Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 20 nëntor 2022

 

Santa Claus - Winnipeg (Manitoba)

-British Columbia, betohet kryeministri i ri provincial David Eby

-Alberta, fotografohet “Bosi” i arinjve të Parkut Kombëtar Banff

-Manitoba, rikthehet parada e Santa Claus në Winnipeg

-Nova Scotia, në Halifax do të vendoset një qendër kërkimore e NATO-s

-Ontario, arrihet marreveshja mes qeverisë dhe Sindikatës së punonjësve të Arsimit

-Ottawa, Elizabeth May rikthehet në krye të Partisë së Gjelbër të Kanadase

 

British Columbia - Të premten 18 nëntor, kryeministri i ri Neodemokrat i British Columbia, David Eby, u betua në detyrën e re gjatë një ceremonie të mbajtur jo sipas traditës në Government House, por në Qendrën Kulturore të komunitetit autokton Musqueam, duke marrë kësisoj zyrtarisht drejtimin e provincës pas dorëheqjes së paraardhësit të tij John Horgan, një ndër kryeministrat provincialë më popullorë gjatë viteve të fundit sipas sondazheve. Eby falënderoi mikpritësit e tij Musqueam First Nation, duke vënë në dukje se kjo mikpritje është një simbol i partneritetit dhe bashkëpunimit të provincës me autoktonët edhe në të ardhmen, duke paralajmëruar gjithashtu së do të ketë hapa konkretë për thellimin e këtij bashkëpunimi. Para se të betohej, kryeministri David Eby, ka shprehur dhe konsideratat e tij të veçanta për arritjet e paraardhësit të tij, Johh Horgan.

Alberta - Në Alberta, ai quhet “Bosi", për shkak të pamjes imponuese, peshës së vlerësuar midis 295 kg dhe 317 kg, veshëve të veçantë dhe statusit të tij si ariu i thinjur më dominues në Parkun Kombëtar Banff. I vetëm ai kontrollon një habitat natyror rreth 2500 kilometra katrorë. Javën e kaluar, ariu me numër 122 u fotografua nga Jason Leo Bantle, i cili rastësisht kaloi pranë tij dhe arriti ta përjetësonte momentin. Ndërsa udhëtonte midis Banff dhe Lake Louise, fotografi, i cili po shkonte drejt Jasper, vërejti gjurmë të sapokrijuara në një rrugë. Kurioz, ai doli nga automjeti dhe ndoqi gjurmët mbrapsht. Më pas arriti në një vend të gërmuar, i cili dukej se kish shërbyer si strehë nate për një kafshë të madhe. Pasi kthehet në automjetin e tij dhe fillon të udhëtojë drejt Lake Louise, i ra në sy një ari që gërmonte nën një trung. “Ai sapo ngriti kokën dhe unë arrita të bëj disa poza”, u shpreh Jason Leo Bantle, për Radio-Canada. Bantle e njeh mirë “Bosin”, reputacioni i të cilit është legjendar. Ariu gjigand, i ka mbijetuar përplasjes me një tren dhe ka ngrënë disa nga konkurrentët e tij. Edhe pas incidentit me trenin, ai vazhdon të përdorë shinat kur del të kërkojë ushqim.

Manitoba - Pavarësisht të shtunës së djeshme të ftohtë në Winnipeg (19.11.), mijëra familje të qytetit morën pjesë në paradën e Santa Claus në Portage Avenue, e para qysh nga fillimi i pandemisë. Gjithashtu, në qendrën tregtare Polo Park në Winnipeg, dhjetëra prindër me fëmijët e tyre shkuan për të dalë në fotografi me Santa Claus, duke ringjallur kështu traditën para pandemisë. Santa Claus mori disa minuta nga programi i tij i ngjeshur për t’i dhënë një intervistë të shkurtër Radio-Canada. “Jam i lumtur që i shoh përsëri të gjithë fëmijët e Winnipeg dhe Manitoba”, pohoi ai. Në orët e para të pasdites rreth 100 shrepje aparati realizuan fotot me fëmijët e vegjël dhe prindërit e tyre. Santa Claus i siguroi të vegjëlit se xhuxhët e stafit të tij po punojnë intensivisht për t’i përgatitur në kohë dhuratat për ta.

Nova Scotia - Ministrja Federale e Mbrojtjes Anita Anand njoftoi të premten (18.11) projektin për hapjen e një qendër kërkimore të NATO-s për Amerikën e Veriut në Halifax të provincës Nova Scotia (Defence Innovation Accelerator for the North Atlantic-DIANA). Qëllimi është të promovohet bashkëpunimi midis anëtarëve të aleancës ushtarake dhe sektorit të teknologjisë, duke përfshirë bizneset e reja dhe studiuesit universitarë. Anand sqaroi se kjo zyrë rajonale e Amerikës së Veriut nuk do të fokusohet në prodhimin e armëve, por më tepër në teknologjitë në zhvillim që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) i ka identifikuar si prioritete (inteligjenca artificiale, përpunimi i mega të dhënave, teknologjitë kuantike, bioteknologjia, materialet e reja dhe hapësira). Sipas ministres, Halifax u zgjodh për shkak të 300 ndërmarrjeve të reja të sektorit të shkencës dhe teknologjisë në territorin e tij, 7 universiteteve dhe bazave të mëdha ushtarake, ku është e dislokuar Flota detare kanadeze e Atlantikut. (Në foto poshtë Admirali Rob Bauer i Marinës Mbretërore të Holandës, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Ministrja e Mbrojtjes e Kanadasë, Anita Ananad.)

Ontario - Përfundimisht nesër (21.11.) në Ontario nuk do të nisë greva e punonjësve ndihmës të sektorit të Arsimit. Negociatat e sindikatës së tyre tyre me qeverinë kanë rezultuar në një marrrëveshje në parim. Lajmi u bë i ditur nga Sindikata Kanadeze e Punonjësve Publikë sot (20.11) në fund të pasdites. “Arritëm një marrëveshje në parim. Punonjësit do të jenë në shkollë nesër dhe nuk do të ketë grevë”, ka deklaruar presidentja e Këshillit të Sindikatave të Bordeve Shkollore të Ontario-s, Laura Walton në një konferencë për shtyp. Përfaqësuesja e sindikatës pohoi se është bërë maksimumi për të mbrojur interesat e sindikalistëve të sektorit të Arsimit. Ajo shtoi gjithashtu se Këshilli i Negociatave do rekomandojë që anëtarët ta pranojnë marrëveshjen gjatë votimit të ratifikimit, që do të nisë të enjten dhe pritet të përfundojë deri në fundjavën e ardhshme.

Ottawa - Elizabeth May u rizgjodh mbrëmë (19.11) në krye të Partisë së Gjelbër të Kanadasë. Ajo rikandidoi duke premtuar se do ta ndante rolin liderit me Jonathan Pedneault. May, për një kohë të gjatë deputete federale e British Columbia, e cila e udhëhoqi partinë nga viti 2006 deri në 2019, e fitoi garën për lidership në raundin e gjashtë të votimit, pasi gjashtë kandidatët e tjerë u eliminuan. “Është pak déjà vu, por nuk është e njëjta gjë, sepse tani është një formulë krejtësisht ndryshe, sepse nuk jam më e vetme”, deklaroi Elizabeth May pas fitores. Ajo iu bashkua garës së lidershipit duke u zotuar se do të emëronte Pedneault si bashkëkryetar dhe të dy së bashku premtuan se do të punojnë për reformimin e statutit, në mënyrë që formula e bashkëkryetarëve të bëhët funksionale.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Jason Leo Bantle

*Në foton kryesore lart, kryeministri kanadez Justin Trudeau në bashkëbisedim me presidentin kinez Xi Jinping, gjatë Samitit të G20 në Indonezi.