Aktualitet

Kanada, vizitë tre ditore e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg

Kabineti i Kryeministrit Justin Trudeau ka njoftuar dje (19.08) vizitën tre ditore të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut Jens Stoltenberg në Kanada, në datat 24-26 gusht 2022. Itinerari i vizitës së kreut të NATO-s, i shoqëruar nga kryeministri kanadez, do të jetë Edmonton (Alberta), Cambridge Bay (Nunavut) dhe Cold Lake (Alberta).

Vizita e Stoltenberg në Kanada, 2019

Sipas komunikatës zyrtare, Trudeau dhe Stoltenberg do diskutojnë “avancimin e prioriteteve të përbashkëta dhe çështje globale, përfshi kërcënimet ndaj sigurisë euro-atlantike dhe veçanërisht pushtimin e paligjshëm dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia. Përveç kësaj, ata do të trajtojnë çështjen e ndryshimeve klimatike dhe ndikimin e tyre në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht në zonën e Arktikut”.

Më 25 gusht, në Cambridge Bay, Kryeministri Trudeau dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do vizitojnë një nga objektet e Sistemit të Paralajmërimit të Veriut - një element i rëndësishëm i Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) - si dhe Stacionin e Kërkimit të Arktikut të Epërm Kanadez. Ata gjithashtu do të takohen me drejtues të komunitetit lokal Inuit dhe me pjestarë të Forcave të Armatosura Kanadeze të dislokuar në Gjirin e Kembrixhit si pjesë e Operacionit NANOOK-NUNAKPUT.

Më 26 gusht, Trudeau dhe Stoltenberg do shkojnë në Cold Lake (Alberta), baza ushtarake ajrore më aktive e avionëve gjuajtës të Kanadasë, ku ndër të tjera do të diskutojnë për kontributin e Kanadasë në NATO, partneritetin e Kanadasë në NORAD (North American Aerospace Defense Command) dhe planin e modernizimit të mbrojtjes kontinentale të shpallur së fundmi nga Kanadaja, që përfshin investime prej 38.6 miliardë dollarësh gjatë njëzet viteve të ardhshme, të cilat do të forcojnë krahun perëndimor dhe verior të NATO-s.

Për here të fundit Kryeministri kanadez Trudeau dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg janë takuar në Spanjë, në qershor 2002, gjatë Samitit të NATO-s që u mbajt në Madrid, ndërsa vizita e fundit e Sekretarit të Përgjithshëm në Kanada i përket korrikut 2019.

Kanadaja është një vend anëtar themelues i NATO-s, që nga krijimi i saj në 1949. Aktualisht, Kanadaja kontribuon në operacionet, misionet dhe aktivitetet e NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore nëpërmjet Operacionit RASSURANCE duke udhëhequr grupin luftarak të Prezencës së Avancuar Shumëkombëshe në Letoni që nga viti 2017. Po kështu, 3,400 pjestarë të Forcave të Armatosura Kanadeze nga të gjithë divizionet ushtarake janë vendosur në gjendje gatishmërie të lartë, në mënyrë që të mund të dislokohen si pjesë e Forcës së Reagimit të NATO-s në Evropën Lindore nëse do jetë e nevojshme. Gjithashtu, dy avionë ushtarakë kanadezë transporti CC-130 Hercules, operojnë për momentin nga Mbretëria e Bashkuar, për të mbështetur donacionet dypalëshe të Aleatëve për Ukrainën.

©Flasshqip me informacion nga Prime Minister of Canada Office

Fotot: NATO; Royal Canadian Air Force; Hill Times/Andrew Meade; AP/Christophe Ena