Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 23 tetor 2022

Arbër Xhekaj shënoi golin e tij të parë në National Hockey League kundër Stars të Dallas

 

-British Columbia, qytetarët protestojnë kundër mungesës së mjekëve të familjes

-Saskatchewan, rritet numri i policëve të pajisur me kamera gjatë shërbimit

-Manitoba, gati gjysma e kryetarëve të bashkive do zgjidhen pa kundërshtar

-Nova Scotia, pritet nisja e një greve të punonjësve të sektorit të arsimit

-Québec, digjet një godinë në Montréal, 25 familje gjenden përkohësisht pa strehë

-Ontario, strehimi i përballueshëm, tema kryesore e fushatës elektorale në Toronto

 

British Columbia - Një grup qytetarësh u mblodh dje (22.10.) në Victoria, kryeqyteti provincial, për të kërkuar më shumë mjekë familjeje në British Columbia. Kjo nuk është hera e parë që grupi BC Health Care Matters organizon një tubim të tillë. Një tubim i ngjashëm u organizua majin e kaluar për të ushtruar presion ndaj qeverisë. Lëvizja u themelua nga Camille Currie nëntë muaj më parë pasi ajo humbi mjekun e saj të familjes. Sipas saj, qëllimi është të binden qytetarët, që të kërkojnë të drejtat e tyre shëndetësore. Aktualisht, më shumë se 1 milion banorë të provincës nuk kanë mjek familje. Gushtin e kaluar, qeveria provinciale investoi 118 milionë dollarë për të mbështetur përkohësisht mjekët e familjes dhe për t'i inkurajuar ata që të vazhdojnë të praktikojnë në British Columbia. Gjithashtu, të premten (21.10.) kryeministri i emëruar David Eby deklaroi se do të lehtësojë barrierat për punësimin e mjekëve të huaj. Ndërkohë, grupi BC Health Care Matters i ka dërguar një peticion Ministrit të Shëndetësisë, Adrian Dix dhe Shefes së Shëndetit Publik, Bonnie Henry. Një tjetër peticion do t'i dërgohet së shpejti ministrit federal të Shëndetësisë, Jean-Yves Duclos, për t'i kërkuar të reagojë përballë kësaj krize shëndetësore.

Saskatchewan - Sipas një raporti të paraqitur në Bordin e Komisionerëve të Policisë të enjten e kaluar (21.10.) Shërbimi Policor i Saskatoon ka vendosur të dyfishojë numrin e oficerëve të policisë që mbajnë kamera gjatë shërbimit. Që nga prilli i këtij viti, 40 oficerë policie në Saskatoon janë pajisur me kamera sigurie si pjesë e një projekti pilot që kushtoi 198,000 dollarë. Departamenti i Policisë kërkon dyfishimin e këtij numri, projekt që do të kushtojë 192,000 dollarë shtesë. Këto kamera përdoren për të dokumentuar aktivitetet e policisë dhe për të mbledhur deklarata audio dhe video nga dëshmitarët dhe viktimat. Raporti i Departamentit të Policisë Saskatoon thekson se 98% e anëtarëve të komunitetit që iu përgjigjën një sondazhi deklaruan se mbështesin përdorimin e kamerave të policisë. Sipas këtij sondazhi, 88% e të anketuarve besojnë se përdorimi i këtyre kamerave do të rrisë besimin e publikut tek policia.

Manitoba - Sipas Shoqatës së Bashkive të Manitoba-s, nga 135 bashkitë e provincës, 64, ose pothuajse gjysma, do t’i zgjedhin kryetarët pa konkurent në zgjedhjet lokale të 26 tetorit. Në 17 prej këtyre bashkive madje, kjo traditë vazhdon prej tre zgjedhjesh radhazi. Për shembull, në Melita, një qytet në Jugperëndim të provincës, me rreth 1000 banorë, kryebashkiaku Bill Holden është zgjedhur pa kundërshtar që nga viti 2014. “Nuk paguhesh mirë për të qenë këshilltar ose kryetar i një komuniteti të vogël, ndaj dhe ky funksion nuk tërheq askënd. Por duhet ta bësh këtë, nëse e do komunitetin tënd”, i ka pohuar ai CBC. Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive të Manitoba-s, Denys Volkov, ka edhe arsye të tjera për këtë realitet, përtej faktit se është një punë me kohë të plotë dhe pagesa është si një pune me kohë të pjesshme. Volkov ka sjellë si shembull perceptimin e zyrtarëve të zgjedhur për ndikimin negativ të mediave sociale në punën e tyre gjatë vitet e fundit, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunikimin rreth pandemisë.

Nova Scotia - Qindra punonjës të arsimit të Nova Scotia planifikojnë të nisin grevën këtë javë që vjen, pasi refuzuan propozimin e fundit të qeverisë për marrëveshjen e ardhshme kolektive. Punonjësit e Komisionit Shkollor të Annapolis Valley do ta fillojnë grevën nesër (24.10.) ndërsa ata të Komisionit Shkollor të South Shore të martën. Presidentja e Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Publik të Nova Scotia, Sandra Mullen, ka deklaruar për Radio-Canada se punonjësit e seksioneve lokale 70 dhe 73 kanë negociuar me qeverinë për më shumë se një vit. Burimi kryesor i mosmarrëveshjes janë pagat. Mullen shpjegoi se punonjësit në këto dy rajone paguhen më pak se punonjësit që kryejnë të njëjtat detyra në rajonin e Halifax. Ajo beson se punonjësit duhet të kenë të njëjtën pagë në të gjithë provincën për detyra ekuivalente. Ata që planifikojnë të nisin grevën janë asistentët arsimorë, punonjësit e mbështetjes së nxënësve dhe edukatorët e parashkollorëve.

Québec - Një zjarr i fuqishëm shkatërroi të shtunën në mbrëmje para mesnatës (22.10.) një ndërtesë banimi në rrugën Saint-Jacques, në Mini-Bashkinë Sud-Ouest të Montréal-it. Ndërtesa u desh të evakuohej menjëherë dhe për fat askush nuk u lëndua. Departamenti i Zjarrfikësve të Montréal-it mori një telefonatë rreth orës 23:15 që raportonte tym brenda një godine. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, dyshemeja e katit të parë ishte përfshirë nga flakët. Ndërtesa, e cila ka tre kate dhe që ndahet nga të tjerat me mure ndalim-zjarri, është në listën e objekteve trashëgimi dhe sipas Departamentit të Zjarrfikësve ndofta do konsiderohet si totalisht e shkatërruar. Aktualisht 7 nga 25 familjet e evakuuara, janë marrë përsipër të ndihmoen nga Kryqi i Kuq, që do kujdeset për gjetjen e një strehimi të përkohshëm për to, ndërsa banorët e tjerë janë zhvendosur përkohësisht tek të afërmit.

Ontario - Në Toronto ka përfunduar fushata e zgjedhjeve lokale. Nesër (24.10.) qytetarët e metropolit kanadez do zgjedhin kryetarin e bashkisë dhe 25 këshilltarët e rinj për katër vitet e ardhshme. Shumë vëzhgues janë dakord se kjo fushatë nuk ngjalli shumë interes, por a ka patur një temë që ka tërhequr më shumë vëmendjen? Nga këndvështrimi i votuesve, kriza e strehimit është sigurisht shqetësimi numër një, të paktën ndër më të rinjtë, ka pohuar për Radio-Canada Rocky Petkov, anëtar i More Neighbors Toronto, një grup qytetarësh jopartiakë, që bëjnë fushatë për më shumë strehim të përballueshëm. Të rinjtë, ata nën 40 vjeç, janë kryesisht qiramarrës, por edhe për të moshuarit kjo është një çështje e rëndësishme. Ka të moshuar që do të ishin të gatshëm të jetonin në një hapësirë ​​më të vogël, për shembull, por që nuk mund ta ndajnë shtëpinë e tyre. Kjo temë ka gjetur jehonë në fushatë dhe në propozimet e kandidatëve, madje strehimi zuri dhe  pjesën më madhe të debatit mes kandidatëve për kryetar që u zhvillua më 17 tetor.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada