Aktualitet

Kryetari i Dhomës së Komunave të Kanadasë Anthony Rota viziton Tiranën

Në kuadrin e një turneu diplomacie parlamentare dhe në një kontekst të trazuar europian për shkak të luftës në Ukrainë, Kryetari i Dhomës së Komunave të Kanadasë (dhoma e ulët e Parlamentit kanadez) njëherazi dhe deputet i Partisë Liberale, Anthony Rota, ka nisur një tur takimesh në Europë. Pas një vizite në Maltë (ku u prit nga autoritetet më të larta të republikës ishullore), ai është ndalur sot (12.10.) në Tiranë ku është takuar me kryeparlamentaren Lindita Nikolla. Sipas Albanian Daily News, kjo vizitë është zhvilluar edhe në kuadrin e 35 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Theksojmë që kjo është e para vizitë e nivelit të lartë nga Kanadaja në Tiranë pas një boshllëku 8 vjeçar, qysh pas vizitës së Ministrit të Jashtëm të qeverisë Harper, John Baird, në tetor 2014.

Kreu i Dhomës së Komunave kanadeze ka shprehur vullnetin e Kanadasë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënive mes dy vendeve, jo vetëm në fushën politike dhe ushtarake në kuadrin e partneritetit në NATO, por edhe në fusha të tjera si burimet minerale, energjia dhe turizmi. A ka vlerësuar gjithashtu rolin aktiv të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB, i koordinuar me SHBA dhe partnerët europianë, për dënimin e agresionit rus në Ukrainë, pa harruar të përmendë edhe kontributin e disa dhjetëra mijëra qytetarëve kanadezë me origjinë shqiptare në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Anthony Rota, me origjinë italiane nga prindërit, i cili përfaqëson zonën elektorale të Nipissing-Timiskaming-Ontario nga viti 2004, e ushtron funksionin e Kryetarit të Dhomës së Komunave të Kanadasë qysh nga dhjetori 2019. Ai ka lindur më 15 maj 1961 në North Bay, Ontario dhe është diplomuar Bachelor në Shkencat Politike pranë Universitetit Wilfrid Laurier. Më pas ka studiuar Financa në Kolegjin Algonquin dhe ka marrë gradën Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Ottawa. Përpara zgjedhjes deputet, Rota ka punuar si menaxher rajonal në Ontario për Programin e Asistencës së Kërkimit Industrial. Anthony Rota flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht si dhe është lektor i Shkencave Politike në Universitetin Nipissing.

©Flasshqip.ca

Fotot: Kuvendi i Shqipërisë; Tha Canadian Press/Justin Tang