Java kanadeze - Lajme shkurt 28 gusht 2022

Pow-wow Kanesatake e komunitetit Mohawk
-Québec, nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet provinciale të 3 tetorit
-Ontario, hokejisti Nazem Kadri çon në London dhe në xhaminë e qytetit kupën Stanley
-Alberta, dhunohet verbalisht zv.kryeministrja Chrystia Freeland
-British Columbia, ende nuk ka përfunduar sezoni i zjarreve në pyje
-Manitoba, nderohet sakrifica e ushtarëve aleatë në Luftën e Dytë Botërore
-New Brunswick, një lundërtar nga Lamèque përshkon Atlantikun me velierë
Québec (QC) - Zv.guvernatori i Québec, Michel Doyon, shpërndau sot në mëngjes (28.03), me kërkesë të kryeministrit në detyrë François Legault, Asamblenë Kombëtare dhe dekretoi zyrtarisht nisjen e fushatës zgjedhore 36-ditore që do të kulmojë me ditën e zgjedhjeve, 3 tetor. Duke dalë nga Parlamenti, i pyetur nga gazetarët, kryeministri Legault deklaroi se objektivi i tij ishte të fitojë 63 deputetë, pra shumicën e thjeshtë, pa përmendur, siç kishte bërë më parë, synimin për të marrë një shumicë të fortë. “Nuk duhet marrë asgjë si e mirëqenë paraprakisht”, pohoi ai, në krah të bashkëshortes së tij, Isabelle Brais, duke shtuar se pesë prioritetet e fushatës për partinë që qeveris prej 4 vitesh do jenë ekonomia, arsimi, mjedisi, shëndetësia dhe identiteti kombëtar, duke përfshirë mbrojtjen e gjuhës frënge. Zyrtarisht, këtë vit janë gjithsej 26 parti në garë, por vetëm 5 prej tyre përfaqësohen aktualisht në Parlament: Koalicioni Avenir Québec i Legault, Partia Liberale e Québec, Québec Solidaire, Partia Québécois (indipendentiste) dhe Partia Konservatore e Québec. Edhe pse pankartat elektorale nisën të shfaqen vetëm sot, në realitet fushata kishte nisur ditë më parë. Prej disa javësh partitë politike kanë transmetuar reklama në media. Drejtori i Përgjithshëm i Zgjedhjeve të provincës, ka shprehur keqardhjen e tij për këtë fakt, duke kujtuar që ekziston një boshllëk ligjor, sepse periudha parazgjedhore nuk është e rregulluar me ligj.
London (ON) - Lojtari i ekipit të hokejit mbi akull Calgary Flames, Nazem Kadri, u prit si hero dje (27.08) në vendlindjen e tij në London të Ontarios, ku ai sipas traditës, çoi Kupën Stanley, të fituar këtë vit si pjestar i Colorado Avalanche. Parada filloi me një ndalesë në xhaminë e qytetit, që frekuentohet rregullisht nga familja e tij me origjinë libaneze dhe përfundoi në Victoria Park, ku ai mbërriti hipur mbi një kamion zjarrfikës, bashkë me bashkëshorten, mbesën e tij dhe kupën në duar. 31-vjeçari, i cili është muslimani i pare kanadez fitues i kësaj kupe prestigjioze, nënshkroi një kontratë shtatëvjeçare prej 49 milionë dollarësh javën e kaluar me ekipin albertan Flames. Kthimi atje ku filloi gjithçka, për të festuar suksesin e tij me komunitetin, duket se ishte shumë i rëndësishëm për Nazem Kadrin. “Është pjesë e rrugëtimit tim, janë rrënjët e mia, kush jam unë, ndaj dhe mendoj se komuniteti e meriton këtë respekt, sepse ai më inkurajoi që në fillim dhe une doja ta ndaja suksesin tim me të gjithë”, deklaroi ai për mediat.
Grande Prairie (AB) - Gjatë një vizite të premten e kaluar (26.08) në Grande Prarie të Alberta-s, ku do të takohej me kryetaren e bashkisë, teksa brenda një godine po drejtohej për të hyrë në një ashensor, zv.kryeministrja e Kanadasë, Chrystia Freeland, me origjinë nga kjo provincë, është bërë objekt i dhunës verbale. Ngjarja fillimisht u bë e ditur nga një video që zgjat 14 sekonda, e shpërndarë në Twitter nga një grup që ka kundështuar rregullisht masat shëndetësore anti COVID-19. Në video shihej një burrë trupmadh i cili e ofendon Freeland dhe së bashku me një grua i thonë asaj që të largohet nga Alberta, se për të nuk ka më vend aty. Shumë politikanë kanë reaguar duke e dënuar ngjarjen dhe duke e cilësuar dhunën verbale të ushtruar ndaj saj të patolerueshme. Ndër ta dhe kryeministri në detyrë Jason Kenney, i cili ka shtuar që ajo është gjithmonë e mirëpritur në vendlindje.
Victoria (BC) - Shërbimi i luftës kundër zjarreve në pyje i provincës British Columbia, BC Wildfire, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve këtë javë që të mos e ulin nivelin e kujdesit të tyre kur bëhet fjalë për zjarret, i nxitur nga parashikimet e motit, sipas të cilave, stuhitë gjatë fundjavës mund të shkaktojnë zjarre të rinj. Edhe pse sezoni i zjarreve këtë vit deri tani është më i qetë se në 2021, me rreth 400 km2 pyje të djegur krahasuar me 8,700 km2 vitin e kaluar, moti i thatë në javët e fundit dhe rritja e numrit të stuhive mund të provokojnë të papritura. Tashmë 390 zjarre të rinj janë raportuar gjatë javës së kaluar, sipas BC Wildfire. Mbi 70% e zjarreve të raportuar deri më sot janë shkaktuar nga rrufeja.
Dauphin (MB) - Një ceremoni posaçme u zhvillua dje (27.08) në Dauphin, në veriperëndim të Winnipeg, në kujtim të 15 aviatorëve të Commonwealth të varrosur në Varrezat Riverside, të cilët humbën jetën teksa ndiqnin një program trajnimi ushtarak, rreth 80 vjet më parë. Një pllakë përkujtimore graniti u zbulua me këtë rast. Në dhjetor 1939, pat qenë nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare midis Kanadasë, Britanisë së Madhe, Australisë dhe Zelandës së Re, për të realizuar trajnimin e aviatorëve ushtarakë të Commonwealth larg zonave të luftës. Më shumë se 131,000 të tillë u trajnuan në Dauphin për të mbështetur pjesëmarrjen e Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Realizimi i këtij programi në Dauphin të Manitoba-s konsiderohet si një nga kontributet më të mëdha të Kanadasë në fitoren e forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore.
Miscou Island (NB) - Guillaume Haché nga Lamèque (NB) është kthyer në Kanada të premten (26.08), duke zbritur në portin e ishullit Miscou kur e priste familja, pas një udhëtimi disajavor në oqeanin Atlantik (veçanërisht përgjatë brigjeve të Greenland dhe Newfounland) me anijen e tij me vela, të gjatë 46 këmbë. Guillaume Haché fillimisht shkoi me avion në Britaninë e Madhe prillin e kaluar për të blerë një anije me vela evropiane. Pas disa muajsh punë riparimesh, “Roly Jay” u nis më 21 korrik nga Anglia për të përshkuar Atlantikun, me tre anëtarë ekuipazhi në bord. Deti i Irlandës, Islanda, Greenland, Newfoundland, ishulli Anticosti, kjo ishte lista e vendeve të aventurës së Guillaume Haché, i njohur më shumë në vendlindjen e tij si pronar i kafenesë “Aloha” në Lamèque. “Në përgjithësi, udhëtimi shkoi shumë mire dhe ekuipazhit iu desh të përballej vetëm me një stuhi të vogël”, deklaroi ai për mëdiat.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada
*Në foton kryesore lart, kryeministri i Alberta-s Jason Kenney dhe zv.kryeministrja e Kanadasë, Chrystia Freeland.