Java Kanadeze - Lajme shkurt 27 nëntor 2022

Quebec City
-British Columbia, dy tërmete të njëpasnjëshme në Tofino
-Alberta, në Edmonton përkujtohet Holodomori
-Nova Scotia, rikrijohet në Halifax Salloni i bukurisë i Viola Desmond
-Prince Edward Island - Hyn në fuqi legjislacioni i ri për skuterat elektrikë
-Ontario, manifestim mbështetës në Toronto ndaj grave “të dënuara me heshtje” në Afganistan
British Columbia - Dy tërmete brenda dy ditësh janë ndjerë në ishullin Vancouver. Sipas Earthquakes Canada, një tërmet me magnitudë 4.8 u regjistrua 34 kilometra nga Tofino, qytet që ndodhet në ishull, pak para orës 20:00 të së premtes, 25 nëntor. Agjencia federale saktësoi se nuk raportohej për dëme. Në Twitter, Ministrja provinciale e Ujit, Tokës dhe Menaxhimit të Burimeve Natyrore, Josie Osborne, shkroi se e ndjeu tërmetin në Tofino, kur e gjithë shtëpia e saj u drodh. Një ditë më parë, të enjten, 24 nëntor, një tërmet tjetër, kësaj herë me magnitudë 4.0, u konstatua 288 kilometra nga Tofino, pak pas orës 5 të mëngjesit. Earthquakes Canada deklaroi gjithashtu se nuk parashikohej të kishte cunami nga këto dy lëkundje.

Alberta - Disa qindra qytetarë u mblodhën dje (26.11.) në Edmonton për një ceremoni përkujtimore para monumentit të Holodomorit që është vendosur pranë godinës së bashkisë. Holodomor është kriza e urisë për shkak të së cilës vdiqën disa milionë vetë në Ukrainë. Kjo krizë e tmerrshme urie, jo vetëm në Ukrainë, u provokua qëllimisht nga regjimi sovjetik i Stalinit midis viteve 1932 dhe 1933, për shkak të eksportit masiv drejt Perëndimit të prodhimit vendas të drithit. “Nuk e prisja të mblidheshin kaq shumë njerëz, por kjo është e kuptueshme edhe për shkak të situatës aktuale në Ukrainë”, ka deklaruar presidenti i degës së Edmontonit të Kongresit Ukraino-Kanadez, Yaroslav Broda, i cituar nga Radio-Canada. Ai gjithashtu ka bërë një paralele mes gjenociodit stalinist dhe luftës që ka nisur qysh prej shkurtit 2022 pas sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Prej vitit 2008, Kanadaja e ka njohur si gjenocid Holodomorin përmes një ligji të miratuar në Parlamentin Federal, sipas të cilit, e shtuna e katërt e nëntorit, është dita e përkujtimit të Holomodorit në Kanada.

Nova Scotia - Është rikrijuar së fundi në lagjen North End të Halifax, në formën e një instalacioni artistik, Salloni i bukurisë të asaj që njihet si një nga heroinat kanadeze të të drejtave civile. Instalacioni i quajtur “The Viola Desmond Experience”, i projektuar nga artisti Marvin Nelligan, tashmë është i hapur për publikun. Në vitet 1940, biznesi i Viola Desmond në Halifax quhej “Vi's Studio of Beauty Culture”. Riprodhimi artistik i biznesit të saj synon të nxjerrë në pah arritjet e Desmond si një sipërmarrëse e suksesshme afroamerikane nga Nova Scotia. Instalacioni ka gjithashtu një komponent digjital. Në vitet 1940, Viola Desmond shiste produkte bukurie dhe kishte një sallon të sajin në Halifax. Në vitin 1946, ndërsa ishte në një udhëtim pune në New Glasgow, ajo refuzoi të largohej nga seksioni i një kinemaje vetëm për të bardhët, u arrestua për gjestin e saj dhe u dënua mbi bazën e legjislacionit fiskal për mospagimin e vlerës së plotë të biletës, që për personat më ngjyrë kishte çmim të ndryshëm. Desmond vdiq në vitin 1965. Në vitin 2010, provinca paraqiti një falje zyrtare post mortum. Portreti i saj sot figuron në kartëmonedhat 10 dollarëshe dhe në disa pulla postare.

Prince Edward Island - Nga dje (26.11) në provincën Prince Edward Island, kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për ngarjen e skuterëve elektrikë në rrugët e qyteteve dhe akset rrugore të transportit. Sipas këtyre rregullave, një skuter elektrik nuk mund të ketë fuqi më të madhe se 500 wat, nuk mund të udhëtojë me shpejtësi më të madhe se 24 kilometra në orë dhe duhet të jetë i pajisur me zile ose bori dhe drita. Përdoruesi duhet të jetë së paku 16 vjeç dhe të mbajë kaskë mbrojtëse. Përdoruesit e skuterave nuk lejohen të qarkullojnë mbi trotuare, në rrugën e Konfederatës dhe në rrugë të tjera ku shpejtësia maksimale e lejuar është më shumë se 60 kilometra në orë. Sipas qeverisë provinciale, këto rregulla përputhen me vizionin e karboneutralitetit dhe nxitjen e një transporti aktiv në përputhje me objektivat e mbrojtjes së mjedisit.

Ontario - Grupe aktivistësh të të drejtave të njeriut manifestuan sot (27.11.) në Toronto në shenjë solidariteti me gratë dhe vajzat e Afganistanit në kuadrin e Ditëve Botërore të Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore. Tubimi i Torontos ishte pjesë e një mobilizimi pankanadez që synon të tërheqë vëmendjen për emergjencën humanitare në Afganistan dhe në veçanti ndaj situatës së grave. “Që nga kthimi në pushtet i talebanëve në gusht 2021, vendi ka përjetuar një përshkallëzim dramatik të abuzimeve ndaj grave, vajzave dhe minoriteteve vulnerabël”, i ka shpjeguar Radio-Canada organizata Canadian Women for Women in Afganistan, iniciatore e këtij mobilizimi. Sipas kësaj organizate, gratë afgane janë të dënuara me heshtje dhe të përjashtuara nga shumica e aspekteve të jetës së përditshme. Për shembull, vajzat janë të ndaluara të ndjekin shkollat e mesme dhe gratë janë të përjashtuara nga shumica e institucioneve publike.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada












