Aktualitet

Kanada, 2.3 miliardë dollarë për strategjinë tregtare dhe ushtarake të Indo-Paqësorit

Ashtu siç ishte paralajmëruar, ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, prezantoi në fund të javës së kaluar, në Vancouver, dokumentin që qeveria Trudeau e ka pagëzuar si Strategjia e re për rajonin e Indo-Paqësorit. Për vënien në zbatim të saj, parashikohet që në 5 vitet e ardhshme të shpenzohen 2.3 miliardë dollarë nga buxheti i shtetit kanadez. Më konkretisht, Liberalët e kanë interpretuar këtë levizje si një synim për t’u distancuar qartësisht nga Kina. Gjatë prezantimit, Ministrja Joly shoqërohej nga Ministri për Zhvillim Ndërkombëtar, Harjit Sajjan, nga Ministrja e Tregtisë Ndërkombëtare, Mary Ng dhe nga Ministri i Rendit Publik, Marco Mendicino.

Sipas dokumentit qeveritar në fjalë, Kina “konsiderohet një fuqi globale gjithnjë e më shumë problematike” dhe që përfiton “nga të njëjtat rregulla ndërkombëtare që ajo vetë i shkel gjithnjë e më shumë”, ndërsa 5 objektivat kryesorë të që qeveria kanadeze synon të mbështesë janë paqja, qëndrueshmëria e zinxhirit të furnizimit, të drejtat e njeriut dhe të grave, ndryshimet klimatike dhe rritja e pranisë së Kanadasë në botë.

Kryediplomatja kanadeze bëri të ditur se Kanadaja do të investojë 492.9 milionë dollarë për të rritur praninë e saj ushtarake në rajonin Indo-Paqësor, që po përballet me kërcënime gjithnjë e më komplekse. Ajo përmendi jo vetëm Kinën, por edhe testet bërthamore të Koresë së Veriut. Megjithatë, Joly ka nënvizuar se do jetë e nevojshme të vazhdohet të bashkëpunohet me Kinën për çështje globale, si lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Në këtë kuadër, Kanadaja planifikon gjithashtu të dërgojë një fregatë të tretë në Oqeanin Indian vitin e ardhshëm si dhe sigurimin e fondeve për sigurinë kibernetike dhe forcimin e sigurisë publike në raport me rajonin Indo-Paqësor. Po kështu, sipas ministrit të Rendit Publik Mendicino, “duhet më shumë vigjilencë dhe më shumë përgatitje për t'iu kundërvënë “kërcënimeve serioze, veçanërisht në aspektin e ndërhyrjeve të huaja, sulmeve kibernetike, ekstremizmit ideologjik, dezinformimit dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare”.

Në aspektin tregtar, qeveria Trudeau planifikon të krijojë lidhje më të ngushta me vende të tilla si India, Indonezia, Japonia dhe Koreja e Jugut. Për këtë qëllim do akordohen 244.4 milionë dollarë për projekte të ndryshme, disa prej të cilave u shpallën nga kryeministri kanadez qysh më 18 nëntor, në Samitin e liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore që u zhvillua në Kamboxhia. Këto projekte përfshijnë krijimin e një porte tregtare kanadeze në rajonin Indo-Paqësor, një zyre të veçantë të Kanadasë për bujqësinë si dhe hapjen e disa misioneve tregtare. Synimi kryesor do jenë veçanërisht sektorët e bujqësisë, burimeve natyrore dhe inovacionit teknologjik.

Qeveria federale kanadeze gjithashtu planifikon të investojë 750 milionë dollarë për të mbështetur modernizimin e infrastrukturave në rajon dhe këto masa, sipas ministres për Tregtinë Ndërkombëtare Ng, do mundësojnë zgjerimin e rrjeteve tregtare dhe do sigurojnë qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit, i cili u vu në vështirësi serioze gjatë pandemisë.

Strategjia e Indo-Paqësorit parashikon dhe investime në rafshin diplomatik, si për shembull krijimin e pozicioneve të reja të punës pranë Global Affairs Canada me një investim prej 92.5 milionë dollarë. Fonde janë parashikuar gjithashtu për përmirësimin e sistemit të akordimit të vizave në qytete të tilla si Nju Delhi, për rekrutimin e studentëve të huaj dhe zhvillimin e turizmit. Gjithashtu 84.3 milionë dollarë do të përdoren për të krijuar një fond për mbrojtjen e oqeaneve dhe 52.4 milionë dollarë për forcimin e kapaciteteve në përballimin e fatkeqësive natyrore të vendeve të rajonit.

Paraqitja e Strategjisë për Indo-Paqësorit konkludon një muaj të ngjeshur diplomatik për kryministrin kanadez, gjatë të cilit ai mori pjesë në samitin e liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në Kamboxhia, në takimin e G20 në Indonezi si dhe në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor që u mbajt në Tajlandë.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Darryl Dyck

*Në foton lart, ministri i Zhvillimit Ndërkombëtar dhe ministër përgjegjës për Agjencinë e Zhvillimit Ekonomik të Paqësorit të Kanadasë, Harjit Sajjan (në mikrofon), ministrja e Tregtisë Ndërkombëtare, Nxitjes së Eksportit, Biznesit të Vogël dhe Zhvillimit Ekonomik, Mary Ng (majtas), ministrja e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly dhe ministri i Rendit Publike, Marco Mendicino, në konferencën për shtyp në Vancouver, gjatë së cilës u shpall Strategjia e Indo-Paqësorit.