Aktualitet

Kanada - Qeveria federale shfuqizon masat sanitare në kufij dhe aeroporte

Qeveria federale kanadeze deklaroi sot (26.09) se që prej datës 1 tetor nuk do të aplikohen më në kufij dhe aeroporte masat kufizuese sanitare të vendosura për shkak të COVID-19, përfshirë këtu vaksinimin e detyrueshëm, testet dhe karantinimin e udhëtarëve që kryejnë udhëtime ndërkombëtare.

“Edhe pse virusi është ende prezent, jemi në një situatë shumë më të mire se në vitin 2020”, ka deklaruar Ministri Federal i Shëndetësisë Jean-Yves Duclos, gjatë konferencës së tij për mediat, duke theksuar që në rast përhapjeje variantesh të rinj, që përbëjnë kërcënim për shëndetin publik, qeveria mund të rivendosë masa kufizuese. “Nga eksperienca e dy viteve të fundit kemi nxjerrë mësime se cilat masa funksionojnë, ndaj dhe do lëmë të hapura të gjitha opsionet e mundshme për ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve kanadezë”, ka shtuar ai.

Kësisoj, pas këtij vendimi, prej të shtunës që vjen, udhëtarët nuk do jetë më e nevojshme të përdorin aplikacionin ArriveCan (i cili bëhet opsional), të paraqesin një vërtetim vaksinimi, të testohen para ose pas mbërritjes në Kanada, të vetëizolohen apo t’i nënshtrohen karantinës, si dhe të raportojnë simptomat e COVID-19 kur mbërrijnë në Kanada. Përveç kësaj, ata që udhëtojnë me aeroplan ose tren nuk do jenë më të detyruar të mbajnë maska apo t’i nënshtrohen kontrolleve.

©Flasshqip.ca

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld