Aktualitet

Kanada - Në vitin 2025 qeveria synon të arrijë shifrën 500,000 imigrantë në vit

Qeveria federale kanadeze po planifikon aktualisht një rritje masive të numrit të imigrantëve që do hyjnë në Kanada, me një synim prej 500,000 syresh në vit deri në vitin 2025.

Ministri federal i Imigracionit, Sean Fraser, ka deklaruar sot (01.11.) se rritja e pragut të pranimit të imigrantëve është jetike për të siguruar prosperitetin ekonomik të Kanadasë.

Aktualisht industritë kanadeze po përballen me një mungesë të madhe të fuqisë punëtore dhe numri i vendeve të lira të punës në të gjithë vendin ka kapur shifrën një milion.

Plani i ri federal për imigracionin parashikon gjithashtu rritjen, gjatë tre viteve të ardhshme, të numrit të imigrantëve ekonomikë, të cilët do të pranohen në bazë të meritokracisë, pra aftësive të tyre profesionale ose përvojës së punës.

Nga ana tjetër, qeveria Trudeau parashikon një ulje të numrit të refugjatëve që pranohen në Kanada dhe një rritje më të moderuar të numrit të bashkimeve familjare.

Objektivat e reja për imigracionin në Kanada u shpallën vetëm disa ditë pasi Statistics Canada raportoi se 23% e banorëve në vend janë imigrantë të pranuar ose rezidentë të përhershëm, shifra më e lartë kjo në historinë e Kanadasë, në 100 vitet e fundit.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Hill Times/Andrew Meade/Sam Garcia

*Në foto lart kryeministri Justin Trudeau dhe Ministri i Imigracionit Sean Fraser