Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 18 shtator 2022

Ekipi kanadez i tenisit, çerekfinalist i Kupës Davis 2022 (foto Tennis Canada)

 

-British Columbia, nis fushata 28 ditore për zgjedhjet lokale

-Alberta, celebrohet 5 vjetori i urës Waterdale, “kartolina e Edmonton”

-Saskatchewan, trashëgimia metise prezente në universitetin provincial

-New Brunswick, prodhuesit lokalë ankohen për monopolin e NB Liquors

-Ontario, filmi The Fabelmans i Stiven Spielberg vlerësohet me Çmimin e publikut në TIFF

 

British Columbia - Ka nisur dje (17.09) zyrtarish fushata për zgjedhjet lokale në provincën e Paqësorit, British Columbia. Fushata do zgjasë 28 ditë dhe zgjedhjet do zhvillohen të shtunën, 15 tetor 2022. Sipas traditës, në këtë provincë zgjedhjet zhvillohen një herë në 4 vjet, të shtunën e tretë të tetorit. Zgjedhësit gjithsesi do mund të votojnë paraprakisht edhe më 5 tetor, ndërsa në Vancouver ofrohen 5 ditë për votimin e përshpejtuar, 1, 5, 8, 11 dhe 13 tetor. Mund të votohet gjithashtu edhe përmes postës. Në British Columbia funksionojnë gjithsej 162 bashki që ofrojnë shërbime për 89% të popullsisë (komunitetet autoktonë jetojnë në rezerva që qeverisen nga këshilla fisnorë). Numri i banorëve në bashkitë e kësaj province luhatet nga 100 deri më shumë se 630,000 banorë. Këshillat përbëhen nga 5 deri 11 këshilltarë dhe nga kryetari i bashkisë. Për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale duhet të jesh 18 vjeç, të kesh shtetësinë kanadeze dhe të jesh rezident i provincës prej të paktën 6 muajsh. Ata që zotërojnë prona në bashki të ndryshme, mund të votojnë në secilën bashki ku kanë të tilla, me kusht që të jenë rezidentë të provincës dhe pronarë të paktën 30 ditë para zgjedhjeve. Rezultatet e zgjedhjeve parashikohet të shpallen në datën 19 tetor ora 16:00.

 

Alberta - Edmonton celebron sot (18.09) 5 vjetorin e inaugurimi të urës së famshme Waterdale, e ngritur mbi lumin Saskatchewan, tashmë emblemë e famshme e kryeqytetit albertan. Kjo urë krejtësisht e re, që zëvendësoi urën e vjetër, e cilësuar sot si “kartolina e Edmonton” , kushtoi 155 milionë dollarë dhe u hap për qarkullim në vitin 2017, 2 vjet pas afatit të parashikuar të ndërtimit. Lartësia e harqeve të saj është 56 metra. Ndërtimi i Waterdale pat ngjallur reagime të ndryshme, pro dhe kundër, por sot duket se kjo urë është kthyer në një instrument të vërtetë marketingu për qytetin. Janë të parët banorët e Edmonton që e bëjnë këtë marketing përmes fotove të urës, të publikuara në rrjetet sociale. Imazhi i urës përdoret edhe nga institucioni lokal që promovon turizmin, Explore Edmonton, për fushata publicitare ndërkombëtare. Sipas Traci Bednard, presidente e Explore Edmonton, e cituar nga Radio-Canada, “ura Waterdale është prova se si një realizim arkitekturor i mrekullueshëm mund të shndërrohet në një ikonë për komunitetin”.

Ura Waterdale, Edmonton

Saskatchewan - Trashëgimia e kulturës autoktone të metisëve, po bëhet tashmë prezente gjithnjë e më tepër edhe në hapësirën e Universitetit të Saskatchewan në Saskatoon. Kjo falë edhe ekspozimit së fundi, të një ekzemplari të atyre që njihen si qerret tradicionale prej druri të Red River. Kjo qerre, e punuar nga mjeshtri marangoz metis George Fayant nga lugina Qu’Appelle, u ekspozua e montuar në kampus, falë rreth 200 orëve punë, të studentëve të programit që përgatit mësues me origjinë autoktone për zonat urbane. Ky program ekziston që prej dyzet vjetësh dhe ka për qëllim të mundësojë prezencën e metisëve në sektorin e arsimit publik duke ofruar, përveç të tjerave, edhe një kurs historie të metisëve dhe të gjuhës Michif. Qerrja e montuar nga studentët është e gjitha prej druri të ricikluar dhe për t’i dhënë asaj formën përfundimtare nuk është përdorur asnjë gozhdë apo vidë prej metali. Ky objekt u vendos para godinës McLean Hall, ku ndodhet kolegji Gabriel Dumont. Prodhimi i qerres u realizua falë një financimi prej 3000 dollarësh të Universitetit të Saskatchewan. Sipas George Fayant, qerrja e Red River, flamuri bardh e blu dhe brezi vija-vija, janë simbolet e vërteta të kulturës së metisëve.

George Fayant

New Brunswick - Në provincën atlantike New Bruswick, raportohet se monopoli shtetëror i NB Liquors ka filluar të përbëjë problem dhe po shkakton frenimin e ekspansionit të prodhuesve lokalë të pijeve alkolike. Javën që shkoi, pas shqetësimeve të shprehura për këtë temë, disa deputetë dhe Auditori i Përgjithshëm i provincës, Paul Martin, kanë ngritur pikëpyetje lidhur me kompetencat e korporatës shtetërore që është kryesisht përgjegjëse për blerjen, importimin, shpërndarjen dhe shitjen e pijeve alkoolike në të gjithë provincën. Në lidhje me prodhuesit vendas të verës, birrës dhe pijeve alkoolike, roli mbështetës i NB Liquors është më pak i qartë. Sipas Sébastien Roy, pronar dhe themelues i Distilerisë “Fils du Roy”, i cituar nga Radio-Canada “ky konfuzion shpjegohet pjesërisht nga rritja e industrisë me ritme shumë të larta në dekadën e fundit dhe sepse NB Liquor dhe provinca e New Brunswick, nuk kanë qenë në gjendje të përshtaten me këtë rritje, çka krijon pengesa për ekspansionin e produkteve lokale”. Ndryshe nga vendet e tjera, Kanadaja u ka dhënë provincave monopolin në shitjet me pakicë të alkoolit. Nga ana e saj, CEO e NB Liquors, Lori Stickles, deklaroi të mërkurën (14.09) se kompania ka filluar të modernizohet për të përballuar ndryshimet në industri. “Është krijuar një plan strategjik tre-vjeçar, si përgjigje ndaj çështjeve të ngritura nga Auditori i Përgjithshëm”, tha ajo.

Distileria Fils du Roy, Petit-Paquetville NB

Ontario - Producenti dhe regjisori me famë botërore, Steven Spielberg, ka dalë triumfues pas pjesëmarrjes së tij të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF). Filmi The Fabelmans, pjesërisht i frymëzuar nga jeta e tij, u kurorëzua në kategorinë e përzgjedhjes së publikut. The Fabelmans tregon historinë e një të riu në Arizona, i cili zbulon një sekret familjar tronditës dhe përfshihet nga pasioni për kinemanë. Steven Spielberg është nxitur nga kujtimet e rinisë së tij për të bashkë-shkruajtur skenarin dhe realizuar filmin. Është gjithashtu skenari i parë që ai krijon qysh pas vitit 2001. Në film luajnë aktorët Gabriel Labelle, Paul Dano dhe Michelle Williams. Women Talking, film me regji të Sarah Polley, u rendit i dyti në kategorinë e përzgjedhjes së audiencës. Glass Onion: A Knives Out Mystery, nga Rian Johnson, u rendit i treti. Në kategorinë e dokumentarit, Çmimi i Publikut i takoi Black Ice, një film i regjisorit kanadez Hubert Davis, që i kushtohet luftës kundër racizmit në botën e hokejit.

Steven Spielberg

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, The Canadian Press/Nathan Denette

*Në foton kryesore, kryeministri kanadez Justin Trudeau, duke dale sot nga 10 Downing Street, Londër, pas takimit me homologen britanike Elizabeth Truss.