Aktualitet

Tenis - Fitore historike e Kanadasë në finalen e Kupës Davis

Lojtari kanadez i tenisit, aktualisht i renditur i gjashti në botë, Félix Auger-Aliassime, e ka mbyllur në mënyrë të përsosur këtë javë, por edhe 3 mujorin e fundit të vitit 2022,  duke kontribuar që Kanadaja të fitojë sot (27.11.) për herë të parë në histori Kupën Davis, faza e finale e të cilës u zhvillua në Malaga të Spanjës, duke mundur ekipin e Australisë. Në duelin e dytë të ditës (simple), Auger-Aliassime triumfoi ndaj Alex de Minaur në dy sete 6-3 dhe 6-4, në hapësirën kohore 1 orë 41 minuta. Fitorja e tij pasoi atë të Denis Shapovalov ndaj Thanasi Kokkinakis, gjithashtu në dy sete 6-2 dhe 6-4.

Félix Auger-Aliassime

Për Kanadanë kjo ishte finalja e dytë pas asaj të vitit 2019, të cilën e humbi përballë Spanjës. Atë vit Auger-Aliassime, Shapovalov dhe Pospisil ishin gjithashtu pjesë e ekipit kanadez, ndërsa sot po kjo treshe, e shoqëruar nga Alexis Galarneau e Gabriel Diallo, arriti të realizojë një përformancë historike duke fituar trofeun më prestigjioz në botë për ekipet e tenisit meshkuj. Kanadaja u kualifikua në finale pas fitores së djeshme me Italinë 2-1.

Kupa Davis u krijua për herë të parë si kompeticion në vitin 1900 nga Dwight Davis dhe prej ateherë administrohet nga Federata Nderkombëtare e Tenisit. Numrin më të madh të titujve e ka fituar ekipi i SHBA, gjithsej 32 fitore nga 61 finale. Kanadaja është ekipi i 16-të që e fiton këtë trofe, duke siguruar në të njëjtën kohë dhe të drejtën e pjesëmarrjes në finalen e vitit 2023.

Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press

Fotot: Agence France Presse/Thomas Coex; Getty Images/Fran Santiago