Java Kanadeze - Lajme shkurt 30 tetor 2022

-British Columbia, zinxhir njerëzish mbi Lion Gate në Vancouver, në mbështetje të popullit Iranian
-Saskatchewan, shqetësim për pamjaftueshmërinë e mjekëve në provincë
-Manitoba, Scott Gillingham zgjidhet kryetar i Bashkisë Winnipeg
-Québec, mbyllja e pjesshme e një tuneli pritet të shkaktojë kaos total në trafikun e Montréal
-Nova Scotia, komisionerja përkatëse rekomandon përditësimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit
-Ontario, pritet fillimi i grevës nga punonjësit mbështetës të sektorit të arsimit
British Columbia - Mijëra qytetarë kanadezë me origjinë iraniane formuan dje (29.10) një zinxhir njerëzor mbi urën Lions Gate midis Stanley Park dhe North Shore në Vancouver, për të denoncuar regjimin teokratik të Iranit. Zinxhirë të ngjashëm njerëzorë ishin planifikuar në më shumë se 80 qytete në mbarë botën këtë të shtunë që kaloi. Protestuesit shpresojnë se mobilizimi do bëjë të mundur që Irani një ditë të ketë një qeveri të zgjedhur nga populli. Tubimet pasojnë protestat e organizuara në Iran pas vdekjes në shtator të Mahsa Amini-t, një vajze 22-vjeçare, që ndërroi jetë pasi u arrestua për veshjen e konsideruar të papërshtatshme nga skuadrat e Policisë së moralit. Protestat e vazhdueshme e kanë tronditur Iranin qysh nga ai moment dhe sipas organizatës joqeveritare Iran Human Rights me seli në Oslo, raportohen deri tani të paktën 253 të vdekur, duke përfshirë 34 fëmijë dhe 19 gra.

Lions Gate Vancouver
Saskatchewan - Shoqata Mjekësore e Saskatchewan ka organizuar këtë fundjavë takimin e saj vjetor në Regina. Mungesa e mjekëve është tema kryesore e ketyre takimeve me Ministrin e Shëndetësisë, Paul Merriman dhe Ministrin e Shëndetit Mendor dhe Varësive, Everett Hindley. Provinca po përjeton mungesë personeli të specializuar në urgjencë, në mjekësinë familjare, në infermierë, në shërbimet e analizave laboratorike, si dhe në obstetrikë, si në zonat rurale ashtu edhe ato urbane. “Ky është një problem kombëtar që nuk kufizohet vetëm në Saskatchewan”, ka pohuar presidenti i shoqatës, Dr. John Gjevre. Sipas tij, duhet të transformohet mënyra se si projektohet dhe ofrohet kujdesi shëndetësor, sepse mjekët më të rinj preferojnë sidomos modelin e a ngazhimit me kontratë, që ofron më shumë stabilitet.

Paul Merriman dhe Everett Hindley
Manitoba - Ish-këshilltari bashkiak Scott Gillingham u zgjodh kryetar i Bashkisë Winnipeg me më pak se një të tretën e votave popullore (27.5%) të mërkurën e kaluar (26.10.). Ai mundi Glen Murray, ish-kryetar i Bashkisë Winnipeg nga viti 1998 deri në 2004, që kish vendosur të rikandidonte pas 18 vjetësh. Scott Gillingham pasoi Brian Bowman, i cili shërbeu si kryetar bashkie për tetë vjet. Gilligham ishte kandidati i vazhdimësisë, pasi ka qenë kryetar i komisionit të financave të bashkisë në administratën e mëparshme dhe pjestar i stafit të afërt të ish-kryebashkiakut. “Megjithatë, unë nuk hyra në garë për të mbrojtur status quo-në” ka deklaruar ai në fjalimin e tij të fitores. Edhe pse Glen Murray ishte favorit i garës në fillim të fushatës, Gilligham ka arritur të fitojë duke marrë më shumë vota në periferi.

Scott Gillingham
Québec - Nesër (31.10.) në pjesën jug-lindore të ishullit Montréal do hapet kantieri i madh i riparimit të urës-tunel Louis-Hippolyte-La Fontaine. Projekti parashikon nga nesër mbylljen e tre nga gjashtë korsive të këtij aksi të rëndësishëm rrugor nga ora 5 e mëngjesit. Opsionet në dispozicion për banorët e Montréal dhe banorët e South Shore për të shmangur bllokimet e trafikut monstër që pritet, gjithsesi do mbeten të limituara. Dy nga tre korsitë e urës-tunel do rezervohen për trafikun në drejtim të veriut, ndërsa korsia tjetër do të lejojë hyrjen në South Shore. Rikonstruksioni parashikon të shtrihet në një periudhë trevjeçare dhe do jetë një sfidë më vete për metropolin frankofon. Sipas ministres së Transportit, Geneviève Guilbault, në kontekstin e asaj çfarë pritet, përdorimi i automjeteve është një zgjidhje që duhet reduktuar. Qeveria ka bërë thirrje që të aplikohet sa më shumë të jetë e mundur nga institucionet shtetërore dhe kompanitë puna në distancë. Mediat kanë parashikuar situatë tejet kaotike në trafik gjë që do shihet më qartë nga nesër.

Nova Scotia - Sipas një raporti të Komisioneres për të Drejtën e Informimit, provinca e Nova Scotia ka nevojë për një përditësim të konsiderueshëm të legjislacionit për të drejtën e informimit dhe privatësisë. Komisionerja Tricia Ralph ka theksuar në raportin e saj se Ligji për Lirinë e Informacionit dhe Mbrojtjen e Privatësisë nuk është përditësuar prej gati 30 vjetësh. “Pra”, pohon ajo, “rregullat aktuale nuk janë në gjendje të mbrojnë në mënyrë efektive të drejtat e qytetarëve. Nova Scotia dikur ishte lider në aksesin në informacion si provinca e parë në vend që miratoi legjislacionin përkatës në vitin 1977. Megjithatë, edhe pas përditësimit të ligjit të saj në 1993, Nova Scotia mbetet e vetmja provincë në Kanada ku Komisioneri i Informacionit dhe Privatësisë nuk është i pavarur nga Asambleja Legjislative. Sipas sistemit aktual, organet publike shpesh injorojnë rekomandimet e komisioneres për shkak të mungesës së autoritetit të saj.

Ontario - Në prag të rifillimit të negociatave me qeverinë e Ontario-s, sindikata që përfaqëson punonjësit mbështetës të arsimit publikoi sot (30.10.) një njoftim pesë-ditor për grevë. Një zëdhënës i Sindikatës Kanadeze të Punonjësve Publikë delaroi se punonjësit e arsimit që ajo përfaqëson do të ndërpresin punën nëse një marrëveshje nuk arrihet deri të premten. Kjo sindikatë përfaqëson 55,000 punonjës, duke përfshirë asistentët e mësimdhënies, edukatorët e të vegjëlve dhe stafin mbështetës. Dy borde shkollash në Ontario kanë njoftuar se do të duhet të mbyllin shkollat nëse këta punonjës hyjnë në një grevë të përgjithshme. Negociatat mbi pagat dhe kushtet e punës për punonjësit e ndihmës arsimore do të rifillojnë të martën. Seancat e fundit të ndërmjetësimit nuk kanë patur rezultat. Sindikata kërkon një rritje vjetore prej 11.7% për anëtarët e saj, paga mesatare e të cilëve aktualisht është nën 40,000 dollarë. Qeveria ofron një rritje vjetore prej 2% për punonjësit që fitojnë më pak se 40,000 dollarë dhe 1.25% për të tjerët.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada












