Aktualitet

Kanada: Fryhet administrata federale, 79,000 të punësuar më shumë që nga 2015

Bazuar në të dhënat e marra nga Departamenti i Thesarit, një analizë e kryer nga CBC News, e publikuar ditët e fundit dhe që nuk u pa të ketë shumë jehonë, dëshmon se numri i punonjësve të shërbimit publik federal është rritur me 12% në dy vitet e para të pandemisë për shkak të punësimit të më shumë se 35,500 vetëve.

Katër janë institucionet në të cilat u punësua shumica e tyre: Agjencia e të Ardhurave të Kanadasë (Canada Revenue Agency), ministria e Punësimit dhe Zhvillimi Social, ministria e Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë si dhe Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë.

Të ndara në dy vite, të dhënat tregojnë që qeveria federale krijoi 19,151 pozicione të reja pune gjatë vitit fiskal që përfundoi më 31 mars 2021 dhe 16,356 pozicione të tjera gjatë vitit fiskal pasardhës.

Aktualisht në total, rreth 335,957 individë punojnë për qeverinë federale në mbarë Kanadanë, një shifër rekord kjo, por ajo që bie gjithashtu në sy është se këto punësime të reja i rritën shpenzimet e qeverisë me miliarda dollarë.

Në vitin fiskal 2021, qeveria Trudeau ka paguar 59.6 miliardë dollarë në paga, përfitime, fonde pensioni dhe punë jashtë orarit, 4.4 miliardë dollarë më shumë nga periudha e mëparshme.

Shpenzimet për fuqinë punëtore ka të ngjarë të rriten me një shumë ekuivalente në vitin fiskal 2022. Të dhënat do merren vesh kur të publikohen llogaritë publike në dhjetor.

Lidhur me këtë rritje të konsiderueshme të numrit të punonjësve në shërbimin publik ka shprehur habinë e tij një nga ish-drejtorët parlamentarë të buxhetit, Kevin Page, i cili tani drejton Institutin për Financat Publike dhe Demokracinë në Universitetin e Ottawa. Sipas tij, shifrat e publikuara e tejkalojnë masën 5% në vit, çka e tejkalon sektorin privat dhe gjithashtu edhe rritjen reale ekonomike.

Të Ardhurat, Punësimi, Emigracioni dhe Shëndetësia

Siç u përmend në hyrje, katër institucione federale kanë kryer më së shumti punësime shtesë që nga fillimi i pandemisë.

Agjencia e të Ardhurave të Kanadasë, e cila kryesisht menaxhoi programin e pagesave dhe subvencionet e urgjencës si dhe programe të tjera të ndihmës që lidheshin me pandeminë, aktualisht ka 9,900 punonjës më shumë se në mars 2020.

Ministria e Punësimit dhe Zhvillimit Social, e cila është gjithashtu përgjegjëse për përpunimin e kërkesave për pasaporta dhe zyrat e Service Canada, ka punësuar 8,500 më shumë.

Ministria e Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, që përveç përballjes me krizat në Afganistan dhe Ukrainë, iu desh të përballej edhe me një numër shumë të madh aplikimesh të vonuara për viza, punësoi 1750 punonjës të rinj, ndërsa Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë, e cila koordinoi gjithë ndërhyrjet për përballimin e pandemisë, rekrutoi 1,900 punonjës shtesë.

Në përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të CBC News të dërguara me postë elektronike, Health Canada dhe Employment and Social Development Canada kanë shpjeguar se më shumë se gjysma e këtyre vendeve të punës nuk ishin pozicione të përhershme, ndërsa nga Canada Revenue Agency specifikohej që punësimet ndryshojnë në varësi të sezonit të deklarimit të taksave.

Më shumë se 28,000 nëpunës civilë me pushime të zgjatura

Mësohet gjithashtu që përafërsisht 28,176 nëpunës publikë ishin me leje të zgjatur gjatë vitit të fundit fiskal dhe, për rrjedhojë, nuk morën pagën e tyre të plotë. Megjithatë, shumë prej tyre vazhduan t’i marrin përfitimet e tyre sociale (fondet e pensionit, sigurime dhe përfitime të tjera të lidhura me punësimin).

Rritje me gati një të tretën që nga viti 2015

Gjithmonë sipas analizës së CBC News, qysh nga viti 2015, kur qeveria Liberale e Justin Trudeau erdhi në pushtet, numri i punonjësve të shërbimit publik është rritur dhe gjatë tetë viteve fiskale, Ottawa ka punësuar 79,000 punonjës të rinj, pra përafërsisht 31% më shumë që nga mbyllja e mandatit të qeverisë Harper.

Referuar gjithë instiucioneve federale, numri i punonjësve u rrit në 79 nga 84 departamentet dhe agjencitë që kanë qenë në funksion të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe gati 8 vjeçare

Kujtojmë që, madhësia e shërbimit publik është zvogëluar në periudha të caktuara në të kaluarën, veçanërisht gjatë mandatit të fundit të qeverisë Harper, kur rreth 26,000 pozicione u suprimuan nga viti 2010 deri në 2015.

Gjithashtu duhet saktësuar që të dhënat e analizës së CBC News nuk përfshijnë Forcat e Armatosura ose punonjësit civilë që punojnë për Policinë Federale Kanadeze (RCMP). Sipas informacioneve më të fundit, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare kishte 93,252 punonjës në vitin fiskal 2019, ndërsa RCMP kishte 31,119. Analiza e CBC gjithashtu nuk përfshin korporatat e Kurorës si Canada Post, VIA Rail dhe CBC/Radio-Canada.

Mungesë transparence nga qeveria

Sipas ish-drejtorit Parlamentar të Buxhetit, ekonomistit Kevin Page, i cili beson se kanadezët meritojnë më shumë transparencë, mënyra se si funksionon qeveria federale e ka bërë më të vështirë analizën e rritjes së shpejtë të fuqisë së saj punëtore.

“Pamja e përgjithshme e asaj që po ndodh brenda shërbimit publik - sa punonjës ka, sa kushton, etj. - është e vështirë të kuptohet, sepse askush nuk e monitoron vërtet atë”, madje “qeveria e Kanadasë nuk ka asnjë plan strategjik për burimet njerëzore dhe nuk ka asnjë prove nëse janë marrë vendimet e duhura lidhur me punësimin dhe me rritjen e lartë të numrit të punonjësve të shërbimin publik”, ka theksuar ai.

Në vitin 2012, kur Page punonte për Parlamentin Federal, ai pat përgatitur një raport që bënte të ditur për publikun se mesatarja e kostos së një nëpunësit civil i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 114,000 dollarë. Ndërsa gjatë 13 viteve të fundit, rritja e pagave dhe përfitimet e lidhura me këto pozicione e kanë tejkaluar inflacionin, po ashtu dhe variancat e vërejtura tek punëdhënësit e tjerë publikë dhe private.

Sipas të dhënave më të fundit, ato të vitit fiskal 2019, të publikuara nga Zyra e Drejtorit Parlamentar të Buxhetit, kostoja mesatare vjetore e një nëpunësi federal ishte llogaritur rreth 121,000 dollarë.

Shqetësimet e sektorit privat

Madhësia në rritje dhe kostoja e shërbimit publik federal po shqetëson aktualisht edhe grupet lobuese të sektorit privat, mes të cilëve edhe Presidentin e Federatës Kanadeze të Biznesit të Pavarur.

Kreu i kësaj organizate, Dan Kelly, e pranon se një rritje e përkohshme për të përballuar situatën e shkaktuar nga COVID-19 dhe ngadalësimi i ekonomisë globale është e justifikuar, por tashmë ngre pikëpyetje lidhur me stabilitetin ekonomik afatgjatë.

“Ne po shkojmë potencialisht drejt një recesioni. Një shërbim gjigant civil nuk do të na ndihmojë në nevojën për të reduktuar mjaftueshëm “dhjamin” e tepërt për përballimin e situatës dhe parandalimin e rritjes së taksave në të ardhmen, për të paguar koston e shërbimit publik”, thotë ai.

Kelly vë në pikëpyetje edhe reagimin e qeverisë federale ndaj problemeve të ndryshme, që duket se vazhdon të insistojë të rrisë numrin e punonjësve. Sipas tij, “qeverisë federale i pëlqen të flasë për transformimin e modeleve të biznesit dhe u bën moral kompanive private lidhur me tranzicionin digjital, por ndërkohë, është e vështirë të gjesh ekuivalentin e ketij modeli brenda vetë qeverisë”.

CBC ka njoftuar gjithashtu që Presidentja e Departamentit të Thesarit, ministrja Mona Fortier e ka refuzuar kërkesën për intervistë lidhur me këtë temë, por në një deklaratë, ajo i ka justifikuar punësimet shtesë të qeverisë federale, duke sqaruar se Ottawa i analizon me lupë kostot gjatë negociatave me sindikatat e shërbimit publik. “Qeveria jonë po punon për të ofruar mbështetje ndaj kanadezëve në nevojë, duke i menaxhuar fondet publike me përgjegjësi. Qeveria është e përkushtuar të negociojë me mirëbesim dhe të arrijë marrëveshje që janë të drejta për punonjësit dhe të arsyeshme për kanadezët.”, thuhej gjithashtu në deklaratën e ministers Fortier.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Adrian Wyld