Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 2 tetor 2022

 

Justin Trudeau në Newfoundland pas uraganit Fiona

 

-British Columbia, mijëra manifestues në Vancouver denoncojnë represionin në Iran

-Alberta, autoktonët metisë përgatiten të ratifikojnë Kushtetutën e tyre

-Saskatchewan, qeveria provinciale nuk mbështet riblerjen e armëve të zjarrit nga qeveria federale

-Uragani Fiona, disa dhjetra mijëra shtëpi ende pa energji elektrike në dy provinca atlantike

-Québec, manifestim antiqeveritar në zonën elektorale të kryeministrit Legault

 

British Columbia - Ndërsa situata e zemërimit popullor në Iran po precipiton dhe nga ana tjetër represioni shtetëror vazhdon, jashtë kufijve të republikës islamike ka nisur një valë protestash solidarizuese në favor të popullit iranian. Dje (01.10) në Vancouver të British Columbia, manifestuan mijëra qytetarë. “Pas katër dekadash sundimi fetar dhe brutal në Iran dhe pas vrasjes së Mahsa Amini-t, është koha të themi se duam liri, barazi dhe jetë”, i ka deklaruara Radio-Canada Mehrnaz, një iraniane që është vendosur prej vitesh në provincën e Paqësorit. Në pankartat e shumë protestuesve, shihej portreti i Mahsa Amini-t, e cila vdiq tri ditë pasi u arrestua nga Policia e Moralit më 13 shtator në Teheran, për mosmbajtjen si duhet të hixhabit. Turma brohoriti gjatë gjithë manifestimit sloganin “Grua, jetë, liri”, i përhapur tashmë në gjithë botën.

Alberta - Komuniteti Metis i provincës Alberta (Metis Nation of Alberta) njoftoi të marten e kaluar (27.09) se ratifikimi i Kushtetutës së tij do të bëhet gjatë gjithë muajit nëntor. 56,000 anëtarët e moshës 16 vjeç e lart dhe me të drejtë vote për ratifikimin, do të vendosin nëse do të mbështesin apo jo formën e qeverisjes që u është propozuar. “Është një përpjekje historike”, ka deklaruar Audrey Poitras, presidentja e komunitetit metis në Alberta para të pranishmëve në një takim të organizuar në Fort Edmonton Park. Ajo shpjegoi se organizata e saj ka dy vite që punon pandërprerë, për t'iu ofruar anëtarëve të saj këtë kushtetutë. “Kam dëgjuar gjithë jetën time vizionin e Louis Riel dhe brezave të metisëve albertanë për krijimin e një sistemi vetqeverisës. Sot besoj se të gjithë po i afrohemi realizimit të këtij vizioni”, ka shtuar ajo. Sipas saj, vetëqeverisja do të krijojë kushtet që metisët të jenë në pozita të barabartë me qeverinë provinciale, që deri tani e trajton Metis Nation of Alberta si një organizatë vullnetare dhe jo si një institucion vetqeverisës partner. Organizata është e bindur se rikthimi i qeverisjes në duart e komunitetit do t'i lejojë atij të menaxhojë vetë shërbimet shëndetësore, arsimore dhe të mbrojtjes së fëmijëve. Personat me të drejtë vote do shprehen për Kushtetutën nga data 1 deri më 30 nëntor 2022.

Audrey Poitras

Saskatchewan - Programi i blerjes së armëve nga qeveria federale do të realizohet pa pjesëmarrjen e provincës Saskatchewan. Ministrja provinciale e Policisë dhe Rendit Publik, Christine Tell, i është përgjigjur negativisht kërkesës së Policisë Federale Mbretërore Kanadeze (RCMP). Në mes të javës, Christine Tell i dërgoi një letër komandantes së RCMP për Saskatchewan, Rhonda Blackmore, ku theksohej se qeveria nuk mbështet dhe nuk do të lejojë përdorimin e burimeve të financuara nga provinca për çdo proces që lidhet me blerjen e armëve të zjarrit të propozuar nga qeveria federale. Letra e ministres Tell pason një letër të ngjashme të dërguar nga Ministri i Drejtësisë së Alberta-s, Tyler Shandro, komandantit të RCMP në Alberta. Në maj 2020, qeveria federale miratoi një urdhër ekzekutiv që ndalon 1,500 armë zjarri të tipit sulmues, plus disa komponentë të armëve të zjarrit të ndaluara kohët e fundit. Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Rendit Publik të Kanadasë, nëpërmjet programit të saj të blerjes, qeveria synon që këto armë të hiqen përfundimisht nga përdorimi prej qytetarëve në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt. Qeveria federale do t’i kompensojë pronarët dhe bizneset e prekura nga ndalimi dhe u ka dhënë atyre afat deri në tetor 2023 për të qenë konform ligjit. Nga ana e saj, ministrja provinciale e Saskatchewan, Christine Tell e ka cilësuar programin federal të riblerjes së armëve një program konfiskimi, koment ky që u përcoll në media nga Kontrollori i armëve të zjarrit në Saskatchewan, Robert Freberg.

Provincat atlantike - Dhjetëra mijëra shtëpi dhe biznese janë ende pa energji elektrike një javë pasi uragani post-tropikal Fiona goditi provincat atlantike të Kanadasë dhe Québec-un lindor. Sot në mëngjes (02.10), më shumë se 53,000 klientë ishin ende në pritje të rikthimit të energjisë elektrike në Nova Scotia dhe Prince Edward Island. Ndërsa dje (01.10) numri i tyre ishte 66,000. Pasi uragani kaloi, më shumë se 90% e klientëve të kompanive lokale të energjisë nuk kishin energji në Prince Edward Island dhe afërsisht 80% e klientëve të Nova Scotia Power përjetuan të njëjtën situatë. Dje, Nova Scotia Power deklaroi se kishte rivendosur energjinë për rreth 370,000 nga 415,000 klientët e vet. Më shumë se 1500 punonjës janë angazhuar për riparimin e difekteve, kryesisht në pjesën lindore të provincës dhe në ishullin Cape Breton. Autoritetet në të dyja provincat kanë paralajmëruar se rikthimi i plotë i rrjetit në gjendje normale mund të zgjasë akoma edhe një javë. Nga ana e saj, qeveria federale dërgoi 700 forca nga ushtria në provincat e Atlantikut për të ndihmuar në pastrimin e mbeturinave dhe rihapjen e rrugëve. Nova Scotia ndërkohë ka kërkuar dhe dërgimin e 200 forcave ushtarake shtesë.

Québec - Qindra qytetarë, nga e gjithë provinca, u mblodhën për të protestuar dje pasdite (01.10) në qendër të qytetit L'Assomption, në rajonin Lanaudière. Slogani i përsëritur nga të gjithë ishte: “Largohu CAQ!” (Coalition Avenir Québec, partia e kryeministrit François Legault). Mes turmës pakënaqësia ishte e dukshme. Kriza shëndetësore, masat mbrojtëse dhe vaksinimi, vazhdon të jetë preokupimi kryesor i protestuesve. Manifestuesit fillimisht shkuan drejt një CHSLD (Qendër për kujdesin afatgjatë ndaj të moshuarve), ku mbajtën një minutë heshtje, disa në gjunjë, në nderim të të moshuarve që vdiqën në këto institucione gjatë pandemisë. Shumë ishin të përlotur dhe vendosën kurora me lule përpara institucionit, duke përshëndetur teksa ecnin punonjësit e grumbulluar nëpër dritare nga kureshtja për protestën. Vendndodhja e zgjedhur për këtë demonstrim nuk ishte e rastësishme: L'Assomption është zona elektorale ku kryeministri François Legault synon nesër të zgjidhet deputet për të katërtën herë.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada