe Musgrave Harbour. Ai dhe ekipi i tij kanë marrë mostra të pështymës nga zogjtë e pajetë të gjetur në këto zona dhe është në pritje të rezultateve laboratorike për të përcaktuar nëse ata e bartnin virusin H5N1, çka ai parashikon se do konfirmohet. Montevecchi ka planifikuar edhe një udhëtim në Funk Island, për të përcaktuar nëse gripi i shpendëve është përhapur edhe atje. I ndodhur në Oqeanin Atlantik përballë Newfoundland, Funk Island është një rezervë ekologjike ku mblidhen shumë lloje shpendësh. Bill Montevecchi beson se virusi do përhapet akoma dhe ka deklaruar për Radio-Canada se ka pak shpresë që ndërhyrja njerëzore të mund të ngadalësojë përhapjen e tij, por kurrsesi virusi nuk do mund t’i asgjësojë kolonitë e shpendëve të zonës.

Bill Montevecchio (Foto Patrick Butler)

Québec - “Voto të vërtetën. Çështje reale. Zgjidhje reale”. Ky do të jetë slogani i ri i Partisë Liberale të Québec për zgjedhjet e ardhshme të 3 tetorit. Slogani zgjedhor u komunikua publikisht të shtunën (13.08) nga kryetarja Dominique Anglade, gjatë fjalës së hapjes në Kongresin e 40-të të Rinisë Liberale. Anglade u fokusua sidomos tek çështjet e rritjes të kostos së jetesës. “Gjatë katër viteve të fundit, shumëçka ka ndryshuar. Inflacioni shkoi nga 2% në 8%, çmimet e banesave u rritën 20%, shporta e ushqimeve u rrit me 10%”, deklaroi ajo. Platforma Liberale, e publikuar në qershor, propozon, ndër të tjera, uljen e taksave për klasën e mesme, suprimimin e “Taksës së mirëseardhjes” për blerjen e shtëpisë së parë si dhe konvertimin e të gjitha kopshteve të fëmijëve të pasubvencionuar në të subvencionuar, në mënyrë që të gjithë të kenë akses me një tarifë prej 8,70 dollarë në ditë. Anglade pohoi gjithashtu se një qeveri Liberale do të mbrojë të drejtat dhe liritë e të gjithë banorëve të Québec dhe se diversiteti është një forcë, jo një dobësi, një sulm ky i drejtpërdrejtë ndaj ligjit 21 mbi laicitetin e shtetit dhe ndaj ligjit 96 për gjuhën frënge të miratuar nga Qeveria e François Legault.

Poster i Dominique Anglade (Foto Graham Hughes)

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada, BCGEU, RCMP, Getty Creative, The Canadian Press