Kanada: Ditë pushimi për funeralin e Elizabeth II. Kush punon dhe kush pushon nesër?
Me vendim të qeverisë federale, dita e nesërme, e hënë 19 shtator 2022, do të jetë një ditë pushimi për rreth 320,000 nëpunësit publikë federalë në të gjithë Kanadanë. Kështu, pothuajse të gjitha shërbimet federale do jenë të mbyllura. Megjithatë, vendimi i qeverisë së kryeministrit Trudeau për një ditë zie kombëtare me rastin e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II nuk do ketë të njëjtin efekt në të gjithë vendin, ndaj dhe qytetarët janë udhëzuar të informohen paraprakisht, përpara se të planifikojnë të lëvizin për të marrë një shërbim apo blerë diçka.
Vendimi përfshin zyrat e Service Canada dhe zyrat e specializuara të pasaportave që u shërbejnë drejpërdrejt qytetarëve. Canada Post do bëjë gjithashtu pushim. Nuk do ketë shpërndarje postare dhe zyrat postare do jenë mbyllur. Bankat dhe shërbimet apo bizneset e tjera që rregullohen nga legjislacioni federal nuk janë urdhëruar të mbyllen, por ato mund të zgjedhin ta bëjnë këtë.
Në Québec, Ontario, Saskatchewan dhe Alberta, qeveritë provinciale kane deklaruar tashmë qartë që nesër nuk do të jetë ditë pushimi. Shërbimet provinciale dhe bizneset private do të mbeten të hapura për publikun.

Zyra e Kryeministrit të Ontarios, Doug Ford, deklaroi se 19 shtatori do të jetë një ditë zie provinciale dhe qytetarët e kësaj province janë ftuar të mbajnë një minutë heshtje në orën 13:00. Për shembull, dyqanet e LCBO do të jenë të hapur nesër, por në orën 13:00, puna do ndërpritet për të mbajtur një minutë heshtjeje. Për sa i përket transportit publik, shërbimet do të ofrohen sipas orarit normal, por në orën 13:00, të gjithë trenat dhe autobusët do të ndalojnë për një periudhë prej 96 sekondash.
Në provincat e Atlantikut, shkollat publike dhe zyrat e qeverisë provinciale do të mbyllen. Në Nova Scotia, në këtë listë janë shtuar qendrat e kujdesit për fëmijët. Përveç kësaj, Price Edward Island është e vetmja provincë që ka dekretuar ditë pushimi edhe për kompanitë private me rastin e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II. Provincat e tjera të Atlantikut ua kanë lënë zgjedhjen kompanive dhe bizneseve privatë.
British Columbia e ka shpallur gjithashtu 19 shtatorin ditë pushimi zyrtar në gjithë provincën. Institucionet shkollore dhe shumica e korporatave të Kurorës do jenë të mbyllura. British Columbia i ka ftuar gjithashtu punëdhënësit e sektorit privat që të ndjekin këtë shembull, por gjithsesi vendimi u takon këtyre të fundit.
E njëjta gjë edhe në Yukon, ku punonjësit e qeverisë dhe fëmijët do kenë një ditë pushimi. Shkollat, gjykata dhe shërbimet e tjera publike jenë të mbyllura, për të lejuar ata që dëshirojnë, t'i bëjnë nderimet e tyre Mbretëreshës. Në Northwest Territories, Kryeministrja Caroline Cochrane njoftoi se të gjitha shërbimet publike do të mbeten të hapura.
Ndërkohë, Manitoba është e vetmja provincë ku punonjësit e qeverisë që punojnë në shërbime jo esenciale do të përfitojnë një ditë pushimi, ndërsa shkollat, çerdhet dhe institucionet e kujdesit shëndetësor do të jenë të hapura.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Getty Images/Istockphoto/Themotioncloud, The Canadian Press/Patrick Doyle












