Kanada - Nis në Parlament shqyrtimi mbi ndërhyrjen e Kinës në zgjedhjet federale
Ashtu siç paralajmëroi fundjavën e kaluar shefi i opozitës Pierre Poilievre, Partia Konservatore Kanadeze ka paraqitur sot (14.11.) një mocion në Komisionin e Përhershëm mbi Procedurat dhe Çështjet e Brendshme të Dhomës së Deputetëve. Mocioni pason raportin e publikuar nga media Global News lidhur me tentativat e Kinës për t’u infiltruar në politikën kanadeze dhe manovrat e saj për destabilizimin e demokracisë në vend, veçanërisht mbi ndërhyrjet në dy zgjedhjet e fundit federale. Kërkesa e Konservatorëve për shqyrtimin e kësaj çështjeje delikate u miratua me vetëm një votë më shumë (6 pro dhe 5 kundër) falë mbështetjes së dy deputetëve nga NDP dhe Blloku i Québec. Deputetët Liberalë votuan të gjithë kundër mocionit.
Kësisoj, komision i lartpërmendur i Dhomës së Ulët të Parlamentit kanadez, gjatë të paktën katër seancave, do marrë në pyetje dy ministra, zyrtarë të shërbimeve sekrete, anëtarë të Elections Canada dhe këshilltarë apo ish-këshilltarë të kryeministrit Justin Trudeau. Më konkretisht në listën e personave që do merren në pyetje janë ministri i Çështjeve Ndërqeveritare, Infrastrukturës dhe Komuniteteve, Dominic LeBlanc, ministrja e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly si dhe këshilltarja e kryeministrit për Sigurinë Kombëtare dhe Inteligjencën, Jody Thomas. Në listen e dëshmitarëve janë edhe ish-këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Justin Trudeau, David Morrison dhe Dan Stanton, së bashku me ish-ambasadorin e Kanadasë në Kinë, David Mulroney.
Sipas deputetëve konservatorë Michael Cooper dhe Luc Berthold, të cilët paraqitën dhe mbrojtën mocionin, hetimit mbi përpjekjet e Kinës për të destabilizuar politikisht Kanadanë duhet t'i shkohet deri në fund. “Kina ka tentuar të korruptojë e intimidojë disa zyrtarë, apo edhe të manipulojë deputetë kanadezë në mënyrë që të perfitonte regjimi i saj komunist”, kanë pohuar ata. Në mënyrë më specifike, bëhet fjalë për krijim të një rrjeti klandestin kandidatësh në zgjedhjet e 2019-ës, për infiltrim të agjentëve në zyrat e deputetëve me synim ndikimin në vendimmarrje, për presion të ushtruar ndaj disa deputetëve, deri edhe fushatë për të ndëshkuar përmes votave disa politikanë kanadezë që Kina i ka konsideruar si kërcënim për interesat e saj.
Sipas Global News, qeveria Trudeau ka qenë në dijeni të këtyre fakteve qysh në janar të këtij viti. Ndërkohë autoritetet federale vetëm para disa ditësh deklaruan nisjen e një hetimi mbi ekzistencën e një “policie të paligjshme” kineze në Greater Toronto Area (GTA), ndërsa sot Policia Federale Kanadeze (RCMP) njoftoi dhe arrestimin e Yeshang Wang, 35 vjeç, ish-punonjës i Hydro-Quebec, i cili akuzohet për spiunazh industrial në favor të Kinës.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld