Java Kanadeze - Lajme shkurt 25 shtator 2022

-Provincat atlantike, pas uraganit ende qindra mijëra shtëpi pa energji elektrike
-British Columbia, kompania e sharrave Canfor redukton aktivitetin prej inflacionit
-Alberta, pas dy viteve rikthehet në Calgary festivali Beakerhead
-Saskatchewan, pas tragjedisë në James Smith autoktonët rekomandojnë ndryshime
-Québec, zhvillohet edicioni i 30-të i maratonës së Montréal
-Ontario, manifestim kundër dhumës me armë në Toronto
Provincat atlantike - Ndonëse e ka humbur pak forcën, uragani Fiona ka vazhduar të sjellë erëra të forta në disa zona bregdetare në lindje të vendit. Ndërkohë, shumë prej zonave që u përfshinë nga stuhia posttropikale janë ende të mbuluara nga errësira. Deri në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm 392,599 shtëpi në New Brunswick, Prince Edward Island, Newfoundland dhe Labrador, Québec dhe Nova Scotia ishin pa energji elektrike. Numri më i madh i shtëpive pa energji elektrike ndodhet në Nova Scotia, provincë ku qeveria federale vendosi të dërgojë ushtrinë për ndihmë. Ushtria do dërgohet gjithashtu për ndihmë edhe në Prince Edward Island dhe Newfoundland. Bilanci i i detajuar i klientëve pa energji elektrike është ky: New Brunswick 19,842; Nova Scotia 269,054; Prince Edward Island 82,448; Newfoundland dhe Labrador 3,513; Québec 400. Qendra Kanadeze e Uraganeve në buletinin e saj të fundit të publikuar sot në mëngjes (25.09) njoftonte që Fiona e ka humbur intensitetin, por intensiteti i erërave ka vijuar me një shpejtësi rreth 80 km/h. Deri tani, vetëm dy persona janë raportuar të vdekur, i pari në Prince Edward Island dhe një tjetër në Newfoundland.

British Columbia - Për shkak uljes së kërkesës në treg, kompania e njohur Canfor, ka njoftuar reduktimin deri në fund të vitit, të prodhimit të saj në shumicën dërrmuese të sharrave që operojnë në provincën British Columbia. Prodhimi do reduktohet në mënyrë drastike për dy javë nga 26 shtatori dhe më pas do të vazhdojë në mënyrë të reduktuar deri në fund të vitit. “Rënia e prodhimit të drurit masiv ka ardhur për shkak të rënies së kërkesës gjatë muajve të fundit”, ka deklaruar zëdhënësi i kompanisë. Sipas komunikatës për mediat, inflacioni dhe rritja e normave të interesit janë shkaku kryesor për këtë situatë të pafavorshme. Për të minimizuar ndikimin tek punonjësit, është parashikuar që ata të kryejnë mirëmbajtje dhe aktivitete të tjera. Ndërkohë, qysh nga fundi i gushtit, Canfor pat njoftuar gjithashtu një reduktim prej 15% të prodhimit në sharrat e saj në Suedi.

Alberta - Në Calgary u zhvillua këtë fundjavë (23-25 shtator) me një pjesëmarrje masive Festivali Beakerhead. Në qendër të metropolit albertan, mijëra njerëz mundën të shijojnë një sërë aktivitetesh pa pagesë, të tilla si shfaqje muzikore ose shfaqje cirku. Nga një koncert me temën e Star Wars te veprat gjigante të artit, kishte diçka për të gjithë aty. Ndër ato që ranë në sy ishte një ekzoskelet katër metra i lartë dhe që peshon më shumë se 4000 kilogramë, i drejtuar nga një njeri. Nga organizatotët ky është konsideruar si një rikthim me bujë të madhe, sepse dy vitet e fundit, eventi tradicional nuk u zhvillua për shkak të COVID-19.

Saskatchewan - Shefi i Këshillit Fisnor Autokton të Saskatoon, Mark Arcand, motra dhe nipi i të cilit u vranë me thika nga dy vëllezërit Sanderson më 4 shtator 2022, ka deklaruar se ka nevojë për më shumë shërbime të udhëhequra nga vetë autoktonët për të ndihmuar komunitetet të merren me tragjeditë dhe çështjet e shëndetit mendor. Sipas tij, këto shërbime u provua se janë thelbësore në mbështetjen e familjeve për kapërcimin e tragjedisë që ndodhi në komunitetin James Smith Cree Nation dhe fshatin aty pranë Weldon. Arcand i bëri komentet në Samitin Kombëtar të Shëndetit Mendore të Autoktonëve të mbajtur të premten (23.09) në Toronto. Temat e diskutuara përfshinin çështjet e shëndetit mendor, varësitë dhe mungesat e banesave. Shefi i Këshillit Fisnor të Saskatoon tha se shërbimet e udhëhequra nga indigjenët lejojnë mbështetje dhe burime të fokusuara që trajtojnë çështje si traumat e shkaktuara brez pas brezi prej shkollave rezidenciale.

Québec - Sot (25.09) u zhvillua maratona tradicionale e Montréal. Për meshkujt fitues doli etiopiani Gadisa Shumie me kohën 2 orë, 9 minuta e 25 sekonda, ndërsa Mélanie Desautels, nga Sherbrook, triumfoi në garën për femra me 2:53:02. Edicioni i 30-të i maratonës së Montréal filloi në orën 7:45 të mëngjesit dhe rreth 10,000 vrapues u nisën nga ishulli Sainte-Hélène deri në Espace 67. Finishi pas 42.2 kilometrash vrapim ndodhej në zonën e Stadiumit Olimpik kur ishin mbledhur sportdashës të shumtë.

Ontario - Rreth 150 qytetarë të Torontos, metropolit kanadez, kanë manifestuar dje (24.09) në rrugët e qytetit dhe para Bashkisë, për të kërkuar nga institucionet përgjegjëse më shumë veprim kundër dhunës me armë. Sëbashku me disa organizata komunitare, ata kanë bërë thirrje për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata social-ekonomike që do ta luftonin që në rrënjë këtë fenomen. Çdo vit, nga 20 deri në 40 persona vriten me armë zjarri në Toronto dhe rrethina.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada, AFP/Michael King












