Kanadaja Atlantike përgatitet për uraganin Fiona
Media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada, ka bërë të ditur sot (22.09) se uragani Fiona mund të jetë stuhia më e fortë që godet Kanadanë lindore në 20 vitet e fundit dhe madje një nga stuhitë më të forta të regjistruara që nga fillimi i regjistrimeve përmes aparaturave të posaçme dhe që rrezikon të paralizojë disa aktivitete. Institucionet përgjegjëse tashmë kanë paralajmëruar banorët se ka të ngjarë të ketë dëme dhe madje në zona të caktuara u kanë bërë thirrje atyre të jenë të përgatitur për të mbijetuar me furnizime të paktën për një periudhë prej 72 orësh kohe të keqe, që mund të shkaktojë dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas Jean-Philippe Bégin, meteorolog në Environment Canada, stuhia me gjasë do të shkaktojë dëme, sepse priten erëra të forta, shira të rrëmbyeshëm që do të mbërrijnë njeri pas tjetrit dhe përmbytje të rrugëve pranë brigjeve. Gjithashtu si rezultat i uraganit dhe reshjeve, mund të izolohen komunitete, priten ndërprerje të shumta të energjisë elektrike dhe difektet mund të duhen disa ditë, ose të paktën disa orë, për t'u riparuar.
Parashikimi më i fundit i Environment Canada i njoftuar sot në fund të pasditës paralajmëron në dy ditët e ardhshme erëra që mund të arrijnë fuqinë e një uragani të kategorisë 2 (154-177 km/h), sasi të konsiderueshme reshjesh, nga 100 deri në 200 mm vende-vende si dhe vale në oqean prej 10 deri në 12 metra, në zonën e provincave Nova Scotia dhe Newfoundland
Qendra e stuhisë pritet të kalojë mbi Cape Breton në Nova Scotia, herët në mëngjesin e së shtunës. Me pas sistemi parashikohet të arrijë të dielën herët në Bregun e Poshtëm të Veriut, në Lindje të Québec dhe Labradorin Juglindor.
Zonat më të rrezikuara nga përmbytjet janë bregu lindor i Nova Scotia dhe zonat përgjatë ngushticës Northumberland, d.m.th. bregu lindor i Prince Edward Island dhe New Brunswick-u juglindor.
Në fillim të pasdites së sotme, uragani ishte rreth 1800 km në jugperëndim të Halifax, me erëra që frynin me shpejtësi 215 km/h.

Pozicioni i Uraganit Fiona sot 22 shtator 2022
Provincat e Atlantikut në alarm
Fiona i ka vënë në gjendje alarmi autoritetet e provincave të Atlantikut. Edhe pse uragani pritet të kthehet në një stuhi posttropikale, ndërsa i afrohet Kanadasë, kjo nuk do të thotë se intensiteti i tij do të ulet. Është struktura e sistemit që do të ndryshojë. Ajo do rritet dhe do mbulojë një territor më të madh. Shiu, ndonjëherë i dendur, do t'i paraprijë ardhjes së stuhisë.
Environment Canada ka pohuar se ka të ngjarë të ketë përmbytje dhe rrugë të dëmtuara, por mbi të gjitha janë erërat që shqetësojnë autoritetet. Me pemët plot me gjethe, ka shumë gjasa që të ketë shumë dëmtime të linjave elektrike të shkaktuara nga stuhia. Gjithashtu rreziku është më i lartë veçanërisht për godinat në ndërtim e sipër.
Nova Scotia Power ka deklaruar se do të hapë qendrën e saj të operacioneve emergjente nesër në mëngjes (23.09) për të koordinuar ekipet në terren. Ekipe shtesë do të dërgohen gjithashtu në Cape Breton.
Hydro-Québec po përgatitet gjithashtu. Pesë gjeneratorë të mëdhenj dhe një ekip prej më shumë se 20 vetësh do të vendosen në arqipelagun Îles-de-la-Madeleine në pritje të zhvillimeve të fundjavës.
Kompanitë e telekomunikacionit Bell, Telus dhe Rogers i kanë deklaruar CBC se ekipet lokale janë gati të kryejnë riparime nëse është e nevojshme. Përdoruesve u sugjerohet të marrin në konsideratë karikimin e pajisjeve të tyre elektronike paraprakisht.
Mbyllje aktivitetesh dhe anulime shërbimesh
Shume biznese dhe institucione kanë njoftuar tashmë mbyllje dhe anulime. Në Nova Scotia dhe Prince Edward Island do mbyllen parqet provinciale.
Kompania hekurudhore Via Rail njoftoi anulimin e udhëtimit të saj midis Halifax dhe Montréal të planifikuar për nesër. Shërbimi i trageteve midis Prince Edward Island dhe Nova Scotia është anuluar gjithashtu për të shtunën.
Edhe udhëtimet e trageteve të kompanisë CTMA midis Prince Ewuard Island dhe arqipelagut Îles-de-la-Madeleine janë shtyrë. Për këtë arsye qytetarët janë ftuar të kontrollojnë oraret e nisjeve në faqet internet të kompanive përkatëse. Për shkak të erërave të forta, deri të dielën mund të kufizohen dhe lëvizjen në Urën e Konfederatës.
Ndihmë për të pastrehët
Ndërsa uragani Fiona po afrohet, një organizatë komunitare në Cape Breton po përpiqet të gjejë zgjidhje për të strehuar përkohësisht të pastrehët. Christine Porter nga Ally Center në Sidney, e cituar nga Radio-Canada, ka treguar se ka komunikuar me njerëz që jetojnë në tenda, të cilët nuk ishin në dijeni të rrezikut që mund t’u vinte nga erërat e forta dhe shirat e shumtë që pritet të bien.
Në Prince Edward Island, autoritetet njoftuan krijimin e një strehë të përkohshme në Qendrën Komunitare Jack Blanchard, ku janë vendosur shtretër dhe do ofrohet ujë dhe ushqim për njerëzit që do kenë nevojë.
Fermerët e shqetësuar
Në Nova Scotia erërat e forta mund të dëmtojnë veçanërisht kultivuesit e misrit dhe mollëve. Keta të fundit janë në mes të sezonit të vjeljes. Përveç dëmtimit të frutave dhe perimeve, erërat mund të përhapin atë që quhet bakteria e zjarrit, një sëmundje që prek mollët dhe dardhat.
Tetë vjet më parë, Uragani Arthur përhapi këtë bakterie që preku 90% të drurëve të mollëve dhe dardhave në Nova Scotia dhe si rezultat, dhjetë mijë të tillë u thanë përfundimisht.
Farm Safety Nova Scotia u ka rekomanduar anëtarëve të kontraktojnë sigurim për të korrat. Gjithashtu ata janë këshilluar që kafshët t’i strehojnë në ndërtesa të mbrojtura nga rreziku i përmbytjeve.
©Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: Colorado University/CIRA, Radio-Canada












