Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 6 nëntor 2022

 

-British Columbia, moti i keq shkakton ndërprerje të energjisë elektrike

-Saskatchewan, stuhia e dëborës bllokon qarkullimin në rrugën Transkanadeze

-Québec, thyhen rekorde temperaturash të larta për nëntorin

-Prince Edward Island, zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal

-Newfoundland, 4 kompani do investojnë 238 milion dollarë për burime të reja nafte

-Ontario, zgjedhje të parakohshme federale në zonën Mississauga-Lakeshore

 

British Columbia - Pas stuhisë me shi dhe erëra të forta që përfshiu pardje dhe dje (05.11.) pjesën jugperëndimore të provincës British Columbia duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, sot në mëngjes ende më shumë se 10,000 konsumatorë nuk kishin furnizim me energji elektrike. Fillimisht rreth 330,000 vetë mbetën pa energji, por pas ndërhyrjes me riparime numri u reduktua gradualisht dhe BC Hydro ka pohuar se vetëm banorët e Chilliwack dhe pjesë të tjera të Luginës Fraser mund të jenë ende pa energji elektrike deri nesër, për shkak të dëmeve të mëdha. Ekipet shtesë të BC Hydro kanë mbërritur atje sot për ndihmë. Sipas bashkisë Vancouver shpejtësia e erës arriti deri në 90 kilometra në orë dhe punonjësit e saj po punojnë për të pastruar pemët e rrëzuara dhe po përgatiten për reshjet e borës që priten në mbrëmje.

Saskatchewan - Pas stuhisë se borës që ishte paralajmëruar në Saskatchewan dhe pasi bashkitë nxorrën në terren atutomjetet borëpastrues në të gjithë territorin, në autostradën transkandeze ka rinisur sot (06.11) pasdite qarkullimi pas bllokimit midis Moose Jaw dhe kryeqytetit. Tashmë të gjitha rrugët drejt Regina nuk janë më të bllokuara dhe një tis i bardhë e mbulon ende kryeqytetin e provincës ku erërat e forta janë ndjerë qysh në mëngjes.

Québec - Të premten e kaluar (04.11.), disa qytete në provincën Québec thyen rekordet e temperaturave të larta për sezonin e vjeshtës. Për shembull, temperatura arriti në 20.2 gradë Celsius në Montréal, duke thyer rekordin e vendosur në vitin 1956 (18.3 gradë). Në Québec City, termometri tregoi 15.9 gradë, ku rekordi i fundit daton në vitin 2015 (13.5 gradë). Në Val-d'Or, temperatura ishte 18.4 gradë, më shumë se në 1956 (15 gradë) dhe në Gatineau arriti 21 gradë, ku rekordi i mëparshëm i nxehtësisë datonte në vitin 1938. Temperatura më e lartë në Québec për datën 4 nëntor u regjistrua në Saint-Anicet, në Montérégie, 22.7 gradë. Environment Canada parashikon se temperaturat do të mbeten të larta edhe për disa ditë dhe do të bien gradualisht gjatë ditëve në vijim për t'u kthyer në vlerat normale sezonale.

Prince Edward Island - Banorët e provincës Prince Edward Island nesër (07.11) do t’u drejtohen kutive të votimit në kuadrin e zgjedhjeve lokale. Votimi paraprak përfundoi aty të premten në mbrëmje (04.11.) dhe pjesëmarrja ka rezultuar më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme të nëntorit 2018. Sipas Elections PEI, që mbikëqyr proceset zgjedhore në provincë, përqindja e pjesëmarrjes në votimin paraprak në pesë bashki, ishte: Charlottetown 21.51% (krahasuar me 26.17% në 2018), Cornwall 14.41% (krahasuar me 23.42% në 2018), Stratford 20.46% (krahasuar me 21.8% në 2018), Summerside 22.44% (krahasuar me 24.9% në 2018), Three Rivers 15.21% (nuk është e disponueshme pjesëmarrja në 2018). Zgjedhësit e regjistruar kishin tre ditë në dispozicion për të votuar paraprakisht, ndërsa nesër qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 09:00 deri në orën 19:00.

Newfoundland - Katër kompani nafte janë angazhuar së fundi të investojnë për kërkime të reja në Newfoundland. ExxonMobil, BP, Equinor dhe QPI e Katarit do të shpenzojnë të paktën 238 milion dollarë për kërkime në një sipërfaqe prej 1.2 milion hektarësh - ekuivalenti i 38 herë sipërfaqja e qytetit të St John’s, kryeqendra e provincës. Bordi i Canada-Newfoundland dhe Labrador Offshore Petroleum, agjencia që jep lejet e kërkimit, e bëri publik lajmin të mërkurën e kaluar (02.11.). ExxonMobil dhe QPI do shpenzojnë 181.6 milionë dollarë në zonën naftëmbajtëse Heart's Content, që ndodhet 470 km në lindje të Newfoundland. Analizat paraprake tregojnë se aty mund të nxirren miliarda fuçi naftë bruto dhe rezerva të konsiderueshme gazi natyror. Për momentin, provinca nuk ka asnjë vendburim gazi në aktivitet. Equinor dhe BP kanë marrë përsipër të shpojnë puse eksploruese në tre vende përreth zonës së megaprojektit Bay du Nord, i cili sipas parashikimeve të fundit, mund të prodhojë më shumë se 500 milionë fuçi naftë. Shpenzimet e deklaruara për këtë zonë janë 40 milionë dollarë. BP është angazhuar gjithashtu të shpenzojë 16.5 milionë në zonën e Ferryland, që ndodhet 325 km në lindje të ishullit.

Ontario - Kryeministri Justin Trudeau ka njoftuar sot (06.11) organizimin e zgjedhjeve të pjesshme, më 12 dhjetor, në zonën elektorale federale Mississauga-Lakeshore. Vendi i deputetit aty është vakant që kur ish-deputeti liberal Sven Spengemann la detyrën majin e kaluar për t’u angazhuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nga Partia Liberale aty do të konkurrojë Charles Sousa, ish-ministër provincial i financave.  Ish-oficeri i policisë Ron Chhinzer do të jetë kandidati konservator. Julia Kole do të përfaqësojë NDP, ndërsa Mary Kidnew do të jetë kandidate për Partinë e Gjelbër.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada