Aktualitet

Java kanadeze - Lajme shkurt 21 gusht 2022

Gold Cup Parade 2022, Charlottetown - Prince Edward Island

 

Një komunitet autokton kërkon riatdhesimin e një totemi nga Skocia

Indeksi i çmimeve të konsumit u ndal në shifrat 7,6% gjatë korrikut

Zvogëlohet pesha demografike e frengjishtes në vend sipas Statistics Canada

Doug Ford viziton provincat e Atlantikut për diskutime rreth sektorit shëndetësor

Kanadaja fiton medaljet e arta në Kampionatin Botëror të Hokejit për të rinj

 

British Columbia - Përfaqësues nga komuniteti autokton (first nation) i Nisga'a kanë udhëtuar drejt Skocisë për të diskutuar mundësinë e riatdhesimit të një direku totem që mendohet se u është vjedhur atyre gati një shekull më parë. Shtatë anëtarë të këtij komuniteti që jeton në British Columbia, duke përfshirë shefin Earl Stephens, do takojnë nesër (22.08) disa kuratorë dhe politikanë në ambientet e Muzeut Kombëtar të Skocisë. Poli Totem Nisga'a, i njohur gjithashtu si Poli Memorial Ni'isjoohl, u gdhend me dorë në vitet 1860. Ai përshkruan historinë e Ts'wawit, një luftëtar dhe shef i fisit përpara vdekjes së tij në një konflikt me një fis fqinj. Sipas komunitetit Nisga’a, ky totem u mor në vitin 1929 pa pëlqimin e tyre gjatë sezonit të gjuetisë dhe korrjes nga etnografi nga Québec Marius Barbeau. Më pas, totemi iu shit një muzeu skocez.

Poli Totem Nisga'a

Ottawa - Indeksi i çmimeve të konsumit shënoi shifrat 7.6% në korrik, krahasuar me një vit më parë. Kjo është një rënie prej 0.5 përqind, krahasuar me qershorin e kaluar, deklaroi Statistics Canada. Ngadalësimi i rritjes së çmimit të karburantit është arsyeja e kësaj rënie. Në një deklaratë të publikuar të martën e kaluar (16.08) agjencia federale e statistikave pohoi që çmimet e karburanteve ranë gjatë korrikut, ndërsa ato të mallrave të tjera, si gazi natyror apo ushqimet, vazhduan të rriten. Rritje pati dhe transporti, ushqimi në restorante dhe qëndrimi në hotele dhe në përgjithësi rritja e çmimeve mbetet gjithashtu më e lartë se ajo e pagave, që në korrik ishte 5.2%. Gjithnjë sipas Statistics Canada, shporta e mallrave ushqimore në korrik 2022 kushtoi 9,9% më shtrenjtë se në korrik 2021.

 

Ottawa - Numri i kanadezëve që përdorin frengjishten si gjuhë zyrtare është në rritje, por përqindja që ata përfaqësojnë në shkallë vendi ka rënë qysh nga viti 2016, sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021 të publikuara të mërkurën (17.08) nga Statistics Canada. Nga viti 2016 deri në vitin 2021, numri i kanadezëve gjuha e parë zyrtare e folur e të cilëve është frengjishtja u rrit nga 7.7 milionë në 7.8 milionë (rritje prej 1.6% gjatë pesë viteve). Megjithatë, kjo rritje është më e ulët se ajo e  rritjes së popullsisë kanadeze në masën 5.2%. Prandaj, pesha e frengjishtes është zvogëluar në Kanada. Përqindja e kanadezëve për të cilët frengjishtja është gjuha e parë zyrtare e folur në fakt është ulur, nga 22.2% në 2016 në 21.4% në 2021. Ky trend në rënie nuk është i ri. Që nga viti 1971, viti i parë i regjistrimit për të cilin u mblodhën informacione për gjuhën e parë zyrtare të folur, pesha demografike e frëngjishtes në Kanada ka ardhur në rënie. Atë vit, frëngjishtja ishte gjuha e parë zyrtare e folur nga 27.2% e kanadezëve.

 

Ontario - Kryeministri i Ontarios Doug Ford, ndodhet për vizitë në provincat e Atlantikut, për të diskutuar me homologët e tij rreth sfidave të sistemit shëndetësor të Kanadasë. Ai sot (21.08) është takuar me kryeministrin e Nova Scotia, Tim Houston, takim që i parapriu një samiti të kryeministrave të provincave atlantike që do të fillojë nesër në Moncton të New Brunswick. Doug Ford më pas do të takohet individualisht edhe me kryeministrin e New Brunswick, Blaine Higgs, kryeministrin e Princ Edward Island, Dennis King si dhe me Ministrin Federal të Çështjeve Ndërqeveritare, Dominic LeBlanc. Samiti i Moncton do fokusohet në çështjet e sistemit të kujdesit shëndetësor, në kushtet kur pavionet e urgjencës në të gjithë vendin po përballen me mungesë personeli.

Doug Ford

Edmonton - Në një finale të tensionuar dhe plot suspens, Kanadaja vuajti jo pak, por në fund arriti të fitojë mbrëmë (20.08) në Edmonton (Alberta) Kampionatin Botëror të Hokejit për të rinj, duke mundur Finlandën me rezultation 3-2 në kohën shtesë. Mason McTavish shënoi golin e artë, pak më shumë se tre minuta pas fillimit të shtesës. Kjo është hera e 19-të që Kanadaja kurorëzohet me medaljet e arta në këtë aktivitet. Titulli i fundit për kanadezët datonte në vitin 2020. Kanadaja e përfundoi turneun e sivjetëm me një rekord perfekt prej shtatë fitoresh. Mason McTavish u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, u shpall pjesë e Ekipit All-Star si dhe sulmuesi dhe lojtari më i mirë i kampionatit. Ai grumbulloi 17 pikë dhe shënoi 8 gola në 7 ndeshje. Kjo ishte hera e pare që Kanadaja dhe Finlanda përballeshin në finale.

Rogers Place Edmonton - Alberta

©Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, The Canadian Press, Associated Press