Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 4 shtator 2022

Prince Edward Island

 

-British Columbia, reduktohet shërbimi i urgjencës këtë fundjavë

-Alberta, 400 ha në Parkun Kombëtar Jasper përfshihen nga zjarri

-Manitoba, pikturë murale mbi historinë e shkollave rezidenciale në Muzeun e të Drejtave të Njeriut në Winnipeg

-New Brunswick, kryeministri Higgs dorëzon në Ottawa propozimet për tarifikimin e karbonit

-Nova Scotia, mungesa e personelit prek shërbimin publik në bashkinë Halifax

-Prince Edward Island, zbulohen në breg të Atlantikut fosile ndoshta 300 milion vjeçare

-Newfoundland, 8 të plagosur pas shpërthimit të një rafinerie në Come By Chance

 

British Columbia - Sipas autoriteteve shëndetësore të British Columbia, disa departamente të urgjencës spitalore dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor i kanë reduktuar orët e tyre të shërbimit këtë fundjavë të gjatë, për shkak të mungesës së stafit. Për shembull, dhoma e urgjencës në Spitalin Memorial Helmcken në Clearwater, 120 kilometra nga Kamloops, u mbyll dje (03.09) në orën 18:00 dhe u rihap sot në orën 07:00 të mëngjesit. Ndërkohë, dhomat e urgjencës në Spitalin Ashcroft, rreth 200 kilometra larg, do jenë të mbyllura deri nesër (05.09). Në rast urgjence, publikut iu kërkua të shkojë në Spitalin Mbretëror Inland në Kamloops. Kryebashkiakët e lokaliteteve të prekura dhe ekspertët theksojnë se efektet kaskadë të pandemisë e kanë vështirësuar punën e personelit shëndetësor në zonat rurale, por edhe pjesa qëndrore dhe veriore e Vancouver Island, po vuan gjithashtu nga kjo mungesë stafi. Sipas Island Health, dhoma e urgjencës së spitalit Port Hardy u mbyll që nga e premtja (02.09) dhe u rihap sot në mëngjes. Publiku ishte ftuar të shkonte në urgjencën e spitalit Port McNeil, rreth dyzet kilometra larg.

 

Alberta - Qysh prej ditës së enjte (02.09) ekipet e zjarrfikësve po përpiqen të frenojnë përhapjen e një zjarri që ra në Parkun Kombëtar Jasper në Alberta dhe të mos lejojnë dëmtimin e linjave elektrike të qytetit me të njëjtin emër. Sipas Parcs Canada, zjarri i malit Chetamon, rreth 315 km në jugperëndim të Edmonton, i cili përfshiu më shumë se 400 hektarë, u shkaktua nga rrufeja. Po kështu, Environment Canada emetoi një buletin të posaçëm për të paralajmëruar prekjen e cilësisë së ajrit dhe reduktimin e vizibilitetit në disa sektorë, duke përfshirë disa qytetet dhe rrethinat e tyre si Calgary, Jasper, Canmore, Grande Prairie dhe Okotoks, ndërsa dje (03.09) Parcs Canada mbylli zonat rreth Snaring Roads dhe Celestine Lake, duke përfshirë edhe hapësirat e kampingut. Ulje-ngritjet nga pista ajrore e Jasper gjithashtu u kufizuan. Avionë të posaçëm janë vënë po ashtu në përdorim për vendosjen nën kontroll të zones së zjarrit. Aktualisht rreth 50 zjarre të tjerë kanë shpërthyer në Alberta.

Mount Chetamon

Manitoba - Një pikturë murale interaktive që evokon përvojën e metisëve të shkollave rezidenciale është vepra qëndrore e një ekspozite të hapur së fundi në Muzeun Kanadez për të Drejtat e Njeriut në Winnipeg (Canadian Museum for Human Rights). Métis Memories of Residential Schools ka për autorë Yvonne Poitras-Pratt, Billie-Jo Grant, Judy Daniels, Angie Crerar dhe Lewis Lavoie nga Alberta. Kur shihet nga distanca, mozaiku i 24 imazheve formon një brez tradicional metis të kuq dhe blu. Punimit i është kushtuar edhe një faqe interneti që shpjegon secilin nga panelet. Ndërsa një kopje e muralit do jetë e ekspozuar në muze deri më 13 janar 2023, origjinali ndodhet në Métis Crossing, rreth 120 km në verilindje të Edmontonit. Një kopje tjetër iu dorëzua Papës kur delegacioni metis vizitoi Romën në fillim të këtij viti. 

https://www.muralmosaic.com/metis-memories/

Métis Memories of Residential Schools

New Brunswick - Kryeministri i New Brunswick, Blaine Higgs, i paraqiti të premten (02.09) qeverisë federale propozimin për tarifikimin e karbonit, pikërisht ditën e fundit të afatit për paraqitjen në Ottawa të një plani provincial për të vlerësuar ndotjen e karbonit deri në vitin 2030. Kryeministrat e katër provincave të Atlantikut i kishin kërkuar ministrit të Mjedisit të Kanadasë, Steven Guilbeault, shtyrjen e këtij afati, por ai e refuzoi kërkesën. Nga ana e tij, Blaine Higgs, në një komunikim me mediat i vuri në pikëpyetje efektet e taksës së karbonit si një mënyrë për të inkurajuar njerëzit të reduktojnë konsumin e tyre të karburanteve fosile, duke përfshirë benzinën. “Çfarë ka ndryshuar përveç rritjes së kostos së jetesës për shumë qytetarë? Cilat janë rezultatet? A kemi parë ndonjë ndryshim në konsum si rezultat i kësaj?”, u shpreh ai. Provinca New Brunswick i ka përdorur të ardhurat nga taksa e karbonit për të financuar programe publike dhe për të ofruar lehtësi tatimore. Taksa e karbonit për benzinën në New Brunswick është 11 cent për litër këtë vit. Ajo do të rritet në 14 cent për litër më 1 Prill 2023. Këto norma përcaktohen nga autoritetet federale. Qeveria Higgs e miratoi këtë taksë në vitin 2020, por uli me 4 cent taksën provinciale të benzinës për të zvogëluar ndikimin e saj te konsumatorët.

Blaine Higgs

Nova Scotia - Edhe pse administrata e Halifax po punon për zgjidhjen e problemit të mungesave të personelit që po pengojnë sektorin e shërbimeve publike, kryebashkiaku Mike Savage ka paralajmëruar ditët e fundit se kjo do të jetë një betejë e vështirë. “Është e njëjta arsye që po shkakton probleme kudo, në restorantet që janë mbyllur, në projektet e ndërtimit të pezulluara, në sektorin e shërbimeve shëndetësore, pra ka mungesë të fuqisë punëtore në të gjitha nivelet”, ka pohuar ai, i cituar nga Radio-Canada. Për momentin, në Halifax mungesa e personelit prek autobusët, tragetet dhe grumbullimin e mbetjeve. Bashkia filloi të reduktojë frekuencën në disa linja të autobusëve qysh në korrik dhe javën e kaluar njoftoi edhe reduktime të ngjashme në shërbimin e trageteve. Më shumë se 70 udhëtime me autobus janë anuluar dhe ky numër mund të luhatet nga dita në ditë në varësi të disponibilitetit të stafit. Edhe frekuenca e tragetit që nisej nga Alderney u ul. Ai tani funksionon çdo 30 minuta pas orës 14:00 dhe jo çdo 15 minuta si më parë. Sa i përket grumbullimit të mbetjeve, në disa raste ai është vonuar dhe madje është anuluar plotësisht dy herë gjatë verës.

Mike Savage

Prince Edward Island - Sipas një raportimi të Radio-Canda, besohet se gjetja e fosileve që datojnë miliona vjet më parë, si ajo e zbuluar më gusht 2022 në një plazh në Prince Edward Island, mund të bëhet gjithnjë e më e zakonshme në provincat e Atlantikut. Lisa Cormier, një mësuese e cila ishte duke shëtitur në një plazh në Cap-Egmont, gjeti 22 gushtin e kaluar një fosil që mund të datojë 300 milionë vjet më parë. Zbulimi i zonjës Cormier, i publikuar nga Radio-Canada Acadie javën e kaluar, bëri dhe xhiron e shtypit ndërkombëtar. Paleontologia Jade Atkins, ka pohuar se ka shumë fosile të varrosura në tokë në brigjet e Atlantikut dhe erozioni i përshpejtuar do t'i bëjë ato akoma dhe më të dukshme.

Lisa Cormier

Newfoundland - Një shpërthim që ndodhi pasditen e së premtes (02.09) në rafinerinë e qytetit të vogël Come By Chance, në provincën Newfoundland dhe Labrador, shkaktoi tetë të plagosur, pesë prej të cilëve u transportuan me helikopter në spitalin e St John’s, rreth 150 km në juglindje të vendit ku ndodhi incidenti. Vetëm një nga tetë të plagosurit doli nga spitali i Clarenville, pasi u trajtua, ndërsa dy të tjerë janë ende të shtruar atje, deklaruan autoritetet shëndetësore. Sipas RCMP, pas ngjarjes nuk ka më asnjë rrezik në rafineri dhe të gjithë punonjësit e pranishëm u kontaktuan. Dëshmitarë okularë thanë se shpërthimi në rafinerinë Come By Chance ndodhi rreth orës 16:00 dhe ambulanca të shumta ndodheshin në vendngjarje rreth orës 17:30. Come By Chance është një komunitet prej vetëm 208 personash, sipas regjistrimit të vitit 2021. “Të gjithë e njohin njëri-tjetrin”, deklaroi kryebashkiakja Carol Molloy. Rafineria është burimi kryesor i punësimit për Come By Chance si dhe për komunitetin fqinj të Arnold's Cove me rreth 1000 banorë.

Rafineria e Come By Chance

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada