Kanada, përkujtohen ukrainasit e internuar në Manitoba gjatë Luftës së Parë Botërore
Në fund të shtatorit të kaluar, fare pranë kufirit Kanada-SHBA, një një bashki rurale me afërsisht 700 banorë, që ndodhet rreth 100 km larg nga Winnipeg, kryeqendra e provincës Manitoba, është përkujtuar një ngjarje e dekadës së dytë të shekullit XX, pak ose aspak e njohur edhe nga vetë kanadezët.
Lajmi i publikuar nga CBC/Radio-Canada, evokonte faktin që më shumë se 8,000 imigrantë nga Evropa, shumë prej të cilëve ukrainas, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore u dërguan me forcë në 24 kampe internimi në të gjithë Kanadanë.
Historia e tyre është paraqitur në një memorial të përbërë nga fotografi dhe një panel shpjegues që synon të sjellë në vëmendje të publikut trajtimin mizor që pësuan këta individë nga autoritetet e kohës. Pas inagurimit, memoriali u vendos përgjithmonë në Emerson.

“Pak kanadezë e dinë historinë e kampeve të internimit. Nuk e mësova këtë nga librat e historisë në shkollë të mesme”, i ka pohuar Radio-Canada, presidenti i Shoqatës Ukraino-Kanadeze të Lirive Civile, Borys Sydoruk.
Kampet e internimit në ato vite, midis 1914 dhe 1920, u krijuan nga qeveria kanadeze sipas Aktit të Masave të Luftës. Kampe të tillë u krijuan në provincat Manitoba, British Columbia, Alberta dhe Ontario. Edhe pse fillimisht ishin ftuar të imigronin në Kanada, evropianët e internuar nga qeveria kanadeze e kryeministrit Robert Laird Borden u cilësuan si “armiq të huaj”.
Në Manitoba në vitin 1915, qindra ukrainas u nisën më këmbë nga Winnipeg për në Shtetet e Bashkuara në kërkim të punës. Kur mbërritën pranë kufirit amerikan, në Emerson, ata u arrestuan dhe u dërguan në kampin e internimit në Brandon.
Në shumicën e kampeve, të burgosurit iu nënshtruan punës së detyruar dhe atyre iu sekuestruan dhe pronat. Ata që liroheshin nga internimi detyroheshin të mbanin dokumente të posaçme identifikimi dhe të paraqiteshin rregullisht në polici.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Manitoba Museum; CBC/Chelsea Kemp












