Aktualitet

Kanada: Për herë parë një magjistrate autoktone, gjyqtare në Gjykatën e Lartë

Përmes një komunikate zyrtare sot (19.08) kryeministri kanadez Justin Trudeau ka njoftuar emërimin e gjyqtares me origjinë autoktone Michelle O'Bonsawin si anëtare e Gjykatës së Lartë të Kanadasë, instanca më e lartë gjyqësore në vend. Është hera e parë që kjo ndodh në historinë e Kanadasë, që ka një të kaluar shumë të dhimbshme sa i takon raporteve mes europianëve që e kolonizuan dhe popujve autoktonë. Një hap tjetër ky në procesin e shërimit dhe pajtimit, ashtu siç konsiderohet tashmë zyrtarisht procesi qysh nga publikimi më 2015 i raporteve zyrtare të Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, të kryesuar nga ish-senatori autokton Murray Sinclair.

Michelle O'Bonsawin ka lindur në Hammer, lokalitet i Greater Sadbury (Ontario). Me origjinë ajo është abenaki, nga komuniteti autokton Odanak, që jeton në Rezervën Odanak 12, rreth 120 kilometra nga Montréal dhe është "përsosmërisht dygjuhëshe", siç e thekson komunikata e kryeministrit Trudeau. Aktualisht ajo është gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Ontarios në Ottawa e emëruar që nga viti 2017, gjithashtu e para autoktone në një pozicion të tillë. Karrierën si juriste ajo e ka nisur në Sektorin Juridik të RCMP (Policia Federale Kanadeze), më pas ka punuar si corporate lawyer për Canada Post dhe si avokate pranë Royal Ottawa Health Care Group. Ajo ka praktikuar në fushat e legjislacionit të shëndetit mendor, të punës dhe punësimit, të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së privatësisë. Ajo ka qënë gjithashtu lektore e lëndës Autoktonët dhe e Drejta në Universitetin e Ottawa.

Michelle O’Bonsawin ka kryer Bachelor në Drejtësi pranë Universitetit të Ottawa, Master në Drejtësi pranë Osgood Hall Law School në Toronto dhe së fundi ka marrë gradën PhD, përsëri pranë Universitetit të Ottawa, me tezën e titulluar “A Principled Approach: Mandatory Application of the Gladue Principles at Review Board Hearings”.

Menjëherë pas publikimit të lajmit nga zyra e kryeministrit Trudeau, Ghislain Picard, Shefi i Asamblesë së Popujve Autoktonë të Québec dhe Labrador, e ka përshëndetur në rrjetet sociale emërimin e gjyqtares O’Bonsawin. Këshilli Abenaki i Odanak, përmes Drejtorit të Përgjithshëm Daniel G. Nolett, ka deklaruar gjithashtu se është krenar për emërimin e Michelle O’Bonsawin në instancën më të lartë të sistemit gjyqësor të Kanadasë.

Emërimi i saj do të plotësojë vendin vakant që do të krijohet me daljen në pension më 1 shtator 2022 të gjyqtarit anglisht-folës Michael J. Moldaver.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Patrick Woodbury; University of Ottawa AevanStock/Shutterstock