Kanada - 15 përfaqësues shtetërorë do marrin pjesë në funeralin e Elisabeth II
Kabineti i Kryeministrit Justin Trudeau, bëri të ditur se Kanadaja do të dërgojë një delegacion me 15 përfaqësues shtetërorë në ceremoninë e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II, që do të zhvillohet të hënën e ardhshme, 19 shtator, në Westminster Abbey, Londër. Ndërkohë, katër figura të njohura publike kanadeze do jenë gjithashtu pjesë e paradës së personaliteteve që kanë marrë ndër vite dekorata mbretërore.
Në listën e delegacionit zyrtar kanadez të publikuar sot dhe që do fluturojë nesër (16.09) në ora 09:00 të mëngjesit drejt Mbretërisë së Bashkuar, bëjnë pjesë kryeministri Justin Trudeau dhe bashkëshortja, Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe bashkëshorti, ish-guvernatorët e përgjithshëm Michaëlle Jean dhe David Johnston si dhe ish-kryeministrat Kim Campbell, Jean Chrétien, Paul Martin dhe Stephen Harper.
Bashkë me ta do të jenë edhe tre drejtuesit e organizatave kombëtare të popujve autoktonë, përkatësisht Shefja Kombëtare e Asamblesë së First Nations, RoseAnne Archibald, Presidenti i Inuit Tapiriit Kanatami, Natan Obed si dhe Presidenti i Këshillit Kombëtar të Metisëve, Cassidy Caron. Lista mbyllet me Janice Charette, Sekretare e Këshillit Privat dhe e Kabinetit të Kryeministrit si dhe me Komisionerin e Lartë për Kanadanë në Mbretërinë e Bashkuar, Ralph Goodale.
Përveç tyre, si pjesë e paradës së lartpërmendur në kuadrin e funeralit zyrtar të Elisabeth II, do jenë muzikanti nga Québec Gregory Charles, medalisti olimpik Mark Tewksbury dhe aktorja Sandra Oh, të tre anëtarë të Urdhrit të Kanadasë, si dhe oficeri i Rojës Bregdetare Kanadeze, Leslie Arthur Palmer, i dekoruar me Kryqin e Trimërisë. Gjithashtu, në ceremoni do të jenë prezent edhe përfaqësues të Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP) dhe disa regjimenteve të Forcave të Armatosura Kanadeze, bashkë me ushtarakë të tjerë nga vendet e Commonwealth.
Në Ottawa, të hënën 19 shtator në orën 11:00, në të njëjtën kohë me ceremoninë e Londrës, në Katedralen Anglikane të Kishës së Krishtit, do të mbahet shërbesa përkujtimore kombëtare ku do marrin pjesë dy ish-kryeministrat konservatorë, Brian Mulroney dhe Joe Clark. Para shërbesës, do zhvillohet një paradë ushtarake e shoqëruar nga 96 të shtëna topi. Mbyllja e eventit do të shoqërohet me fluturimin e disa skuadriljeve të avionëve CF-18 mbi Parliament Hill dhe Katedralen Anglikane. Po kështu, me vendim të qeverisë Trudeau, 19 shtatori, në kuadrin e Zisë Kombëtare, është shpallur ditë pushimi për gjithë shërbimin publik federal.
©Flasshqip.ca
Fotot: New York Times