Java Kanadeze - Lajme shkurt 11 shtator 2022
-Charles III shpallet kryetar i shtetit kanadez
-British Columbia, kërkohet përmirësimi i shërbimit të West Coast Express në Greater Vancouver
-Alberta, prej zjarreve përkeqësohet cilësia e ajrit në një pjesë të konsiderueshme të provincës
-Saskatchewan, komuniteti autokton James Smith apelon për më shumë qendra trajtimi për toksikomanët
-Newfoundland, provinca i lutet Ottawa ta përjashtojë akoma nga taksa e karbonit për mazutin e ngrohjes
-Ontario, qeveria e Doug Ford pritet të përballet me sindikatat e shëndetësisë dhe arsimit
Ottawa - Mbreti Charles III u shpall zyrtarisht kreu i shtetit kanadez të shtunën (10.09) në mëngjes gjatë një ceremonie në Rideau Hall. Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, kryeministri Justin Trudeau dhe anëtarët e kabinetit u mblodhën pak pas orës 10:00 për të nënshkruar miratimin e dekretit dhe Proklamatës për pranimin e sovranit të ri. I ulur pranë Guvernatores Simon, Kryeministri Trudeau tha: “A mund të vazhdojmë me shpalljen e proklamimit”? Guvernatorja e Përgjithshme pohoi me kokë dhe të dy nënshkruan miratimin e dekretit. Pas një momenti të shkurtër heshtjeje, të gjithë të ftuarit në dhomë duartrokitën për nder të mbretit Charles III, i cili sapo ishte shpallur kreu i shtetit kanadez. Chief Herald of Canada, Samy Khalid, më pas lexoi publikisht shpalljen e pranimit të sovranit të ri, që u pasua nga një ceremoni solemne me të shtëna topi, bori dhe trumpeta. “Lartësia e Tij Mbretërore Princi Charles Philip Arthur George, është tani Charles III, me hirin e Zotit, Mbret i Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Kreu i Komonuelthit, Mbrojtësi i Besimit, të cilit ne i akordojmë gjithë besnikërinë”, deklaroi Chief Herald of Canada, i cili në fund thirri “rroftë Mbreti”! Banda frymore e Forcave të Armatosura Kanadeze interpretoi “God Save the King” gjatë përshëndetjes me topa dhe më pas vazhdoi me himnin kombëtar “O Canada”.
Vancouver - Banorët dhe disa kryebashkiakë të Metro Vancouver po bëjnë thirrje për një përmirësim "urgjent" të shërbimit të West Coast Express (WCE), një linjë hekurudhore udhëtarësh me tetë stacione që lidh Mission me qendrën e Vancouver. Sipas Shoqatës për Zgjerimin e WCE, kjo linjë nuk ka evoluar që nga fillimi i shfrytëzimit më 1 nëntor 1995, ndërkohë që, rajoni Tri-Cities, i cili përfshin Coquitlam, Port Coquitlam dhe Port Moody, nga 170,000 banorë që kishte në 1996, tani ka më shumë se 243,000 dhe parashikohet të ketë 400,000 në vitin 2050. Aktualisht, popullsia në rritje e këtyre komuniteteve përfiton në orët e pikut në mëngjes dhe mbrëmje vetëm pesë nisje. Më konkretisht, grupi i qytetarëve bën thirrje për zgjatjen e shërbimit me një orë në mëngjes dhe mbrëmje, shtimin e shërbimit në fundjavë dhe ditët e festave të përcaktuara me ligj, shtimin e shërbimit të dyanshëm midis Port Coquitlam dhe qendrës së Vancouver, me një stacion shtesë në Burnaby dhe një stacion shtesë në Hastings Park, shtimin e shërbimit të dyanshëm midis Port Coquitlam dhe Mission, me një stacion shtesë në Maple Ridge si dhe shtimin e një linje paralele hekurudhore për të lejuar shërbimin me dy drejtime gjatë gjithë ditës. Synimi i kërkesave qytetare është që WCE të kthehet në një shërbim të shpejtë tranziti të dyanshëm që funksionon çdo ditë.
Edmonton - Environment Canada ka emetuar dje (10.09) një paralajmërim të veçantë për cilësinë e ajrit, për pjesën më të madhe të provincës Alberta (rreth 60 rajone dhe lokalitete) për shkak të tymit nga zjarret në provincën fqinjë British Columbia. Aktualisht numërohen 191 zjarre aktivë në British Columbia, shumica afër kufirit ndërprovincial. Environment Canada njoftoi se tymi përkeqëson cilësinë e ajrit dhe në disa raste redukton vizibilitetin. Tymi është gjithashtu i pranishëm në Parkun Kombëtar Jasper, për shkak të zjarrit në malin Chetamon. Megjithatë, edhe pse tymi është i pranishëm në shumicën e rajoneve të Alberta-s, në përgjithësi cilësia e ajrit konsiderohet me rrezik të ulët, sipas normave në fuqi të Environment Canada. E vetmja zonë më e rrezikuar me një indeks të moderuar ose të lartë është aktualisht Greater Edmonton.
James Smith - Pas masakrës me armë të ftohta që ndodhi të dielën e kaluar (04.09), Wally Burns, shefi i komunitetit autokton James Smith Cree dhe drejtues të tjerë autoktonë në Saskatchewan, u kanë bërë thirrje qeverive provinciale dhe federale të financojnë ngritjen e qendrave të trajtimit të toksikomanisë në rezervat indigjene. “Ne duhet të mbrojmë komunitetin tonë dhe të luftojmë drogën dhe alkoolin”, u deklaroi ai gazetarëve në një konferencë shtypi të enjten (08.09). Ndërsa Rob Head, shefi i fisit Peter Chapman - një nga tre fiset që përbëjnë komunitetin autokton James Smith Cree - tha për CBC se disa nga anëtarët e familjes së tij kanë varësi nga metamfetamina dhe kanë nevojë për qendra trajtimi afatgjatë. Sipas ekspertëve në fushën e komuniteteve autoktonë, përdorimi i drogave është më i përhapur tek ata për shkak të kolonizimit, shkollave rezidenciale dhe traumave të trashëguara ndër breza. Aktualisht, komuniteti James Smith nuk ka objekte që mund të ofrojnë mbështetje afatgjatë për njerëzit që luftojnë me varësitë nga drogat e ndryshme, siç është rasti në shumë komunitete autoktonë në të gjithë vendin. Sipas faqes së internetit të Qeverisë së Kanadasë, në Saskatchewan, ka gjithsej 10 qendra trajtimi posaçërisht për autoktonët, por qendra më e afërt për trajtimin e personave madhorë me komunitetin James Smith, ndodhet në Princ Albert, në distancë rreth 60 kilometra.
St-John’s - Kryeministri i Newfoundland dhe Labrador i është lutur sërish Ottawa-s që të vazhdojë të përjashtojë për këtë provincë mazutin për ngrohje nga taksa e karbonit. Dokumentet që disponon Radio-Canada tregojnë megjithatë se provinca ka shumë pak liri veprimi, nëse dëshiron të bindë qeverinë federale të mbajë në fuqi përjashtimin, sepse taksa e karbonit e vendosur nga qeveria federale duhet të trefishohet deri në vitin 2030, por kryeministri Andrew Furey beson se ky taksim, në një kohë kur çmimet e karburanteve janë tashmë rreth 60 për qind më të larta se vitin e kaluar, do të sillte një barrë të panevojshme ekonomike për banorët e provincës. Duke filluar nga viti i ardhshëm, çmimi federal për ndotjen e karbonit, një politikë që synon të dekurajojë përdorimin e lëndëve djegëse fosile duke i bërë ato në mënyrë progresive më të shtrenjta, do të rritet më shpejt - me 15 dollarë për ton në vit, në vend të 10 dollarëve. Çmimi aktual është 50 dollarë për ton, por do të rritet në 170 dollarë për ton në vitin 2030. Ottawa u lejon provincave të hartojnë sistemin e tyre të çmimeve, nëse ato dëshirojnë. Ato kishin kohë deri më 2 shtator për të përgatitur dhe dorëzuar në qeverinë qendrore një plan për përmbushjen e objektivave federale deri në vitin 2030. Sipas sistemit federal të taksimit, të ardhurat rishpërndahen drejtpërdrejt te banorët, por sistemi i miratuar deri më tani në Newfoundland dhe Labrador riinveston të ardhurat nga taksat e karbonit në programe dhe shërbime provinciale. Andrew Furey në letrën adresuar Trudeau ka theksuar se nëse përjashtimet hiqen, banorët që ngrohin shtëpitë e tyre me mazut do paguajnë 17.38 cent më shumë për litër duke filluar nga prilli 2023. Ai beson se çmimi aktual i mazutit për ngrohje është tashmë mjaftueshëm i lartë për të inkurajuar banorët që të kalojnë drejt ngrohjes me energji elektrike, duke vënë në dukje se në zonën e St-John’s çmimi aktualisht është 152.48 cent për litër, një rritje kjo prej 57% në raport me vitin e kaluar.
Andrew Furey
Toronto - Ligji 124, inflacioni, mungesa e fuqisë punëtore, rikthimi në klasa i nxënësve: edhe pse me një shumicë të konsiderueshme në Parlamentin provincial, qeveria e kryeministrit të Ontario-s Doug Ford, do të duhet të përballet seriozisht me sindikatat këtë vjeshtë. Në veçanti, ajo duhet të negociojë një marrëveshje të re me infermierët si dhe me disa sindikata në sektorin e arsimit, kontratat kolektive të të cilave skaduan më 31 gusht. A i jep të drejtë kryeministrit Ford rezultati i zgjedhjeve të vendosë kushtet që dëshëron? Profesori i Marrëdhënieve Industriale në Universitetin Laurentian, Louis Duran, mendon që jo. Sipas tij, “shkalla e ulët e pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit dhe fakti që qeveria Ford ka marrë realisht mbështetjen e vetëm 18% të popullsisë mund të jetë një element në favor të sindikatave”. Në sektorin e shëndetësisë, qeveria do hyjë në bisedime zyrtare me Shoqatën e Infermierëve të Ontarios, me të cilën po përballet edhe në gjykatë. Sindikata, e cila përfaqëson 68,000 infermierë dhe profesionistë shëndetësorë, do tentojë nësër (12.09) në gjyq të shfuqizojë ligjin 124. Sistemi shëndetësor po përballet me një mungesë të madhe infermierësh, gjë që po detyron disa spitale të mbyllin përkohësisht dhomat e urgjencës dhe t’u drejtohen agjencive private të rekrutimit të infermierëve. Për shembull, në Rrjetin Shëndetësor Universitar, shuma e shpenzuar për punësimin e infermierëve nga sektori privat është rritur nga afërsisht 775,000 dollarë në 2021 në më shumë se 6.7 milion dollarë në 2022. Në sektorin e arsimit, negociatat me sindikatat paralajmërojnë të jenë akoma më të vështira. Sindikata që përfaqëson punonjësit e arsimit ka deklaruar tashmë publikisht se oferta e qeverisë për t'u dhënë punonjësve të arsimit të cilët fitojnë më pak se 40,000 dollarë një rritje prej 2% në vit dhe 1.25% gjithë të tjerëve, do të thotë “ulje pagash për këtë kategori punonjësish të arsimit”.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada, The Canadian Press/Adrian Wyld, BBC/Getty Images